OKB kërkon 5 miliardë dollarë si ndihmë për Afganistanin

Bota

OKB kërkon 5 miliardë dollarë si ndihmë për Afganistanin

Më: 11 janar 2022 Në ora: 12:52
Disa familje afgane të zhvendosura nga shtëpitë e tyre, shihen në një kamp refugjatësh në Kandahar. Korrik 2021.

Kombet e Bashkuara kanë thënë të martën se u duhen 5 miliardë dollarë si ndihmë për Afganistanin më 2022, në mënyrë që të parandalojnë katastrofën humanitare.

Kjo është shuma më e madhe që ka kërkuar ndonjëherë OKB-ja, në një thirrje të vetme.

Ajo ka thënë se fondet i duhet për Afganistanin dhe miliona afganë që janë duke u strehuar nëpër vendet fqinje.

Sipas saj, 22 milionë persona brenda Afganistanit dhe 5.7 milionë tjerë që janë zhvendosur në pesë vende fqinje, kanë nevojë për ndihma.

“Po i afrohemi katastrofës së plotë humanitare. Mesazhi im është urgjent: Mos i mbyllni dyert për popullin e Afganistanit”, ka thënë shefi i OKB-së për Ndihma, Martin Griffiths.

Prej kur talibanët kanë marrë pushtetin në Afganistanin, në gusht të vitit të kaluar, ky shtet është përballur me kaos financiar, inflacion dhe papunësi në rritje.

Uashingtoni ka bllokuar miliarda dollarë të aseteve të këtij shteti, ndërkohë që edhe ndihmat janë penguar.

Përveç krizës ekonomike, Afganistani është përballur me thatësinë më të rëndë në dekada më 2021.

Pa paketë të ndihmës “nuk do të ketë të ardhme”, ka thënë Griffiths para gazetarëve në Gjenevë./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat