OKB pezulloi Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut, reagon Ukraina

Bota

OKB pezulloi Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut, reagon Ukraina

Më: 7 prill 2022 Në ora: 18:48
Ukraina falënderon OKB-në për vendimin e marrë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejta të Njeriut, pas raportimeve “për shkelje sistematike dhe abuzim të të drejtave të njeriut”, nga trupat ruse që kanë pushtuar Ukrainën.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka mirëpritur vendimin e OKB-së të enjten.

“Kriminelët e luftës nuk kanë vend në trupat e OKB-së, të cilët synojnë të mbrojnë të drejtat e njeriut. Mirënjohës ndaj të gjithë anëtarëve që kanë mbështetur këtë rezolutë të rëndësishme dhe kanë vendosur të qëndrojnë në anën e duhur të historisë”, ka thënë Kuleba përmes një postimi në Twitter.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar dy rezoluta që dënojnë pushtimin rus.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë këtë javë se do të kërkojnë pezullimin e Rusisë, pasi Ukraina ka akuzuar trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në qytezën ukrainase Buça.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, ka thënë të martën se në kohën kur Buça ka qenë nën kontrollin rus, “asnjë civil nuk ka vuajtur nga dhuna”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat