Iraku dhe Irani shkëmbyen mbetjet mortore të 61 ushtarëve nga lufta e viteve të 80-ta

Bota

Iraku dhe Irani shkëmbyen mbetjet mortore të 61 ushtarëve nga lufta e viteve të 80-ta

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 15:43
Foto ilustrim

Iraku dhe Irani shkëmbyen sot eshtrat e 61 ushtarëve të vrarë gjatë luftës mes dy fqinjëve në vitet 1980.

“Iraku mori eshtrat e katër martirëve të paidentifikuar të gjetur në territorin iranian”, tha Ministria e Mbrojtjes së Irakut në një deklaratë.

Ministria tha se eshtrat e 57 ushtarëve iranianë iu dorëzuan palës iraniane.

Eshtrat u gjetën gjatë një operacioni të përbashkët kërkimi në provincat e Basrës dhe Maysan në jug të Irakut, tha ministria.

Sipas njoftimit, mbetjet mortore u shkëmbyen në pikën kufitare Shalamcheh nën mbikëqyrjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Të dy vendet shkëmbejnë herë pas here eshtrat dhe trupat e ushtarëve të vrarë bazuar në një marrëveshje të përbashkët që ata nënshkruan në Gjenevë në vitin 2008.

Nuk ka të dhëna zyrtare për ushtarët e zhdukur në luftën 8-vjeçare, e cila zgjati nga viti 1980 deri në vitin 1988. Megjithatë, llogaritet se rreth një milion janë vrarë nga të dyja palët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat