Rusia paralajmërohet për sanksione të reja nëse fillon lëvizjen e radhës

Bota

Rusia paralajmërohet për sanksione të reja nëse fillon lëvizjen e radhës

Nga: M.H. Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 06:43
Mjete ushtarake dhe tenda mbërritën së fundi, me shumë mundësi ruse, në një fushë ajrore në Velikii Bokov, Bjellorusi, rreth 40 km nga kufiri me Ukrainën, më 22 shkurt 2022.

Vendet perëndimore dhe Japonia dënuan të martën Rusinë me sanksione të reja për urdhërimin e trupave në rajonet separatiste të Ukrainës lindore dhe kërcënuan të shkojnë më tej nëse Moska do të nisë një pushtim të gjithanshëm ndaj fqinjit të saj.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania, Australia, Kanadaja dhe Japonia njoftuan planet për të synuar bankat dhe elitat, ndërkohë që Gjermania ndaloi një projekt të madh të tubacionit të gazit nga Rusia në një nga krizat më të këqija të sigurisë në Evropë në dekada, shkruan Reuters, përcjell “Bota sot”.

I hidhëruar për qëllimin afatgjatë të Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n dhe duke e pretenduar atë si tokë historike ruse, presidenti rus Vladimir Putin ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, sipas vlerësimeve të SHBA-së, dhe ka urdhëruar ushtarët në rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk që të "mbajnë paqja".

Shtetet e Bashkuara e hedhin poshtë këtë justifikim si "të pakuptimtë".

Imazhet satelitore gjatë 24 orëve të fundit tregojnë disa dislokime të reja të trupave dhe pajisjeve në Rusinë perëndimore dhe më shumë se 100 automjete në një aeroport të vogël në Bjellorusinë jugore, që kufizohet me Ukrainën.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian anuluan takimet e planifikuara të veçanta me homologun rus Sergei Lavrov të martën pasi javë të tëra diplomacie të furishme nuk i dhanë fund krizës.

"Ky është fillimi i një pushtimi rus."

Planet e shpallura nga Biden për të forcuar Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë përfshijnë dërgimin e 800 ushtarëve të këmbësorisë dhe deri në tetë avionë luftarakë F-35 në vendndodhje përgjatë krahut lindor të NATO-s, tha një zyrtar amerikan, por janë një rishpërndarje, jo shtesa.

Putin nuk e ndoqi fjalimin e Biden dhe Rusia së pari do të shikojë atë që Shtetet e Bashkuara kanë përshkruar përpara se të përgjigjet, sipas zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Putin tha se ai ishte gjithmonë i hapur për të gjetur zgjidhje diplomatike, por se "interesat e Rusisë dhe siguria e qytetarëve tanë janë të pakushtëzuara për ne"./BS

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat