Gjermania i ka shpallur luftë shenjave propagandistike të Putinit. Saksonia e Poshtme dhe Bavaria po marrin masa kundër simbolit "Z", simboli i ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë. Të dy shtetet federale urdhëruan që përdorimi publik i simbolit në Gjermani, për shembull gjatë demonstratave, është i dënueshëm. Mund të dënohen deri në tre vjet burgim ose gjobë.
Në Rusi, shkronja latine "Z" shfaqet në shumë vende në hapësira publike. Është e lehtë të njihet si simbol sepse nuk ekziston në alfabetin cirilik. Mjete të shumta ushtarake ruse mbajnë gjithashtu shkronjën "Z".
“"Z" shfaqet në ndërtesa, makina ose veshje për të treguar miratimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme në Hanover, që u përditësua të shtunën, shkruan Blick, përcjellë “Bota sot”.
“Krimet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare nuk falen”
Ministri i Brendshëm i Saksonisë së Ulët, Boris Pistorius shpjegoi se kushdo që përdor simbolin "Z" për të shprehur publikisht miratimin e luftës së agresionit nga kreu i shtetit rus, Vladimir Putin kundër Ukrainës, duhet të presë pasoja në Saksoninë e Poshtme.
“Për mua është absolutisht e pakuptueshme se si “Z”-ja e stilizuar mund të përdoret edhe këtu për të falur këto krime”.

Ministri i Drejtësisë së Bavarisë, Georg Eisenreich gjithashtu paralajmëroi:
"Simpatizuesit që përdorin publikisht shenjën "Z" të forcave të armatosura ruse, në Bavari mund të ndiqen penalisht për miratimin e krimeve”.
Baza e veprimeve të shteteve federale është paragrafi 140 numër dy i Kodit Penal.
Sipas kësaj, sjellja është e dënueshme nëse kuptohet si miratim publikisht i flaktë i luftërave agresive dhe ka të ngjarë të prishë qetësinë publike.

Eisenreich përmendi gjithashtu paragrafin 13 të Kodit Penal Ndërkombëtar, i cili ka të bëjë me "krimet e agresionit".
“Ne nuk pranojmë të miratohen krime që shkelin ligjin ndërkombëtar”, tha ministri.

Gjëegjëza për kuptimin e saktë
"Z" u shfaq disa javë më parë në tanket ruse që përparonin drejt Ukrainës.
Pajisjet ushtarake ruse ndoshta janë shënuar në këtë mënyrë që ushtarët ta dallojnë atë nga ato ukrainase. Nuk është e sigurt nëse shkronja latine ka një kuptim edhe në rusisht, shkruan më tej Blick.
Një teori thotë se mund të jetë shkronja e parë e fjalës "Zapad" ("Perëndim").

Kjo mund të nënkuptojë drejtimin e lëvizjes së trupave ose që tanket janë nga pjesët perëndimore të vendit. Disa shohin gjithashtu një aludim për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, mbiemri i të cilit është transliteruar me një "Z" në shumë gjuhë./Bota sot
