Putin rrit presionin ndaj Gjermanisë

Bota

Putin rrit presionin ndaj Gjermanisë

Nga: Sherif Ramabaja Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 10:59
Vladimir Putin

Evropa po vuan nga rritja e çmimit të gazit. Presidenti Putin ka njoftuar tani se Rusia mund të sigurojë lehtësim për konsumatorët. Tubacioni i diskutueshëm i Detit Baltik Nord Stream 2 është "gati për të nisur nga puna".

Sasia e gazit po zvoglohet në Evropë. Presidenti rus Vladimir Putin tani ka premtuar dërgesa të shpejta. "Kjo linjë e re me siguri do të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve në tregun evropian," tha Putin, duke iu referuar gazsjellësit të ri Nord Stream 2. Sapo Gjermania të hapë dyert e saj, më shumë gaz do të rrjedhë në drejtim të Evropës - dhe kjo do të ulë çmimet në tregun evropian. Përdorimi i gazit për tregun rus do të kishte përparësi, tha Putin. "Por Rusia ka mundësinë të rrisë eksportet e saj të gazit."

Pak më parë, kompania energjetike Gazprom kishte njoftuar se gazsjellësi i pacertifikuar deri më tani, ishte gati për të nisur nga puna. Linja e dytë është plotësisht e mbushur me gaz teknik, tha CEO Alexej Miller i agjencisë Interfax. Procedura ka përfunduar në mesditë.

Nord Stream 2 supozohet të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani duke anashkaluar Ukrainën. Tubacioni i Detit Baltik përfundoi javë më parë, por nuk është ende funksional. Mungon ende licenca e funksionimit nga Agjencia Federale e Rrjetit. Presidenti i saj Jochen Homann tha së fundmi se nuk do të ketë vendime për këtë deri në gjysmën e parë të vitit 2022 .

Scholz: Tubacioni i Detit Baltik është një "projekt i sektorit privat"

Projekti që nga fillimi ishte i diskutueshëm. Qeveria amerikane kritikon se Evropa po e bën veten shumë të varur nga Rusia, për furnizimin e saj me energji. Ukraina e dobët financiarisht është urgjentisht e varur, nga miliarda të ardhura nga tarifat e tranzitit të gazit dhe tani ka frikë nga humbje të mëdha.

Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock konfirmoi se Nord Stream 2 është më shumë se një projekt thjesht i sektorit privat për të. "Vitet e fundit e kanë bërë të qartë, me këndvështrimin e perceptimeve të ndryshme në Evropë , se cilin rol gjeostrategjik luan Nord Stream 2," tha politikanja e Gjelbër. Prandaj, qeveria e vjetër federale e Unionit dhe SPD e kanë pranuar tashmë, se ky tubacion ngre gjithashtu çështje sigurie.

Kancelari Olaf Scholz (SPD) e përshkroi procedurën si "plotësisht apolitike" dhe tubacionin si "projekt të sektorit privat". Për sa i përket procesit të miratimit, Baerbock nuk sheh asnjë ndryshim me Scholz: “Shqyrtimi ligjor aktualisht është pranë Agjencisë Federale të Rrjetit. Olaf Scholz dhe unë përdorëm fjalë të ndryshme, për të përshkruar këtë gjendje”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat