Paraja më e rëndësishme se politika: Pse Kina për kohë të gjatë, nuk mund ta ndihmojë Rusinë?

Bota

Paraja më e rëndësishme se politika: Pse Kina për kohë të gjatë, nuk mund ta ndihmojë Rusinë?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 2 mars 2022 Në ora: 21:40
Presidenti kinez dhe ai rus

Deri më tani, Kina ka qenë jashtëzakonisht neutrale në luftën e Ukrainës, por në të njëjtën kohë është blerëse e naftës dhe gazit rus. Por Rusia nuk mund të shpresojë për shpëtimin nga Pekini. Besnikëria kineze ka kufij të ngushtë.

Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi mbi një rezolutë që dënonte pushtimin rus të Ukrainës të shtunën, ajo dështoi, siç pritej, për shkak të së drejtës së vetos së Rusisë. Por vëzhguesit e vlerësuan votimin si një sukses, sepse Kina nuk votoi kundër rezolutës, por abstenoi. Ishte një shenjë e parë që mbështetja e Pekinit për Putinin nuk është aq e fortë, sa mund të kishte menduar presidenti rus.

Politikisht, Kina mund të ketë një interes të veçantë që lufta e Putinit kundër Ukrainës të jetë e suksesshme. Sepse më pas kjo mund t´i shërbente si një plan, për pushtimin e Tajvanit nga Kina. Por Kina nuk duket se po llogarit në këtë. Në deklaratat zyrtare, politikanët e lartë kinezë, dënojnë hapur luftën në Ukrainë. Ndërsa shprehin përbuzjen për NATO-n, por ata theksojnë gjithashtu rëndësinë e integritetit të kufijve ndërkombëtarë.

Ngritja e Kinës varet nga Perëndimi

Ambivalenca në deklarata dhe abstenimi në Këshillin e Sigurimit ka arsye ekonomike. Siç u përmend tashmë, Kina do të kishte avantazhe politike nga një sukses rus, por disavantazhet ekonomike janë më të mëdha. Në 20 vitet e fundit, Kina ka përfituar jashtëzakonisht shumë nga globalizimi i botës. GDP për frymë është rritur nga 318 dollarë në 10,500 dollarë në dy dekada. Sot, Kina është një fuqi ekonomike globale, që së shpejti do të zëvendësojë SHBA-në si ekonomia më e madhe në botë - pa pasur nevojë të përshtatë sistemin e saj politik me demokracitë perëndimore.

Megjithatë, kjo histori suksesi bazohet në tregtinë me fuqitë industriale perëndimore. Kina ia detyron ngritjen e saj faktit që është zhvilluar në një nga bazat e prodhimit të produkteve perëndimore dhe ka uzurpuar tregun botëror me produkte të rëndësishme si tokat e rralla, bateritë, energjia diellore dhe magnezi me çmime dumping.

Por pavarësisht se sa i madh është tregu i brendshëm i Kinës prej 1.4 miliardë banorësh, rritja e Kinës varet ende nga tregtia me Perëndimin. Dhe sado që kinezët të jenë grindur veçanërisht me SHBA-në vitet e fundit, ata nuk do ta rrezikojnë këtë. "Kina ka një interes të formësojë status quo-në ashtu siç dëshiron, por gjithashtu një interes të veçantë për ta ruajtur atë," tha Neil Shearing, kryeekonomist në firmën amerikane të analizës Capital Economics.

Sanksionet ekonomike ende mund të zgjaten

Nga ana tjetër, Rusia po rrezikon me fushatën e saj rendin ekonomik global. Sanksionet kundër vendit janë tashmë të gjera, por ato mund të zgjerohen, për shembull nëse nafta dhe gazi rus bllokohen nga tregu botëror. Irani mund të këndojë një këngë për këtë . Kina mund të mos kujdeset për sanksione të tilla, vendi tashmë nuk po merr pjesë në to dhe madje ka rritur tregtinë e saj me Rusinë pas vitit 2014, kur Evropa dhe SHBA vendosën sanksione për aneksimin e Krimesë.

Por edhe këtu besnikëria e Kinës ka kufijtë e saj. Lufta tregtare me SHBA-në vitet e fundit tashmë e ka dëmtuar vendin. Udhëheqja kineze vështirë se mund dhe vështirë se do të përballojë zemërimin e mëtejshëm, i cili mund të shprehet në tarifa të mëtejshme ndëshkuese, apo edhe me bllokada tregtare kundër Kinës. "Kina dhe Rusia mund të jenë afruar më shumë së bashku, por ato nuk janë ende gati të merren me konfliktet dhe ambiciet gjeopolitike të njëra-tjetrës," thotë Helena Legarda nga Instituti Merics në një podcast.

Ekonomikisht, kjo nuk është as e nevojshme për Kinën. Megjithëse vendi aziatik aktualisht importon sasi të mëdha nafte dhe gazi nga fqinji i tij verior dhe furnizon atje produkte të shumta vendase, veçanërisht elektronikë, por kjo ka të ngjarë të jetë jetëshkurtër. Në fund të fundit, Kina po punon me mega-projektin e saj të "Rrugës së Re të Mëndafshit" për të bërë aleatë shumë vende në zhvillim - gjithashtu për të marrë lëndët e para të tyre. Dhe në terma afatgjatë, këto mund të jenë gjithashtu tregje më të rëndësishme të shitjeve për produktet kineze.

Rusia po e eleminon vetveten

Vlera dhe rëndësia e Rusisë është në rënje. Ndërsa PBB-ja për frymë e Kinës është rritur me një faktor prej 33 që nga viti 1990, ajo e Rusisë nuk është rritur as me një faktor 3. Më e keqja akoma: Së pari, kinezët tani kanë kaluar rusët dhe së dyti, PBB-ja ruse për frymë madje ka rënë. që nga viti 2013. Një krahasim me Gjermaninë tregon se sa larg po ndryshojnë Rusia dhe Kina: Ndërsa Kina gjeneroi vetëm një për qind të PBB-së gjermane për frymë në vitin 1990, sot ajo është tashmë 23 për qind. Në të njëjtën periudhë, Rusia u rrit vetëm nga 16 në 22 për qind.

Kjo pak do të ndryshojë edhe në të ardhmen, sepse modeli i biznesit të Rusisë është i vjetëruar. Ndërsa bota kalon nga karburantet fosile në energjitë e rinovueshme, ku Rusia ende gjeneron pothuajse gjysmën e të ardhurave të saj të qeverisë nga nafta. Kjo vlen edhe për vendet e tjera, mbi të gjitha Arabinë Saudite, por në veçanti shtetet e Gjirit po punojnë pa probleme për të transformuar ekonominë e tyre dhe për t'u bërë më pak të varura nga nafta dhe gazi. “Rusia, nga ana tjetër, me vetëdije po e injoron këtë transformim,” shkruan kompania holandeze e analizave HCSS, “sa kohë popullata ruse do ta tolerojë këtë është e paqartë. Megjithatë, ajo që është e sigurt është se, modeli rus i biznesit nuk ka të ardhme”./ Autori i Fokus, Christoph Sackmann; Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat