Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të zhvillojnë këtë javë bisedime strategjike që mund të përcaktojnë të ardhmen jo vetëm të marrëdhënies së tyre, por edhe të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në NATO. Bëhet fjalë për fatin e Ukrainës dhe ndoshta edhe vetë stabilitetin e Evropës së pas Luftës së Ftohtë, por duke u nisur nga retorika para bisedimeve, shpresat për përparim janë të vakëta.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë të përgatitur të diskutojnë me Rusinë në bisedimet për Ukrainën, mundësinë që secila palë të kufizojë stërvitjet ushtarake dhe dislokimin e raketave në rajon.
Në prag të bisedimeve të rëndësishme mes dy palëve që do të nisin të hënën në Gjenevë, zyrtari i lartë i administratës së Presidentit Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë të hapura të diskutojnë kufizime të mundshme në dislokimet e trupave amerikane ose praninë e forcave amerikane në vendet e NATO-s në rajon.
Uashingtoni i ka refuzuar kërkesat ruse, duke theksuar se parimi kryesor i NATO-s është se anëtarësimi është i hapur për çdo vend që kualifikohet dhe se asnjë vend jo-anëtar nuk ka të drejtën e vetos.
Dallimet e thella në qëndrimet e dy vendeve nuk ngjallin shpresë për ndonjë zgjidhje të shpejtë për çështjen e Ukrainës apo tema të tjera me interes të ndërsjellë, ndërkohë që mosbesimi duket të jetë në nivelin më të lartë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Raundi i parë i bisedimeve duket se do të shërbejë më shumë për të prezantuar mosmarrëveshjet dhe nuk pritet të prodhojë një rezultat të sigurtë për Ukrainën.
“Nuk mendoj se dikush di me saktësi se çfarë ka në mendje Presidenti Putin për Ukrainën. Mendoj se administrata Biden ka bërë më të mirën për të bashkuar aleatët në koordinimin e politikave, duke i dhënë sinjalin Rusisë se synon të vendosë sanksione shumë më të forta se më parë”, thotë John Tefft, Ish-ambasador amerikan në Rusi dhe Ukrainë.
Vendet aleate pranojnë se Ukraina dhe Gjeorgjia nuk janë ende gati për anëtarësim dhe ka pak gjasa që ato të mund të ftohen për t'iu bashkuar NATO-s së shpejti, por ata këmbëngulin se dyert e aleancës duhet të mbeten të hapura.
Analisti i pavarur politik rus Dmitry Oreshkin tha se për udhëheqësin rus Vladimir Putin, është e pamundur që Ukraina ose Gjeorgjia të mund të anëtarësohen në NATO.
“Putini nuk mund ta pranojë që Ukraina, apo Gjeorgjia, t’i bashkohen NATO-s. Mund ta ketë pranuar ndoshta për shtetet balltike, si një kauzë e humbur, pjesë e NATO-s etj., por ka vendosur të kundërshtojë deri në fund për Ukrainën. Dhe mënyra e vetme që të sigurojë një autoritet politik të dorës së fortë mbi çështjen e Ukrainës është duke krijuar tension në kufi”, thotë zoti Oreshkin.
Bisedimet e Gjenevës, që do të pasohen nga sesione të tjera në Bruksel dhe Vjenë, synojnë shmangien e një krize. Presidenti rus Vladimir Putin ka grumbulluar dhjetëra-mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke shkaktuar shqetësim për një ndërhyrje të mundshme ushtarake./VOA