Zelensky zbulon planin rus para OKB-së, ky shtet akuzon Rusinë për krime lufte për herë të parë

Bota

Zelensky zbulon planin rus para OKB-së, ky shtet akuzon Rusinë për krime lufte për herë të parë

Nga: Bota sot Më: 5 prill 2022 Në ora: 16:36 Përditësuar në ora: 19:56 më 05.04.2022
Zelenskiy i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Fotografia: Andrew Kelly/Reuters

Reagimi i Kinës në OKB për krimet e Rusisë

Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, ka thënë se raportet dhe imazhet që tregojnë vdekjet e civilëve në Bucha janë "shumë shqetësuese".

Por, ai shtoi se duhet të verifikohen rrethanat dhe çdo akuzë duhet të bazohet në fakte, raporton Reuters, përcjell Bota sot.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, ai përsëriti qëndrimin e Pekinit se sanksionet nuk janë efektive në zgjidhjen e krizës së Ukrainës.

Ai gjithashtu u bëri thirrje SHBA-së, NATO-s dhe BE-së që të angazhohen në një dialog me Rusinë./A.Zh

Rusia i mohon krimet në Bucha

Përfaqësuesi rus në Këshillin e Kombeve të Bashkuara, Vasily Nebenzya, i ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte nga trupat ruse në Bucha.

Ai ka thënë se ka “mospërputhje flagrante në ngjarjet e treguara nga mediet ukrainase dhe perëndimore”.

Ai deklaroi se trupat e gjetur rrugëve nga gazetarët në qytetin ukrainas nuk ishin aty menjëherë pas tërheqjes së forcave ruse, duke shtuar se kjo ishte “konfirmuar nga disa video”.

"Kufomat në asnjë mënyrë nuk ngjajnë me ato që mund të qëndronin në rrugë për tre ose katër ditë”, ka thënë ai, shkruan BBC.

Për herë të parë, Izraeli akuzon drejtpërdrejt Rusinë për krime lufte - deklarata e ministrit në OKB

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Duke mbajtur marrëdhënie të ngrohta me Moskën për disa vite, Izraeli kishte kërkuar të vepronte si një forcë ndërmjetëse që nga pushtimi i Ukrainës dhe ishte i përmbajtur në komentet e tij për veprimet e forcave të Vladimir Putinit.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm izraelit Yair Lapid, ka dënuar sot "krimet e luftës" të Rusisë në Ukrainë - duke shënuar herën e parë që ai ka bërë një pretendim të tillë në lidhje me konfliktin, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

"Imazhet dhe dëshmitë nga Ukraina janë të tmerrshme. Forcat ruse kryen krime lufte kundër një popullsie civile të pambrojtur. Unë i dënoj fuqishëm këto krime lufte”, tha ai në një deklaratë.

Gjatë ditës së sotme kryeministri Naftali Bennett, kishte dënuar vrasjen e civilëve të dokumentuar në qytetin ukrainas të Bucha, por nuk akuzoi forcat ruse për përgjegjësi.

Derisa përmendi përpjekjet e Bennett për të ndërmjetësuar paqen në Ukrainë, Izraeli gjithashtu dëshiron të mbajë kanale të hapura për ushtrinë ruse në Siri, ku Izraeli shpesh kryen sulme ajrore mbi asetet iraniane.

"Ne jemi të tronditur nga pamjet e tmerrshme në Bucha - skena të tmerrshme - dhe ne i dënojmë ato", tha ai.

"Vuajtjet e qytetarëve ukrainas janë të mëdha dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar."

Zelensky i bën thirrje OKB-së që ta mbajë përgjegjëse Rusinë për veprimet në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të kërkojë që forcat ruse të mbahen përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.

Zelensky ofroi detaje grafike të ngjarjeve që ndodhën në qytetin Buça, ku ai tha se familje të tëra janë vrarë pa dallim, veçanërisht ata që kanë shërbyer në ndonjë kapacitet për forcat ukrainase.

Njerëzit “u vranë në banesat e tyre, në shtëpitë e tyre... civilët u shtypën me tanke teksa ishin në veturat e tyre, vetëm për qejfin [e trupave ruse]”, tha Zelenksy përmes një video-adresimi para Këshillit më 5 prill.

Ai tha se krimet e kryera në Buça ishin “krimet më të tmerrshme të luftës” që prej Luftës së Dytë Botërore. Sipas tij, Buça ishte “një prej shumë shembujve se çfarë okupuesit kanë bërë në tokën tonë në 41 ditët e fundit”.

Zelensky, i cili iu drejtua OKB-së vetëm një ditë pasi vizitoi Buçan, tha se kudo që trupat ruse janë dislokuar, ata kanë lënë pas gërmadha dhe varre masive.

Ai shtoi se “qindra-mijëra” ukrainas po ashtu janë deportuar për në Rusi, duke thënë se atyre “iu duhet pasuria jonë, njerëzit tanë”. Presidenti ukrainas akuzoi rusët se po vidhnin gjithçka, duke fituar nga ushqimi e deri tek ari që u përkiste ukrainasve.

Zelensky i bëri thirrje OKB-së jo vetëm të veprojë menjëherë duke shtuar sanksionet ndaj Rusisë, por po ashtu që të dëbojë Rusinë nga Këshilli, duke e akuzuar Moskën se po e shndërron fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit si “të drejt për të vdekur”.

Ai tha se OKB-ja duhet ta pyes veten nëse i ka kaluar koha ligjit ndërkombëtar, duke bërë thirrje për reforma në Kartën e OKB-së dhe për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për krime të luftës, siç ishte krijuar për krimet e nazistëve pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai po ashtu tha Kievi mund të jetë vendi ku do të mbahej një konferencë për riorganizimin e Kombeve të Bashkuara.

“OKB-ja thjesht mund të mbyllet. Zonja dhe zotërinj, a jeni gati që ta mbyllni OKB-në? Dhe koha e ligjit ndërkombëtar ka ikur?”, pyeti ai. “Nëse përgjigja e juaj është jo, atëherë veproni menjëherë”, shtoi ai.

Zelensky shfaq video tronditëse në mbledhjen e OKB-së

Pas disa vështirësive teknike, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky sapo i ka treguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së një video të pamjeve nga Ukraina.

Klipi zgjati rreth një minutë dhe shfaqte imazh pas imazhi të ukrainasve të vdekur - duke përfshirë disa trupa të djegur dhe të shpërfytyruar.

Dame Barbara Woodward - përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në këshill, e cila është ulur si presidente e këshillit - falënderoi Zelensky për ndarjen e videos.

Imazhet "janë pikëlluese", thotë ajo.

“Duke folur në kapacitetin tim kombëtar, ne jemi të tmerruar nga ajo që kemi parë dhe ritheksojmë solidaritetin tonë me Ukrainën”, shton ajo./H.O.

Përfaqësuesi rus i drejtohet Këshillit të OKB-së

Përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vasily Nebenzya, po flet tani në takim.

Kështu shkruan BBC, transmeton Bota sot./H.O.

Zyrtari i OKB-së zbulon shifrat marramendëse të të vrarëve në Ukrainë

Të paktën 1,480 civilë janë vrarë dhe të paktën 2,195 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, tha Rosemary DiCarlo, nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për çështjet politike dhe ndërtimin e paqes.

Duke cituar shifra të përditësuara nga Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, DiCarlo tha se OHCHR beson se shifrat aktuale të viktimave civile janë "dukshëm më të larta".

Ajo vuri në dukje se numri i civilëve ukrainas në konflikt është "më shumë se dyfishuar" që kur ajo informoi për herë të fundit Këshillin e Sigurimit më 17 mars.

“Qytetet ukrainase vazhdojnë të goditen pa mëshirë, shpesh pa dallim, nga artileri të rënda dhe bombardime ajrore. Dhe qindra mijëra njerëz, duke përfshirë fëmijë, të moshuar dhe të paaftë, mbeten të bllokuar në zona të rrethuara në kushte makthi”, tha DiCarlo të hënën në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Tmerri u thellua fundjavën e kaluar pasi u shfaqën imazhe tronditëse të civilëve të vdekur – disa me duar të lidhura – të shtrirë në rrugët e Bucha, qyteza afër Kievit, e mbajtur më parë nga forcat ruse. Shumë trupa u gjetën gjithashtu në një varr masiv në të njëjtin lokalitet.”

