Autoritetet e Azoreve portugeze janë në gatishmëri shtesë, pasi 90 tërmete të vogla goditën ishullin Sao Jorge në Oqeanin Atlantik në 24 orë, megjithëse nuk ka raportime për dëme.
Herën e fundit që vullkani Urzelina hodhi llavë në Sao Jorge ishte në vitin 1808 dhe Mbrojtja Civile e Azoreve kërkoi mendimet e ekspertëve nga qendra rajonale për monitorimin e aktiviteteve të vullkaneve, raporton Reuters.
Mbrojtja Civile shtoi se kontaktoi kryetarin e bashkisë dhe zjarrfikësit, duke u kërkuar atyre që të jenë në gatishmëri dhe të ndihmojnë banorët e ishullit nëse është e nevojshme.
Aktiviteti sizmik ka nisur pasditen e së shtunës, por autoritetet lokale i kanë bërë apel popullatës që të qëndrojë e qetë, të ndjekë informacionet dhe rekomandimet.
Tërmetet varionin nga 1.9 deri në 3.3 ballë sipas shkallës Rihter. Rreth 8.200 njerëz jetojnë në ishullin Sao Jorge, një nga nëntë ishujt që janë pjesë e Azoreve.