(E plotësuar 00:37) - Reagon Zelensky: Ne jemi ngritur në këmbë, le ta fitojmë këtë luftë!
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një videoje të postuar në Facebook ka falënderuar ukrainasit për qëndrueshmërinë e tyre ndaj Rusisë.
Ai tha se me veprimet e tyre i kanë treguar botës së çfarë fuqie kanë.
“Sot të gjithë kanë fituar lavdinë e Ukrainës në vendin e tyre. I treguam botës se kush janë ukrainasit dhe çfarë fuqie kemi ne”, tha Zelensky.
“Ne qëndrojmë në këmbë! Ne po mbahemi! Le të fitojmë!”, u shpreh Zelensky.
Centrali bërthamor i Kharkivit i paprekur nga granatimet
Kreu i një objekti kërkimor bërthamor në Kharkiv që u granatua nga forcat ruse thotë se bërthama e karburantit bërthamor mbetet e paprekur.
Por Mykola Shulga, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Fizikës dhe Teknologjisë në Qendrën Kombëtare të Shkencës në Kharkiv, paralajmëroi se çdo dëmtim i mëtejshëm i shkaktuar në pajisjet në vend mund të përbëjë një rrezik serioz.
“Objekti në gjendje pune nuk paraqet asnjë rrezik”, tha Shulga. “Megjithatë, nëse ka dëmtime fizike, është e mundur një rrjedhje e karburantit bërthamor, elementët radioaktivë (mund të dilnin) jashtë".
"Ky padyshim do të ishte një problem i madh dhe i madh për mjedisin. Me fjalë të tjera, ajo që do të ndodhte do të ishte e krahasueshme me një situatë të ngjashme në çdo central bërthamor," shtoi ai, shkruan BBC, transmeton "Bota sot".
Ndërsa, zonat e brendshme të institutit ishin të padëmtuara, disa nga muret e jashtme të ndërtesës u dëmtuan nga copëzat dhe u hodhën në erë dritaret.
Monitoruesit ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin se pushtimi rus mund të përbëjë një rrezik serioz për stabilitetin e stacioneve bërthamore të Ukrainës.
Zhvillimet kryesore të ditës së sotme nga lufta në Ukrainë
Zhvillimet kryesore të ditës së premte kanë qenë:
-Zona me civilë ishin cak i granatimeve ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Dnipro në orët e para të së premtes dhe gjatë ditës sulmet ruse u shtrinë edhe në qytete të tjera të Ukrainës.
-Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione të reja për Rusinë në kundërshtim të pushtimit të saj të Ukrainës. Këto sanksione synojnë të godasin ekonominë ruse drejtpërsëdrejti.
-BE-ja ndau 500 milionë euro të tjera për ndihmë ushtarake Ukrainës mirëpo nuk i premtoi një anëtarësim të shpejt në BE.
-Presidenti amerikan, Joe Biden tha se Rusia do të “paguaj një çmim të rëndë” nëse përdorë armë kimike në Ukrainë.
-Ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia ka një histori të dokumentuar mirë të përdorimit të armëve kimike dhe nuk përjashtoi planet ruse për përdorim të armëve kimike dhe biologjike në Ukrainë.
-Agjencia e Kombeve të Bashkuara e migracionit tha se më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina deri më 11 mars, që nga nisja e luftës.
-Britania e Madhe vendosi të premten një valë të re sanksionesh ndaj Moskës, duke shënjestruar 386 anëtarë të parlamentit.
-Kremlini tha se konflikti në Ukrainë do të përfundojë kur Perëndimi ta marrë seriozisht Rusinë.
-Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se ka disa "ndryshime pozitive" në bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
-Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut (OHCHR) tha të premten se ka konfirmuar vdekjen e 564 civilëve në Ukrainë që nga 24 shkurti, duke përfshirë 41 fëmijë.
Ukraina thotë se Rusia po shënjestron civilët
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës ka akuzuar forcat ruse për shkelje të armëpushimit dhe për shënjestrimin e njerëzve që po evakuohen nga qytetet që janë duke u bombarduar.
Iryna Vereshchuk komentet i bëri në një adresim përmes videos të postuar të premten.
Ajo tha se bombardimet kishin penguar evakuimet nga qyteti Mariupol.
Atje një maternitet u bombardua këtë javë si dhe nga kryeqyteti ukrainas, Kiev.
Bombardime të shumta në Mykolaiv
Granatime të rënda ruse u raportuan sonte në qytetin e Mykolaiv në jug të Ukrainës.
Më shumë raporte po vijnë në mediat sociale që sugjerojnë bombardime shumë të rënda në Mykolayiv, shkruan theguardian.
Pamjet:
Heavy Russian shelling reported tonight in the city of Mykolaiv in southern Ukraine. pic.twitter.com/3l6sa2GJRl
— Kyle Glen (@KyleJGlen) March 11, 2022
Biden: Nuk dërgojmë trupa amerikane në Ukrainë
Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten, më 11 mars, se SHBA-ja nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.
“Dua të jem i qartë: ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s me fuqinë e plotë të një NATO-je të bashkuar dhe të fuqishme”, shkroi presidenti Biden në Twitter.
"Por ne nuk do të bëjmë një luftë kundër Rusisë në Ukrainë. Një konfrontim i drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë është Lufta e Tretë Botërore", shkroi presidenti amerikan.
DASH paralajmëron qytetarët amerikanë që shkojnë në Ukrainë
Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët që udhëtojnë në Ukrainë – përfshirë ata që do të marrin pjesë në luftime se përballen me një rrezik shumë real të kapjes apo vdekjes.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i departamentit të shtetit Ned Price tha se Uashingtoni nuk do të jetë në gjendje të lehtësojë evakuimin e tyre.
"Ata mund të jenë subjekt i përpjekjeve të mundshme për ndjekje penale dhe mund të jenë në rrezik të shtuar për keqtrajtim", u tha Price gazetarëve.
Mijëra persona nga mbarë bota po raportohet se kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar forcat ruse.
Marrëveshja e diktatorëve, Rusia do të furnizojë Bjellorusinë me armë moderne
Moska do të furnizojë fqinjin e saj me pajisjet ushtarake më moderne, shkruan Skynews. Njoftimi vjen pas takimit midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko në Kremlin.
Të dy liderët ranë dakord për mbështetjen e ndërsjellë pas sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithatë, nuk u dhanë detaje të mëtejshme.
Ekziston frika se Bjellorusia mund t’i bashkohet pushtimit.
Më herët, Qendra e Ukrainës për Komunikime Strategjike tha se nuk mund të përjashtonte mundësinë që Bjellorusia të nisë një pushtim të Ukrainës këtë mbrëmje.
Kremlini: Lufta ndalet kur Perëndimi e merr seriozisht Rusinë
Kremlini ka deklaruar se lufta në Ukrainë do të përfundojë atëherë kur Rusia të merret seriozisht nga Perëndimi.
Sekretari i Shtypit në Presidencën ruse, Dimitri Peskov ka thënë se lufta do të përfundojë kur Perëndimi të veprojë mbi shqetësimet e shprehura të Rusisë, që lidhen me vrasjen e civilëve në Ukrainën lindore dhe ekspansionin e NATO-s në Lindje.
Kur është pyetur nga gazetarët lidhur me luftën, Peskov ka deklaruar se Rusia beson që Ukraina është duke i diskutuar kërkesat e Moskës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë.
“Rusia ka formuluar kërkesa specifike për Ukrainën, lidhur me zgjidhjen e këtyre çështjeve. Me sa kuptojmë ne, ukrainasit janë duke i diskutuar këto kërkesa me këshilltarët e tyre, që në rend të parë është SHBA dhe shtetet e BE-së”, është përgjigjur Peskov.
BE-ja prezanton pakon e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian (BE) do të pezullojë trajtimin e privilegjuar tregtar dhe ekonomik të Moskës, do të frenojë përdorimin e saj të kriptovalutave dhe do të ndalojë eksportin e mallrave luksoze evropiane në Rusi dhe importin e produkteve të hekurit dhe çelikut nga ky vend, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Masat e reja do të futen si paketa e katërt e sanksioneve për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe veprimet do të koordinohen me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Grupit të Shtatë (G7).
Von der Leyen tha se BE-ja do të prezantojë një paketë të katërt masash, të shtunën, më 12 mars, për të izoluar edhe më tej Rusinë dhe për të shkurtuar burimet që Moska sipas saj po përdorte për të financuar luftën në Ukrainë.
Ajo theksoi se të drejtat e Rusisë për të drejtuar institucionet shumëpalëshe, si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore, do të pezullohen.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
BE-ja, së bashku me aleatët e tjerë perëndimorë si Shtetet e Bashkuara, do të shfuqizojnë statusin tregtar më të favorshëm të Rusisë, duke i hapur rrugën ndalimeve dhe vendosjes së tarifave ndëshkuese ndaj mallrave ruse, duke e vendosur Rusinë në të njëjtin status si Koreja e Veriut apo Irani.
Hapi i parë është ndalimi i importit të produkteve të hekurit dhe çelikut.
Bashkimi Evropian do të ndalojë veçanërisht eksportin e mallrave luksoze evropiane në Rusi, dhe përmes këtij vendimi, BE-ja synon t'i godasë elitat ruse.
Përveç kësaj, BE-ja do të ndalojë investimet evropiane në sektorin energjetik rus.
“Ndalimi do të përfshijë të gjitha investimet, transferimet e teknologjisë, shërbimet financiare, për shembull për kërkimin dhe prodhimin e energjisë, dhe kështu do të ketë një ndikim të madh në [presidentin rus Vladimir] Putin”, shtoi Von der Leyen.
Sipas Byrosë Evropiane të Statistikave (Eurostat), vlera e mallrave të importuara në BE nga Rusia në vitin 2019 arriti në vlerën prej 145 miliardë eurosh, nga të cilat 101 miliardë euro janë shpenzuar për naftë dhe gaz.
“Putin i paaftë për të mposhtur ushtrinë ukrainase"
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, thotë se 1,582 civilë kanë vdekur në "Mariupolin e rrethuar" në 12 ditë.
Në një postim në Twitter, ai e përshkruan atë si "katastrofën më të keqe humanitare në planet", shkruan Sky News, përcjell "Bota sot".
Ai shton: “I paaftë për të mposhtur ushtrinë ukrainase, Putini bombardon të paarmatosurit, bllokon ndihmën humanitare. Ne kemi nevojë për avionë për të ndaluar krimet ruse të luftës!"
Kievi ka bërë disa kërkesa për një zonë ndalim-fluturimi. Ato janë refuzuar sepse vendet perëndimore hezitojnë të hyjnë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, e cila ka armë bërthamore.
Mariupol tani është plotësisht i rrethuar, tha ministria ruse e mbrojtjes, sipas agjencisë së lajmeve Tass.
Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë për pengimin e qëllimshëm të civilëve që të dalin jashtë dhe ndalon hyrjen e autokolonave humanitare.
Putin dërgon në arrest shtëpiak kreun e degës së inteligjencës së jashtme të FSB-së
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka vendosur në arrest shtëpiak kreun e shërbimit të jashtëm të FSB-së dhe zëvendësin e tij, pasi ai është i zemëruar me shërbimet e intelegjencës që nuk e paralajmëruan se Ukraina mund t'i rezistonte ashpër pushtimit.
Gjeneral koloneli Sergey Orestovich Beseda, është një politikan dhe agjent qeveritar rus, i cili është kreu i Shërbimit të 5-të (Shërbimi i Informacionit Operativ dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare) të Shërbimit Federal të Sigurisë, që nga viti 2009.
Putin i ka fajësuar Beseda dhe zëdhënësin e tij, Anatoly Bolyukh, i cili po ashtu është arrestuar, për dështime të inteligjencës që quan në një seri humbjesh të turpshme në Ukrainë.
Andrey Soldatov, një autor i shërbimeve sekrete ruse, tha se burime brenda FSB-së i thanë se Sergey Beseda, 68 vjeç, kreu i shërbimit të jashtëm të agjencisë, është arrestuar me urdhër të Putinit.
Putini thuhet se fajëson agjencinë për inteligjencën, e cila e siguroi atë përpara pushtimit se forcat ruse do të përballeshin vetëm me rezistencën simbolike nga ushtria ukrainase dhe se vetë ukrainasit ishin të etur për t'u hequr qafe udhëheqësit e tyre.
Ndër arsyet janë edhe informacionet qëllimisht të rreme për situatën politike në Ukrainë.
Shërbimi i sigurisë FSB dyshohet sugjeroi se Ukraina ishte e dobët, e mbushur me grupe neo-naziste dhe do të dorëzohej lehtësisht nëse sulmohej.
Në fakt, forcat e armatosura ruse janë përballur me rezistencë të ashpër nga ushtarët ukrainas që i kanë luftuar ata deri në ndalesë, kanë shkaktuar humbje të mëdha dhe i kanë detyruar komandantët e Putinit të përdorin një luftë brutale rrethimi që deri më tani ka dhënë pak rezultate.
Cilat janë armët biologjike?
Armët biologjike janë të ndryshme nga armët kimike. Është një frazë e përdorur për të përshkruar armatimin e një patogjeni të rrezikshëm si Ebola.
Rusia ka akuzuar Ukrainën se punon me SHBA-në për armët biologjike. Një nga arsyet është se Ukraina, si shumë vende në botë, ka punuar në kërkime mbi Covid-in dhe patogjenë të tjerë dhe ka kërkuar mënyra për të mbrojtur popullsinë kundër tyre.
Ukraina ka mohuar çdo akuzë se po punon për armët biologjike.
Problemi është se ekziston një zonë potencialisht gri midis punës për mënyrat për të mbrojtur popullsinë tuaj nga patogjenët e dëmshëm dhe punës së fshehtë se si ato mund të përdoren si armë. Rusia nuk dha asnjë provë të menjëhershme të keqbërjeve të Ukrainës në këtë fushë.
Rusia, kur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, kontrollonte një program vërtet masiv të armëve biologjike, të drejtuar nga një agjenci e quajtur Biopreparat. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shkencëtarët hynë për ta çmontuar atë në vitet 1990. Ata zbuluan se sovjetikët kishin prodhuar dhe armatosur në masë antraksin, linë e vogël dhe sëmundje të tjera pasi i kishin testuar te majmunët e gjallë në Rusinë jugore. Ata madje ngarkuan spore antraksi në kokat e raketave ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi që synonin qytetet perëndimore.
***
Reagon Ukraina pas rrëmbimit të kryebashkiuakut të Melitopolit
Ukraina akuzoi Rusinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar sot duke rrëmbyer kryetarin e Melitopolit, një qytet ukrainas që ra nën kontrollin e Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës, raporton Reuters.
Zyrtarët ukrainas thanë se kryebashkiaku i Melitopolit, Ivan Fedorov u rrëmbye pasi u akuzua në mënyrë të rreme për terrorizëm.
“Rrëmbimi i kryebashkiakut të Melitopolit është klasifikuar si krim lufte sipas Konventave të Gjenevës dhe Protokollit Shtesë, të cilat ndalojnë marrjen e pengjeve civile gjatë luftës”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë.
Rusia nuk ka komentuar për fatin e Fedorov.
Paralajmërohet pezullimi i Rusisë në FMN dhe Bankë Botërore
Bashkimi Evropian do të vendosë një pako të re të sanksioneve ndaj Rusisë si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.
Të shtunën, blloku "do të vendosë një pako të katërt masash për të izoluar më tej Rusinë dhe për të shteruar burimet që përdor për të financuar këtë luftë barbare", tha në një deklaratë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Kompanitë ruse nuk do të gëzojnë privilegje në ekonominë evropiane tha ajo.
Si e godasin Rusinë këto sanksione sipas Von der Leyen?
Masë tjetër do të jetë angazhimi për pezullim të Rusisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar si dhe në Bankën Botërore.
“Do të sigurohemi që Rusia të mos mund të marrë asnjë financim, kredi apo përfitime tjera nga këto institucionet”, tha Von der Leyen.
Gazetari i REL-it plagoset nga sulmi rus
Gazetari i Shërbimit Ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, ka pësuar tronditje në kokë dhe humbje të dëgjimit gjatë një sulmi rus, në orët e hershme të mëngjesit të 11 marsit. Teksa gjaku i rridhte nga koka, ai ka xhiruar menjëherë një video të shkurtër, duke thënë: “Nuk e di se ku jam saktësisht. Kështu duket gjendja afër Kievit. Ne do të përpiqemi të ikim nga këtu”. Kushnir planifikon të kthehet në terren për të raportuar për luftën, sa më parë që të mundet.
Çfarë janë armët kimike?
Këtu është një shpjegim i thjeshtë se çfarë janë armët kimike të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të Evropës kanë frikë se Rusia mund t’i përdorë në Ukrainë.
Armët kimike janë çdo lloj municioni që bart në vete toksina ose substanca kimike që sulmojnë sistemin e trupit të njeriut.
Ekzistojnë këto kategori të ndryshme të armëve kimike:
Ekzistojnë agjentët mbytës si ‘Fosgeni’ që është gaz pa ngjyrë shumë helmues i cili është përdorur gjatë Luftës së parë Botërore. Sulmon mushkëritë dhe sistemin e frymëmarrjes
Ekzistojnë po ashtu agjentët flluskë si gazi mustardë që djeg lëkurën dhe verbon njerëzit
Janë të njohur edhe agjentët nervorë të cilët ndërhyjnë në komunikimin e trurit me muskujt e trupit. Një pikë e vogël e tyre mund të jetë fatale.
Të gjithë këta të ashtuquajtur agjentë kimikë mund të përdoren dhe shpërndahen përmes predhave, bombave dhe raketave. Por siç dihet botërisht, që të gjithë janë rreptësishtë të ndaluar të përdoren në luftëra përmes Konventës së Armëve Kimike.
Biden tregon nëse do të ndodhë Lufta e Tretë Botërore
Presidenti i SHBA Joe Biden përsëriti edhe një herë se SHBA nuk do të dërgojë trupa ushtarakë në Ukrainë.
“Ne nuk do të provokojmë luftën e tretë botërore në Ukrainë,” tha Biden pasi përsëriti mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për aleatët e saj në NATO dhe premtoi se SHBA do të mbrojë “çdo pëllëmbë” të territorit të NATO-s, shkruan CNN.
“Dua të jem i qartë megjithatë, ne do të sigurohemi që Ukraina të ketë armë për të mbrojtur veten. Ne do të dërgojmë para dhe ndihma ushqimore për të shpëtuar jetët e ukrainasve. Do të mirëpresim refugjatët ukrainas me krahë hapur nëse vijnë deri këtu”.
Biden falënderoi gjithashtu anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve për mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës, duke vënë në dukje se ai foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky sot për rreth një orë.
Biden shtoi se ai komunikon me presidentin ukrainas “pothuajse çdo ditë”.
Biden theksoi gjithashtu rëndësinë që SHBA dhe aleatët e saj të veprojnë së bashku në çdo lëvizje për të kundërshtuar Kremlinin.
“Ju pret dënimi me vdekje”, pamjet kur ukrainasit e zemëruar i “çojnë në ajër” ushtarët e Putinit
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka publikuar pamje se si ka granatuar tanket ruse.
Pamjet e shfaqura në Facebook e tyre në Facebook, tregojnë momentin kur ukrainasit godasin tanket e rusëve në qytetin e Mariupolit, përcjell Bota sot.
Aty thuhet se rusët asgjë nuk do t'i shpëtojë na "syri dhe zemërimi" i ukrainasve.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, rusët kanë nënshkruar "dënimin me vdekje, duke shkelur tokën ukrainase".
"Nuk ka nevojë të ikësh nga antitankistët ukrainas, duke mbuluar këndet e lojërave dhe ndërtesat e banimit. Rusë, mbajeni mend! Asgjë nuk do t'ju shpëtojë nga syri dhe zemërimi i luftëtarëve tanë. Duke shkelur tokën ukrainase, ju nënshkruat një dënim me vdekje. Shkatërrimi do të jetë i shpejtë, i pakthyeshëm dhe i saktë - garantojnë mbrojtësit e Mariupolit", shkruhet në postim.
Rusia bombardon aeroportin
Rusia ka zgjeruar ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë të premten, duke goditur për herë të parë në afërsi të aeroporteve në perëndim të vendit, shkruan The Guardian.
Videot që qarkullonin në internet tregojnë momentin e sulmit në një aeroport ushtrarak në Lutsk, që u pasia nga shpërthime të mëdha.
Sot konflikti Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e 16-të të luftimeve, ndërsa bota vazhdon përpjekjet e saj për të zgjidhur krizën në Ukrainë.
Këshilli i BE-së vazhdoi diskutimet këtë mëngjes në Versajë për Ukrainën, ndërsa nënpresidentja e SHBA Kamala Harris vazhdon turneun e saj në Evropë dhe niset për në Rumani.
Ministri i Bujqësisë i G7 do të takohet për të provuar dhe për të gjetur se si të stabilizohen çmimet e ushqimeve.
Brenda Rusisë, Duma (parlamenti rus) mblidhet edhe një herë për të shqyrtuar masat për të stabilizuar ekonominë e saj pas sanksioneve të rënda dhe Vladimir Putin do të presë homologun e tij bjellorus në Kremlin, përpara se të telefonojë liderin finlandez.
“Tragjedi e paimagjinueshme”/ Rrethohen qindra qytetarë ukrainas - vjen paralajmërimi
Situata në qytetin e rrethuar të Ukrainës, Mariupol, është "shqetësuese" dhe po shkon drejt një "tragjedie të paimagjinueshme" nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme, kanë paralajmëruar nga Médecins Sans Frontières.
Stephen Cornish, kreu i zyrës zvicerane të MSF, njëherësh një nga ata që drejton operacionin e bamirësisë mjekësore në Ukrainë, i tha AFP: “Qindra mijëra njerëz janë të rrethuar. Rrethimet janë një praktikë mesjetare që janë nxjerrë jashtë ligjit nga rregullat moderne të luftës”,shkruan The Guardian, përcjell “Bota sot”.
Cornish theksoi se sipas ligjit ndërkombëtar, "civilët duhet të mbrohen, ata duhet të jenë në gjendje të kenë nevojat e tyre bazë, ushqim, ujë, ilaçe dhe sigurisht të mbahen jashtë konfliktit".
Siç mund ta shohim, jo vetëm në Mariupol, por edhe raportet që vijnë nga Kharkiv, Dnipro dhe zona të tjera, tregojnë se nuk po kursehen as civilët.
"Ne me të vërtetë po shkojmë drejt një tragjedie të paimagjinueshme,"paralajmëroi ai, duke këmbëngulur se "ka ende kohë për ta shmangur atë”.
Vjen paralajmërimi nga Forcat e Armatosura të Ukrainës: Rusia mund t’i intensifikojë sulmet me raketa
Forcat e Armatosura të Ukrainës thonë se ekziston një probabilitet i lartë që Rusia t’i rrisë sulmet e saj me raketa dhe artileri kundër infrastrukturës civile.
Kështu shkruan The Kyiv Independent.
“Forcat e Armatosura: Rusia mund të intensifikojë sulmet me raketa, granatimet.
Forcat e Armatosura të Ukrainës bënë një deklaratë duke thënë se ekziston një probabilitet i lartë që Rusia të rrisë sulmet e saj me raketa dhe artileri kundër infrastrukturës civile”, thuhet në shkrimin e tyre.
⚡️ Armed Forces: Russia may intensify missile strikes, shelling.
— The Kyiv Independent (@KyivIndependent) March 11, 2022
Ukraine’s Armed Forces made a statement saying that there is a high probability that Russia will increase its rocket and artillery attacks against civilian infrastructure.
Lufta Rusi-Ukrainë/ Kina bën thirrje për shkatërrimin e armëve kimike
Përfaqësuesi i Kinës në OKB, Zhang Jun i ka përshkruar bisedimet e shumta të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës si “hapa pozitivë drejt arritjes së paqes”.
Ai thotë se Kina do të “luaj rolin e saj në de-përshkallëzimin e situatës”.
Zhang Jun gjithashtu shtoi se Kina i kushton “rëndësi të madhe bio-sigurisë dhe sigurisë” dhe “kundërshton me vendosmëri zhvillimin, posedimin dhe përdorimin e armëve biologjike dhe kimike nga çdo vend”.
Ai thotë se do të inkurajonte çdo vend që nuk i ka shkatërruar ende rezervat e tyre të armëve kimike për ta bërë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, shkruan BBC.
Zhang Jun thotë se Kina ka “vënë në dukje me shqetësim informacionin përkatës të lëshuar nga Rusia” dhe beson se ato duhet “të trajtohen siç duhet”.
Dalin prova të reja/ Edhe një qytet ukrainas bie në ‘duart’ e forcave ruse
Ka prova të shumta se qyteti i Volnovakha në Ukrainën lindore ka rënë në duart e forcave ruse dhe aleatëve të tyre në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut.
Qyteti ishte i rrethuar pothuajse që nga fillimi i pushtimit rus, por ishte mbrojtur ashpër nga forcat ukrainase.
Zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov, tha se një "grup i trupave të Republikës Popullore të Donetsk çliroi qytetin e Volnovakha" dhe disa vendbanime përreth, shkruan Sky News, përcjell “Bota sot”
Konashenkov tha se milicia kishte përparuar rreth gjashtë kilometra (rreth 3.7 milje) dhe vazhdoi të shtrëngonte rrethimin e qytetit të rrethuar të Mariupolit.
Më herët të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Volnovakha mbeti plotësisht e bllokuar për autokolonat e ndihmave humanitare, por autoritetet ukrainase nuk e kanë pranuar që qyteti ka rënë nën kontrollin rus.
Ukraina: Bjellorusia mund të na sulmojë sonte
Kievi zyrtar ka bërë me dije se mbrëmjen e sotme, në orën 20:00 me orën shqiptare, Bjellorusia mund t’i sulmojë.
“Sipas të dhënave paraprake, trupat bjelloruse mund të nisin pushtimin në 11 mars, ora 21:00. Ky sulm do të jetë përgjigjja e Minskut ndaj sulmit ajror të nisur nga Ukraina, sulm ky i planifikuar nga Rusia”, thotë qendra ukrainase për sigurinë.
Menjëherë pas kësaj, Ministria bjelloruse e Mbrojtjes e ka përgënjeshtruar këtë sulm me një komunikatë zyrtare.
Biden: Rusia do të paguajë çmim të rëndë po përdori armë kimike
Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të premten, më 11 mars se Rusia do të paguajë një çmim të rëndë nëse përdor armë kimike në Ukrainë.
“Rusia do të paguajë një çmim të rëndë nëse përdorë armë kimike", tha Biden.
SHBA: Është Rusia, jo Ukraina, vendi që ka programin e armëve biologjike
Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield ka thënë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së Ukraina nuk ka program të armëve biologjike, siç pretendon Rusia.
“Nuk ka laboratorë ukrainas të armëve biologjike të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. As afër kufirit të Rusisë, askund”.
Thomas-Greenfield tha se Ukraina operon laboratorët e saj të shëndetit publik për të zbuluar dhe diagnostikuar sëmundje si Covid-19, duke shtuar se SHBA-ja e ka ndihmuar Ukrainën “për ta bërë këtë në mënyrë të sigurt “.
Ajo thotë se puna është bërë në mënyrë transparente: “Është Rusia ajo që ka mbajtur prej kohësh një program të armëve biologjike në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.
Ambasadori rus: Kemi gjetur prova të pastrimit të armëve biologjike në Ukrainë
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya ka pohuar se forcat e Moskës kanë gjetur prova të një përpjekjeje për të pastruar provat e armëve biologjike në Ukrainë.
Duke folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbledhur me kërkesë të Rusisë, Nebenzya pohoi se forcat ruse kishin gjetur prova të një rrjeti prej “të paktën 30” laboratorësh të kërkimit biologjik që synonin forcimin e disa “sëmundjeve vdekjeprurëse”.
Ai tha se “eksperimente biologjike shumë të rrezikshme” ishin kryer në vendet në koordinim me SHBA, shkruan BBC.
Nebenzya nuk dha asnjë provë për pretendimet e tij dhe shefi i çarmatimit të OKB-së, Izumi Nakamitsu, ka thënë se nuk është në dijeni të ndonjë programi të armëve biologjike në Ukrainë.
Ndërkohë, SHBA-ja i ka quajtur pretendime të tilla nga Rusia “qesharake” dhe paralajmëron se Rusia mund t’i përdorë ato për të justifikuar përdorimin e saj të mundshëm të armëve të ngjashme kundër Ukrainës.
Gazetari i Radios Evropa e Lirë plagoset në afërsi të Kievit
Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Marian Kushnir, pësoi një tronditje nga një sulm rus mbi forcat ukrainase.
Sulmin ndodhi pranë Kievit në orët e hershme të mëngjesit të 11 marsit.
Kushnir, i cili po monitoronte një njësi të ushtrisë ukrainase, raportoi se sulmi ndodhi rreth orës tre të mëngjesit në qytetin Baryshivka.
Ky qytet ndodhet rreth 35 kilometra në lindje të Kievit.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/11/auto_hhghg1647019209.jpg)
Zhvillime të papritura/ Pas Rusisë, ky shtet pritet ta sulmojë Ukrainën sonte në orën 21:00
Sipas zyrtarëve të ushtrisë dhe qeverisë ukrainase, Bjellorusia po përgatitet të nisë një sulm kundër Ukrainës sot në orën 21:00, shkruan Ukrainska Pravda.
Deklarata: “Sipas të dhënave paraprake, trupat bjelloruse mund të mobilizohen në pushtim në orën 21:00 të datës 11 mars.”
Detaje : Sipas inteligjencës ukrainase, presidenti i vetëshpallur i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko dhe presidenti rus Vladimir Putin bënë secili një telefonatë ndërsa Lukashenko ishte në Moskë.
Bjellorusia ka shërbyer si një stacion për trupat, raketat dhe avionët rusë gjatë gjithë luftës.
Megjithatë, forcat bjelloruse nuk kanë pasur ndonjë përfshirje të drejtpërdrejtë deri më tani.
‘Sinjal i keq’/ Me këtë lëvizje Rusia paralajmëron sulm të ri - bombardimi i Kiveit më afër se kurrë!
Kolona prej dhjetëra kilometrash që qëndroi në vend për ditë të tëra në rrugën për në Kiev është ripozicionuar në pyje: sipas analistëve, artileritë janë ngritur në pozicion qitjeje.
Për ditë të tëra, kolona mbeti e palëvizur përgjatë rrugës. Kilometra dhe kilometra të pushtuara nga automjetet ushtarake ruse: një kolonë që shfaqet si një kërcënim mbi kryeqytetin ukrainas.
Sot, fotot e reja satelitore duket se tregojnë që ajo kolonë e ushtrisë ruse është shpërndarë kryesisht, duke u përhapur në pyjet dhe qytetet pranë Kievit dhe duke formuar grupime të reja në veriperëndim të qytetit.
Sipas ekspertëve ushtarakë nga Associated Press, ky është “një sinjal i keq”: kolona – konfirmoi Britania e Madhe – po pozicionohet për një sulm që mund të nisë në ditët në vijim. Njësitë e blinduara u panë në qytete pranë aeroportit Antonov në veri të qytetit dhe automjete të tjera u zhvendosën në pyjet aty pranë, në pozicion për të hapur zjarr.
Pra, mjetet e gjurmuara po ripozicionohen me artileri vetëlëvizëse dhe mortaja: kjo do të thotë se plani rus po vazhdon, ngadalë por me siguri – Kharkivi është i rrethuar, Dnipro është nën rrethim, po lëvizet drejt Perëndimit.
Bombardimi i Kievit bëhet gjithnjë e më real, gjithnjë e më i mundshëm: Putini nuk do të ketë mëshirë për këtë qytet.
Kolona ruse u grumbullua jashtë qytetit në fillim të javës së kaluar, por përparimi i saj dukej se ngeci, kur u përhapën lajme për mungesat e ushqimit dhe karburantit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Londrës, “forcat tokësore ruse vazhdojnë të përparojnë ngadalë për shkak të problemeve të vazhdueshme logjistike dhe rezistencës së ashpër të Ukrainës”.
Amerikanët flasin për 2 javë për përfundimin e rrethimit dhe mbi gjashtë javë për të marrë qytetin. Zyrtarët amerikanë thanë se trupat ukrainase shënjestruan gjithashtu kolonën me raketa antitank.
Dje, burime amerikane konfirmuan rrethimin progresiv të kryeqytetit: ushtria e Moskës ka përparuar rreth 5 kilometra në 24 orët e fundit dhe disa elementë tani janë 15 kilometra larg qytetit.
Kësaj situate i shtohen zërat, shumë shqetësuese, për armët kimike: Moska akuzon Kievin se i ka ndërtuar ato dhe se ka patur mbështetjen e Perëndimit; Shtetet e Bashkuara, të cilat pretendojnë se këto akuza nuk shërbejnë veçse për të përgatitur terrenin për sulmet ruse me këtë lloj armatimi, siç ndodhi në Siri – pikërisht me bekimin e Moskës.
“Kievi si një kështjellë, njerëz të pabesueshëm”, ukrainasi tregon çka po ndodhë në kryeqytet
Një ukrainas që jeton në Kiev ka thënë se ai "po lutet për më të mirën, por po përgatitet për më të keqen", pasi Ministria e Mbrojtjes paralajmëroi se Rusia po kërkonte "të rivendoste" forcat e saj për "aktivitet të rinovuar sulmues", duke përfshirë operacione kundër kryeqytetit, përcjell Bota sot.
Mykhailo, 35-vjeçar, i cili nuk pranoi të tregonte mbiemrin e tij, tha për agjencinë e lajmeve PA: "Kiev duket si një kështjellë. Njerëz të pabesueshëm, gjithçka është edhe më surreale. E vetmja gjë që më mungon tani është pijetororja ime e së premtes në mbrëmje me miqtë e mi dhe birrat..."
Ai shtoi se "askush nuk do të dorëzohet".
“Nëse ata (Rusia) vazhdojnë, do të jetë njësoj si Lufta e Vietnamit për SHBA-në ose Afganistani për BRSS.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/11/auto_lcimg-1ca69640-4867-4ea0-be03-8dd4a311e1481647016980.jpg)
"Unë i kam forcuar dritaret e mia me shirit ngjitës dhe karton, kam lëvizur dyshekun afër daljes. Unë kam bërë çmos për të qenë i sigurt".
I pyetur për disponueshmërinë e ushqimit dhe ujit, ai tha se Kievi "kryesisht nuk ka mungesë, por pak më pak zgjedhje jamoni dhe parmixhani".
Pamje që të thyejnë shpirtin: Babë e bir i thonë lamtumirë familjes dhe fëmijëve
Sky News ka publikuar pamje prekëse të familjeve që po ndahen nga dhuna e vazhdueshme e Rusisë në Ukrainë.
Imazhet e fundit tregojnë Volodymyrin, 61 vjeçar dhe djalin e tij Yaroslav, 23 vjeçar, përcjell Bota sot.
Ata janë fotografuar derisa shikojnë nisjen e një treni evakuimi që transportonte të afërmit e tyre, nënën, gruan dhe tre fëmijët për në Lviv në stacionin qendror të trenit në Kiev.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/11/auto_lcimg-f7f21bda-5f8c-4b26-b46b-a1b9cee77ef81647016977.jpg)
Luftimet në qytetet e Ukrainës po vazhdojnë ende.
Sipas zyrtarëve amerikanë, ushtria ruse tani i është afruar kryqytetit, Kievit, vetëm 15 kilometra larg.