DiCarlo gjithashtu vuri në dukje se kujdesi mjekësor dhe shërbimet bazë po ndërpriten gjithashtu në Ukrainë, me të paktën 85 sulme në objektet e kujdesit shëndetësor të regjistruara që nga 4 prilli, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këto sulme kanë rezultuar në të paktën 72 të vdekur dhe 43 të plagosur, tha DiCarlo.

OKB-ja është gjithashtu “seriozisht e shqetësuar” për “arrestimet arbitrare dhe zhdukjet me forcë të personave që kanë qenë të zëshëm kundër pushtimit rus”, tha DiCarlo.

“OHCHR ka dokumentuar ndalimin arbitrar dhe zhdukjen e mundshme me forcë të 22 gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile” në Ukrainë, si dhe 24 zyrtarëve lokalë që janë arrestuar në rajonet nën kontrollin rus, 13 prej të cilëve janë liruar, tha DiCarlo. Ajo shtoi se deri më 30 mars, OHCHR ka regjistruar edhe shtatë gazetarë dhe punonjës të medias të vrarë.

Ka pasur akuza “për dhunë seksuale të lidhur me konfliktin” si nga forcat ruse ashtu edhe nga ato ukrainase dhe nga milicitë e mbrojtjes civile, vazhdoi DiCarlo.

“Misioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë vazhdon të kërkojë të verifikojë të gjitha këto pretendime”./H.O.

Pse Rusia nuk mund të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së?

Pas sugjerimit të presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky, që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Mark Stone i Sky News, shpjegon pse një lëvizje e tillë nuk është e mundur në strukturën e tij ekzistuese.

"Zelenksy aludoi për faktin se Rusia është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit", tha ai, përcjell Bota sot.

"Dhe mekanika e dhomës do të thotë se ajo nuk është në gjendje të bëjë asgjë, derisa Rusia është një anëtare e përhershme."

“Ai nuk hyri në detaje, por dukej se po sugjeronte që Rusia të largohej nga Këshilli i Sigurimit.”

“Është ligjërisht e pamundur që Rusia të përjashtohet, sepse duke u kthyer në formimin e Kombeve të Bashkuara, Rusia ka një vend të përhershëm dhe për këtë arsye duhet të votojë për të hequr veten nga ai organ i caktuar, diçka që qartësisht nuk do ta bëjë kurrë.”/A.Zh

Ambasadori i Shqipërisë në OKB: Putini po kryen krime të mëdha në Ukrainë

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ka mbajtur një fjalim në Këshillin e Sigurimit, duke dënuar sulmet ruse në Ukrainë. Në fjalën e tij, Hoxha u shpreh se Rusia duhet të mbajë përgjegjësie para drejtësisë për ato që po bën.

“Rusia duhet të mbajë përgjegjësi para drejtësisë. Rama e ka quajtur një trup të vërtetë. Rusia duhet të ndalojë sulmin në Ukrainë, por Rusia nuk po respekton asnjë rregull. 

Ligji do të vazhdojë, nuk mund ti shpëtojnë përgjegjësive. Krimet që janë kryer në qytete të ndryshme të Ukrainës janë të mëdha. Ajo që ndodhi në Bucha është e tmerrshme.

Ne mbështesim të drejtat e njeriut. Rusia ka deklaruar se do ta zhvendosë fokusin në lindje të Ukrainës. Rusia është izoluar, është transformuar brenda 10 ditësh. Ushtria ruse është përballur me humbje të mëdha”, tha Hoxha.

SHBA bën thirrje që Rusia të hiqet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Siç ishte parashikuar, ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield, bëri thirrje që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

"Rusia po përdor anëtarësimin e saj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut si një platformë për propagandë për të sugjeruar se Rusia ka një shqetësim legjitim për të drejtat e njeriut", tha ajo, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

“Në fakt, ne do të dëgjojmë një pjesë të asaj propagande sot këtu, e di, dhe nuk do t'i nderoj këto gënjeshtra me një përgjigje vetëm për të thënë se çdo gënjeshtër që dëgjojmë nga përfaqësuesi rus është më shumë dëshmi se ato nuk i përkasin Këshillit për të Drejtat e Njeriut”, shtoi ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat