OKB: Mbi 11 milionë persona të zhvendosur nga lufta në Ukrainë

Bota

OKB: Mbi 11 milionë persona të zhvendosur nga lufta në Ukrainë

Më: 5 prill 2022 Në ora: 17:33
Refugjatët ukrainas duke e kaluar kufirin për në Poloni.

Agjencia për mirgim e Kombeve të Bashkuara tha se mbi 11 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë që prej se Rusia nisi luftën e paprovokuar më 24 shkurt.

Sipas të dhënave që janë mbledhur deri më 1 prill, mbi 7.1 milionë persona janë zhvendosur brenda Ukrainës, tha Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

Ndërkaq, 4.24 milionë persona të tjerë janë larguar jashtë vendit, tha agjencia për refugjatë e OKB-së, UNHCR.

“Banorët po vazhdojnë të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës dhe se nevojat humanitare në terren po vazhdojnë të përkeqësohen", tha shefi i IOM-it, Antonio Vitorino.

Vitorino tha se korridoret humanitare janë “nevojë emergjente” në mënyrë që të mundësohet evakuim i sigurt i civilëve dhe të garantohet transport i sigurt, duke shtuar se ka nevojë për ndihmë humanitare për personat e zhvendosur brenda vendit.

Sipas një hulumtimi të IOM, mbi 60 për qind e të zhvendosurve janë fëmijë, ndërkaq, 57 për qind janë të moshuar. Afër 30 për qind ishin persona me sëmundje kronike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat