A mund ta konkurrojë Evropa projektin infrastrukturor të Kinës "Një brez, një rrugë"?

Bota

A mund ta konkurrojë Evropa projektin infrastrukturor të Kinës "Një brez, një rrugë"?

Më: 5 dhjetor 2021 Në ora: 22:35
Flamuri i BE-së dhe ai kinez

Bashkimi Evropian vuri në dipozicion këtë javë një fond prej 340 miliardë dollarësh për të ndërtuar infrastrukturën globale. Analistët e shohin këtë si një përpjekje për të konkurruar nismën rivale të shpallur nga Kina, “Një brez, një rrugë”.Por a do të jetë e suksesshme?

Bashkimi Evropian thotë se nisma e saj e quajtur "Global Gateway", apo “Porta e botës”, do të ofrojë miliarda dollarë për të ndihmuar në ndërtimin e një infrastrukture me cilësi të lartë, internet me fibra optike, projekte rrugore dhe hekurudhore, si dhe në energji të rinovueshme, kryesisht në vendet në zhvillim.

“Mendoni për shembull, investimin për prodhimin e hidrogjenit të pastër. Ne kemi vende partnere që kanë bollëk burimesh për prodhimin e energjisë së rinovueshme, sikurse era apo dielli. Këto janë me interes të dyashshëm, për ta dhe për ne. Ose mendoni për kabllon me fibra optike për të lidhur dy kontinente”, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Fondi evropian parashikon 340 miliardë dollarë deri në vitin 2027. Pjesa më e madhe e investimit do të jetë në kredi dhe jo në grante. Ai do të synojë ndërtimin e infrastrukturës së kujdesit shëndetësor si dhe investime në arsim.

“Ne duam të tregojmë se një qasje demokratike, e orientuar nga vlerat, mund të përballojë sfidat më të ngutshme”, tha zonja von der Leyen.

Por sipas analistëve kjo ka të bëjë edhe me gjeopolitikën.

“Objektivi kryesor që qëndron pas iniciativës ‘Porta e botës’ është t’i përgjigjet nismës së Kinës, ‘Një brez, një rrugë’, ose ‘Rrugës së re të mëndafshit’ të Pekinit. Shumë kompani evropiane kanë hasur në konkurrencë të madhe nga rivalët e tyre kinezë. Ata po shohin gjithashtu se si vendet po bien nën ndikimin e Kinës”, thotë Jonathan Holslag, Profesor për Politikën Ndërkombëtare

Por, a mjaftojnë 340 miliardë dollarët e Evropës për ta konkurruar Pekinin?

“Kina sot ka një total kredish që i përdor jashtë vendit prej rreth 1.5 trilionë dollarësh amerikanë”, thotë Jonathan Holslag, Profesor për Politikën Ndërkombëtare.

Kjo fuqi financiare u shfaq në Laos këtë javë, pasi vendi hapi zyrtarisht hekurudhën që e lidh atë me qytetin Kunming në Kinë, një investim në vlerën e 5.9 miliardë dollarëve dhe 1000 kilometra i gjatë. 60 për qind e projektit është financuar me kredi shtetërore kineze. Për disa analistë, kostot e borxhit kinez janë jashtëzakonisht të larta.

“Situata për shkak të COVID-it nuk është e mirë për të fituar para nga hekurudha, kjo do të thotë më shumë borxhe e më pak të ardhura si dhe eksporte. Kur shoh faktet për situatën ekonomike të Laosit, është e vështirë të mos arrish në përfundimin se ata po bien edhe më thellë drejt një ndikimi nga Kina, dhe kjo thjesht për shkak të vendimeve ekonomike që kanë marrë", thotë Greg Raymond, Ekspert i politikës për vendet e Azisë Juglindore.

Kina ka investuar gjithashtu në Evropë, duke blerë porte si Pireu në Greqi dhe duke financuar korridore rrugore transporti në vendet e Ballkanit. Pasi pa afrimin e Pekinit, Bashkimi Evropian po ofron tashmë një alternativë.

Evropa thotë se projekti i saj "Porta e botës" mund të funksionojë i ndërthurur me projektin infrastrukturor "Build Back Better World", “Të ndërtojmë një botë më të mirë”, një nismë e Presidentit amerikan Joe Biden që u paraqit në samitin e G-7 të muajit qershor.

“Ne gjithashtu duhet të shohim nëse vendet në zhvillim janë të interesuara të pranojnë kushtet që kanë huatë evropiane, në aspektin e qëndrueshmërisë mjedisore, transparencës etj. Mendoj se ata do të përpiqen t'i përdorin në avantazhin e tyre duke i vendosur donatorë të ndryshëm kundër njëri-tjetrit”, thotë Jonathan Holslag, Profesor për Politikën Ndërkombëtare

Kina nuk ka bërë komente të drejtpërdrejta mbi planet evropiane. Në fillim të këtij muaji, Pekini tha se ka "shumë hapësirë për bashkëpunim në fushën e infrastrukturës globale"./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat