Forcat sudaneze të sigurisë sulmuan me gaz lotsjellës turmën e protestuesve në kryeqytetin, Kartum më 25 dhjetor derisa mijëra persona ishin mbledhur para pallatit presidencial.
Në prag të protestës autoritetet sudaneze kishin ndërprerë internetin në pjesë të mëdha të vendit. Protestuesit kundërshtuan edhe njëherë sundimin ushtarak në vend.
Pavarësisht paralajmërimeve mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar ushtrinë e vendit duke kërkuar transicion drejt sundimit civil e “ushtarët të tërhiqen në kazerma”.
Në kryeqytet, protestuesit u mblodhën në disa zona e më pas ecën drejt pallatit presidencial. Protesta u mbajtën edhe në qytete të tjera të vendit përfshirë, Uad Madani dhe Atbara.
Protesta e 25 dhjetorit u organizua në mes të masave të rrepta të sigurisë ndërkaq, Volker Perthes i Dërguari i Posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Sudanin, ftoi forcat e sigurisë të përmbahen nga arrestimi i qytetarëve vetëm pse morën pjesë në protesta.
I urge the Sudanese authorities and the security forces to protect today’s planned demonstrations. Freedom of expression is a human right. This includes full access to the internet. No one should be arrested for his or her intention to protest peacefully.
— Volker Perthes (@volkerperthes) December 25, 2021
“Liria e shprehjes është e drejtë e njeriut. Kjo nënkupton edhe qasje të plotë në internet. Askush s’duhet të arrestohet për pjesëmarrje në protesta paqësore”, shkroi Perthes në Twitter.
Fundjavën e shkuar, forcat e sigurisë dhunshëm kishin shpërndarë protestuesit kur deshën të bllokonin rrugët afër pallatit presidencial. Që nga formimi i pushtetit ushtarak në Sudan në muajin tetor, dhjetëra persona janë vrarë gjatë shtypjes së protestave./REL