Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg deklaroi sot se NATO-ja po shqyrton një pozicion afatgjatë ushtarak në Evropën Lindore me qëllim që të forcojë mbrojtjen e saj.
“Vendimi përfundimtar për këtë nuk është marrë, por ka një proces që po zhvillohet aktualisht në NATO”, tha Stoltenberg, raporton Reuters.
Ministrat e mbrojtjes të NATO-s pritet të diskutojnë përforcimet ushtarake në takimin e ardhshëm më 16 dhe 17 shkurt.
Qeveritë perëndimore i kanë bërë thirrje Moskës që të tërheqë trupat nga kufijtë e Ukrainës, veçanërisht nëse Rusia dëshiron të shohë më pak vendosje në aleatët lindorë të NATO-s, shtoi Reuters.
“Nëse Rusia me të vërtetë dëshiron më pak trupa të NATO-s pranë kufijve, ata e marrin të kundërtën”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi me presidentin polak Andrzej Duda në Bruksel.
Ushtarët e parë amerikanë, si pjesë e përforcimit ushtarak për Evropën, mbërritën në Poloni më 5 shkurt.
Avioni me ushtarët e Divizionit të 82-të Ajror amerikan u ul në aeroportin Jasionka pranë Rzeszow dhe gjithsej 1.700 ushtarë do të vendosen në Poloni.
Pajisjet ushtarake amerikane filluan të mbërrijnë në vend javën e kaluar, kujton agjencia britanike.