U shpall e zhdukur, aktivistja dyshohet se po mbahet në spital psikiatrik në Katar

Bota

U shpall e zhdukur, aktivistja dyshohet se po mbahet në spital psikiatrik në Katar

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 18:42
Noof al-Maadeed

Një aktiviste për të drejtat e grave, e cila u zhduk në mënyrë misterioze pasi u kthye në Katar nga Britania, thuhet se po mbahet kundër dëshirës së saj në një spital psikiatrik.

23 vjeçarja Noof al-Maadeed, paraqitjen e fundit e pati më 13 tetor ku tregoi rreth kërcënimeve që kishte marrë, shkruan Dailymail.

Një i afërm i saj ka deklaruar se Noof – e cila kërkoi azil në Britani pas viteve të abuzimit në familje – është gjallë, por po përballet me ‘rrezik të menjëhershëm’.

“Ne kemi folur me dikë brenda spitalit për përditësime – situata tingëllon e tmerrshme dhe ne duam ta mbajmë atë menjëherë të sigurt,” i tha i afërmi The Times.

Aktivistët e të drejtave të njeriut po kërkojnë që autoritetet e Katarit të dëshmojnë se ajo është gjallë.

Në postimin e saj të fundit në rrjetet sociale para se të zhdukej, Noof tha: “Nëse nuk shihni asnjë postim nga unë në ditët në vijim, kjo do të thotë se unë i jam dorëzuar familjes sime kundër vullnetit tim”.

Noof shkoi në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019, por u kthye në shtëpi në tetor pasi autoritetet e Katarit me sa duket dhanë garanci se ajo do të ishte e sigurt.

Rasti i saj – i cili nxjerr në pah diskriminimin me të cilin përballen gratë në shtetin e Gjirit – u bë i famshëm dy vjet më parë kur një video që dokumentonte udhëtimin e saj në Britani u bë virale.

Ajo fokusoi vëmendjen në sistemin e kujdestarisë së meshkujve të Katarit, në të cilin gratë varen nga burrat për leje për t’u martuar, për të udhëtuar, për të ndjekur arsimin e lartë dhe për të pasur akses në kujdesin shëndetësor riprodhues.

Vendimi i saj për t’u kthyer në Katar befasoi shumë njerëz, teksa në një video, ajo tha: “Kam pasur një jetë normale në Britaninë e Madhe, deri në atë ditë kur ndjeva se nuk i përkisja atje dhe se doja të jetoja në vendin tim, por kishte shumë vështirësi, frikë dhe rreziqe nëse doja të kthehesha në vendin tim”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat