Rreth 60 persona kanë vdekur pas një shpërthimi në një minierë ari të improvizuar në një fshat në jugperëndim të Burkina Fasos, thonë zyrtarët lokalë, raporton BBC.
Shpërthimi ndodhi në një treg në vendin e minierës së arit kur dinamiti i ruajtur aty mori flakë, thanë dëshmitarët.
"Kishte trupa të shpërndarë kudo. Ishte një shpërthim që arriti të shkulte pemët dhe të rrëzonte shtëpi," i tha Reuters një burim gjyqësor.
Dhjetëra të plagosur janë evakuuar në spitalin më të afërt.
Mendohet se në mesin e viktimave janë gra dhe fëmijë, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Për ngjarjen e së hënës është hapur hetimi pasi prokurori i qarkut ka shkuar në vendngjarje.