I vendosën qese në kokë, rusët rrëmbejnë kryetarin e qytetit ukrainas
Forcat ruse kanë rrëmbyer kryetarin e Melitopolit, ndërsa ky i fundit ndodhej në qendër të qytetit duke shpërndarë ndihma për banorët.
Lajmi është konfirmuar nga këshilltari i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Gershchenko.
Ai njoftoi përmes kanalit të tij në Telegram se Ivan Fedorov është rrëmbyer në qendër të qytetit teksa po shpërndante ndihma humanitare për popullin e tij.
Ai tha se kryetari u rrëmbye nga një grup prej dhjetë rusë të cilët i vendosën një qese plastike në kokë.
Sanksioni i fundit: SHBA-ja ndalon eksportin e mallrave luksoze në Rusi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden gjatë një konference nga Shtëpia e Bardhë në Uashington përmendi ndalimin e eksportit të mallrave luksoze.
Sipas zyrtarëve amerikanë, këtu mes tjerash, SHBA-ja do të ndalojë eksportin e mallrave luksoze në Rusi që përfshinë artikuj si duhan, veshje, bizhuteri, makina dhe antike.
Qëllimi i këtyre masave sipas zyrtarëve amerikanë është që vazhdohet me dëmtimin e oligarkëve rusë duke i privuar ata nga komoditeti pasi SHBA-ja vazhdon përpjekjet e saj për ushtrim të presionit rreth atyre që janë afër presidentit rus, Vladimir Putin.
***
Biden paralajmëron sanksione të forta ndaj oligarkëve që mbështesin Putinin
Presidenti i SHBA Joe Biden paralajmëroi se G7 do të shtojë sanksione edhe më të forta ndaj oligarkëve rusë dhe familjeve të tyre ndërsa pushtimi i Ukrainës vazhdon.
“G7 gjithashtu rrit presionin ndaj miliarderëve të korruptuar rusë. Ne po shtojmë emra të rinj në listën e oligarkëve dhe familjeve të tyre që po synojmë dhe po rrisim koordinimin midis vendeve të G7 për të synuar dhe kapur pasuritë e tyre”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas tij këta oligarkë që me paratë e korrupsionit dhe të vjedhura po mbështesin Putinin në luftën ndaj popullit të Ukrainës.
“Ata mbështesin Putinin. Ata vjedhin nga populli rus dhe kërkojnë të fshehin paratë e tyre në vendet tona. Ata janë pjesë e asaj kleptokracie që ekziston në Moskë dhe ata duhet të ndajnë dhimbjen e këtyre sanksioneve,” tha ai.
Biden tha se importet ruse të produkteve të detit, vodkës dhe diamanteve do të ndalohen.
“Ndërsa ne do të ndjekim super-jahtet e tyre dhe shtëpitë e tyre të pushimit, dhe me vlerë qindra miliona dollarë, ne gjithashtu do t’ua bëjmë më të vështirë blerjen e produkteve të nivelit të lartë të prodhuara në vendin tonë, duke ndaluar eksportin e mallra luksi në Rusi. Ato janë gjithashtu hapat e fundit që ne po ndërmarrim, por nuk janë hapat e fundit që do të bëjmë,” vazhdoi ai.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/11/auto_a31647015042.jpg)
Harris: Putin s’është i interesuar për “diplomaci serioze”
Zëvendëspresidentja e ShBA-së, Kamala Harris, ka thënë se presidenti rus nuk është i interesuar në “diplomaci serioze”.
Duke folur në Rumani, Harris ka thënë se shteti i saj është i përkushtuar që të gjejë një zgjidhje diplomatike. Por, ajo nuk dukej shumë optimiste se edhe Moska aktualisht po kërkon një zgjidhje të tillë.
“Që nga fillimi, ShBA-ja është përpjekur sinqerisht që të angazhohet në diplomaci. Nga gjithçka që dimë dhe kemi parë, Putini nuk tregon asnjë shenjë të përfshirjes në diplomaci serioze”, tha ajo.
E dyta e ShBA-së ka thënë se Rusia po përfshihej në “gënjeshtra dhe dezinformata”, një libër lojërash që ajo deklaron se ShBA-ja e kishte identifikuar prej kohësh.
Ajo tha se ndërsa përpjekjet për diplomaci vazhdojnë, Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.
“Ne mendojmë se diplomacia është mënyra për të zgjidhur këto çështje”, tha ajo, duke shtuar se duhet “të bashkëjetojmë me angazhimin tonë për të siguruar që aleancat tona të jenë të forta dhe se duhet të ketë pasoja serioze dhe përgjegjësi për atë që po bën Rusia”.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/11/auto_ggf1647015016.jpg)
ShBA ndalon importimin e vodkës dhe kaviarit nga Rusia
ShBA-ja do të ndalojë importin e alkoolit dhe ushqimeve të detit, siç janë vodka dhe kaviar, nga Rusia.
Kështu ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN-in.
Presidenti amerikan, Joe Biden, nga Shtëpia e Bardhë ka bërë thirrje për revokimin e statusit si “kombi më i favorizuar” për Rusinë e që njihet si marrëdhënie normale tregtare e përhershme në ShBA.
Masa, e cila është koordinuar me G7-tën dhe aleatët e BE-së, do të kërkojë miratim të Kongresit.
Kryeministri i Ukrainës: Rreth 215 mijë qytetarë janë kthyer për të luftuar
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka thënë se rreth 215 mijë ukrainas janë kthyer nga jashtë për ta mbrojtur vendin e tyre nga pushtimi rus.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/11/auto_t31647015014.jpg)
Ai, në një forum diplomacie në Turqi tha se të gjithë ukrainasit u ngritën për ta mbrojtur vendin e tyre.
“Tani çdo qytet, i madh e i vogël, është bërë një fortesë nga ku mund të luftohen pushtuesit”, ka thënë Shmyhal.
Kujtojmë se liderët të ndryshëm botërorë,duke përfshirë presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, po marrin pjesë në forumin e diplomacisë që po mbahet në një vendpushim pranë qytetit bregdetar turk në Mesdhe, Antalia.
Ukraina akuzon rusët për bombardime në Bjellorusi
Zyrtarët ukrainas kanë akuzuar Rusinë për bombardimin e vendbanimeve bjelloruse nga hapësira ajrore e Kievit këtë të premte.
Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se rojet kufitare kishin marrë informacione se avionët rusë ishin ngritur nga një fushë ajrore në Bjellorusi, kishin kaluar në hapësirën ajrore të Ukrainës dhe më pas kishin qëlluar në fshatin jugor të Kopanit, shkruan BBC.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, nëpërmjet një video-mesazhi të postuar në rrjetin social Facebook paralajmëroi qytetarët bjellorusë se forcat ruse po përgatitnin sulmin.
“Sipas synimeve të tyre kriminale, aviacioni rus po përgatitet të godasë një sërë vendbanimesh në territorin e Republikës së Bjellorusisë, të vendosura afër kufirit Ukrainë-Bjellorusi. Konkretisht, ata planifikojnë të godasin Kopanin,” tha Reznikov.
“Qëllimi i provokimit është të detyrojë udhëheqjen aktuale të Bjellorusisë në luftë kundër Ukrainës. Moska po përpiqet t’ju lidhë me gjak. Unë garantoj se ushtria ukrainase nuk ka planifikuar, nuk planifikon dhe nuk do të planifikojë asnjë veprim agresiv kundër Bjellorusisë”, tha ai.
Kjo vjen pasi zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Yevheniy Yenin tha se qeveria bjelloruse “ka bërë gjithçka që është e mundur për të shmangur përfshirjen në këtë luftë”.
Plani i ri i Putinit, synon pëfshirjen e një shteti të tretë në luftën ndaj Ukrainës
Rusia po përpiqet të bëj çdo gjë të mundshme për ta tërhequr Bjellorusinë në luftën e saj 16-ditore kundër Ukrainës, tha zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Yevheniy Yenin në një intervistë televizive sot.
"Ne gjithashtu e kuptojmë se qeveria bjelloruse ka bërë gjithçka që është e mundur për të shmangur përfshirjen në këtë luftë," shtoi z. Yenin, shkruan Sky News, përcjell “Bota sot”.
Bjellorusia ka shërbyer si një stacion për trupat, raketat dhe avionët rusë gjatë gjithë luftës.
Megjithatë, forcat bjelloruse nuk kanë pasur ndonjë përfshirje të drejtpërdrejtë
Harris: Çdo sulm i Rusisë ndaj një shteti të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve
Zëvëndëspresidentja amerikane, Kamala Harris tha se çdo sulm i Rusisë ndaj një shteti anëtar të NATO-s “do të thotë sulm ndaj të gjithëve”. Këtë koment ajo e bëri të premten gjatë vizitës së saj në Rumani, ku u takua me presidentin e këtij vendi, Klaus Iohannis.
E pyetur për mundësinë e shtrirjes së luftës edhe në Rumani, Harris tha se nuk mund të spekulojë rreth veprimeve të ardhshme të presidentit rus, Vladimir Putin. “Ne jemi të qartë në qëndrimin tonë, që është se [Rumania] si anëtare e NATO-s, një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve”, deklaroi Harris.
Rrëfimi i agjentes ruse që u trajnua në të njëjtin program me Putinin, tregon çka do të bëjë presidenti rus
Një ish-spiune rus, e cila është trajnuar në të njëjtin program ushtarak si Vladimir Putin, ka paralajmëruar se presidenti rus 'do të shkojë deri në fund' në Ukrainë, shkruan DailyStar, përcjell Bota sot.
E bija e një gjenerali të lartë ushtarak rus, Roza ishte një spiune e lartë e punësuar për të joshur armiqtë e vendit të saj për të zbuluar sekretet e tyre.
37-vjeçarja madje një herë ra në dashuri me një nga objektivat e saj.
Tani Roza flet kundër regjimit rus dhe më 2 mars - ndërsa trupat e Putinit po marshonin në Ukrainë - ajo ndau tekstet e këngëve në internet nga Imagine e John Lennon.
"Imagjinoni të gjithë njerëzit, duke jetuar jetën në paqe."
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Ukraina thotë se ka vrarë një komandant rus
Një komandant i ushtrisë ruse është vrarë nga trupat ukrainase në orët e fundit, sipas qeverisë ukrainase.
Një zyrtar ukrainas e ka përshkruar vdekjen e gjeneralmajorit Andrei Kolesnikov, komandant i distriktit 29 të ushtrisë, si “lajm të irë”, raporton Sky News, e cila shton se nuk e ka verifikuar lajmin vetë.
Zelensky: Nuk do t’ia japim asnjë pëllëmbë toke pushtuesit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina ka arritur një “pikë kthese strategjike” në luftën e saj me Rusinë, në adresimin më të fundit për ukrainasit.
Duke folur jashtë zyrës së tij, në rrugë me një flamur ukrainas prapa, lideri ukrainas tha se është e pamundshme të thuhet se sa ditë kanë mbetur për ta liruar Ukrainën.
![Image](/media/botasot.info/images/2022/March/11/auto_auto_Capture16470049551647010376.jpg)
“Ukrainasit janë njerëz krenarë që gjithmonë e mbrojnë tokën e tyre, dhe nuk do t’i japin okupatorit asnjë pjesë të kësaj toke”.
Ushtria ruse i afrohet Kievit, 15 km larg
Forcat ruse kanë lëvizur rreth tri milje më afër Kievit në 24 orët e fundit, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Pas ditëve të ngecjes, ushtria ruse mund të jetë deri në nëntë milje (15 km) nga qendra e qytetit. Përveç avancimit në rrugën veriperëndimore për në Kiev, trupat po afrohen përgjatë dy linjave paralele në lindje të kryeqytetit.
LEXO EDHE: Rusia zgjeron sulmet/Putin mund të përdor armë kimike, vazhdojnë sanksionet ndaj Rusisë
Inteligjenca amerikane sugjeron se trupat mund të jenë kthyer prapa në qytetin Sumy, por nuk është e qartë pse.
Chernihivi tani është i izoluar por ushtria ruse nuk ka lëvizur përtej këtij qyteti, ndërsa raportohet për luftime të rënda. Qyteti Mariupol mbetet në rrethim.