OKB kërkon korridore të sigurta për civilët në Ukrainë

Bota

OKB kërkon korridore të sigurta për civilët në Ukrainë

Më: 8 mars 2022 Në ora: 07:18
Lviv, Ukrainë

Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të sigurojnë korridore të sigurta për civilët që ikin nga luftimet dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e armiqësive aktive.

OKB-ja dhe partnerët e saj kanë ofruar ushqime për qindra mijëra njerëz, por situata e sigurisë e ka bërë të vështirë arritjen në zona të caktuara.

Deklarata vjen pasi të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për pengimin e largimit të sigurt të civilëve.

Ambasadori i Ukrainës në OKB ka akuzuar Rusinë për bombardimin e korridoreve humanitare, duke i bllokuar civilët të iknin në Evropë dhe duke parandaluar dërgimin e ndihmave për shpëtim jetësh.

Por, ambasadori i Rusisë në OKB i ka mohuar akuzat, duke pretenduar - pa ndonjë argument – se Ukraina është ajo që po i pengon korridoret e sigurta për civilë.

Griffiths u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se zyra e tij ka dërguar tashmë një ekip në Moskë, me shpresën se do të arrijë te më të rrezikuarit në Ukrainë./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat