ShBA-ja e Rusia përplasen për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit

Bota

ShBA-ja e Rusia përplasen për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 08:24
Këshilli i Sigurimit

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë patën përleshje të ashpër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pasi ShBA-ja e thirri takimin për të diskutuar rreth grumbullimit të trupave ruse afër kufirit të Ukrainës.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se ky mobilizim është më i madhi që Evropa ka parë me dekada, shkruan BBC.

Në anën tjetër, homologu i saj rus i akuzoi Shtetet e Bashkuara për nxitje të histerisë dhe ndërhyrje të papranueshme në çështjet e Rusisë.

ShBA-ja dhe Britania e Madhe kanë premtuar sanksione shtesë, nëse Rusia e pushton Ukrainën. Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, tha se është duke u përgatitur legjislacioni me të cilin do të vihen në shënjestër një grup më i gjerë i bizneseve dhe individëve të afërt me Kremlinin.

Në takimin e së hënës në Këshillin e Sigurimit, ambasadori rus, Vasily Nebenzya, tha se nuk ka dëshmi që vendi i tij është duke planifikuar veprim ushtarak kundër Ukrainës dhe se grumbullimi i trupave ruse nuk është konfirmuar nga OKB-ja.

Kjo nuk është vetëm ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të shtetit tonë, është gjithashtu një përpjekje për ta hutuar komunitetin ndërkombëtar rreth situatës së vërtetë në rajon dhe për arsyet e tensioneve të tanishme globale”, tha ai.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane, Thomas-Greenfield, tha se ShBA-ja vazhdon të besojë se ka zgjidhje diplomatike për krizën, por paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të vepronin me vendosmëri, nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën.

Ky është mobilizimi më i madh i trupave në Evropë me dekada dhe, përderisa po flasim, Rusia është duke dërguar edhe më shumë forca dhe armë për t’iu bashkuar atyre”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat