Janë bërë tridhjetë e gjashtë orë prej kur presidenti rus Vladimir Putin, dha urdhër për dërgimin e trupave ruse në lindje të Ukrainës, të kontrolluara nga separatistët.
Liderët e Perëndimit kanë paralajmëruar se përshkallëzimi ushtarak do të nxisë pasoja masive për Moskën.
BBC-ja raporton se nuk ka ende asnjë provë të qartë se ata kanë mbërritur në vend, megjithëse ka tetë vjet që këto zona janë kontrolluar nga forcat ushtarake ruse, por nuk ka raport të qartë për ndonjë ndryshim të madh në terren. Shenjat megjithatë nuk janë fare të mira. Rrugët diplomatike duket se po mbyllen totalisht.
Imazhet satelitore tregojnë forcat ruse që zvarriten shumë më pranë kufijve të këtyre vendeve. Qeveria e Ukrainës në anën tjetër po përgatit rezervistët.
Por, a ka marrë ende Putini një vendim për të nisur atë që mund të jetë lufta më e keqe në Evropë nga viti 1946. Askush nuk e di! Putini, në dekret tha se vendimi duhet të zbatohet menjëherë.
Në të është thënë se ushtria ruse do të hyjë në Donjeck “me kërkesë të republikës për të siguruar paqen”.
Dje, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka pezulluar procesin e certifikimit të tubacionit të gazit natyror, të njohur si Nord Stream 2, pasi që Rusia i ka njohur si të pavarura rajonet e kontrolluara nga separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.
Gazsjellësi nënujor e dërgon drejtpërdrejt gazin rus në Evropë nëpërmjet Gjermanisë dhe është i kompletuar, por ende nuk funksionon.
Së voni, ky projekt është bërë objektiv kryesor i qeverive perëndimore që përpiqen të ushtrojnë ndikim mbi Rusinë, për ta penguar atë nga lëvizjet e mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.
Ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli një varg sanksionesh kundër Rusisë, një ditë pasi presidenti i këtij vendi, Vladimir Putin, mori vendim për t’i njohur rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura dhe urdhëroi dërgimin e trupave atje.
”SHBA-ja beson se Rusia është agresor i qartë në tensionet me Ukrainën”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas tij, vendimi i Putinit paraqet shkelje të ligjit ndërkombëtar.