Forcat ruse vazhduan bombardimet e rënda të qyteteve të Ukrainës në prag të festimeve të Pashkëve Ortodokse, tha të dielën Liudmyla Denisova, ombudsmeni i të drejtave të njeriut në parlamentin ukrainas, shkruan CNN, transmeton Bota sot.
Në prag të një prej festave më të mëdha ortodokse, ushtria ruse vazhdoi të bombardojë në mënyrë aktive qytetet paqësore në Ukrainë dhe të vriste civilë, tha ajo.
Ndër sulmet që Denisova raportoi ishin granatimet e qytetit të Kharkiv, ku u plagosën tre policë dhe një grua, dhe bombardimi i një shtëpie në fshatin Slatine në rajonin e Kharkiv, i cili vrau dy burra.
Denisova tha se sulmet ruse vranë katër civilë në rajonin e Donetsk dhe tetë persona të tjerë në rajonin e Luhansk. Tre persona që punonin në një kopsht në Zaporizhzhia u vranë nga artileria ruse të shtunën, tha ajo.
Në rajonin Kherson, ku zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për përgatitjet ruse për të organizuar një referendum të rremë pavarësie, Denisova tha se situata ishte "e tensionuar".
Forcat ruse “po bombardojnë vendbanimet e rajonit dhe në drejtim të rajoneve fqinje”, tha ajo, duke shtuar: “Rajoni i Khersonit është në prag të një katastrofe humanitare”.