Komente interesante po dalin nga Kremlini pasditen e sotme, ku ka folur presidenti rus Vladimir Putin.
Putin akuzoi Perëndimin për përpjekje për të vrarë gazetarët rusë, pa dhënë asnjë provë për këtë pretendim.
Ai pretendoi se një përpjekje e tillë ndaj një reporteri televiziv ishte penguar nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.
“Këtë mëngjes, Shërbimi Federal i Sigurisë ndaloi aktivitetet e një grupi terrorist që planifikoi të sulmonte dhe të vriste një gazetar të famshëm televiziv rus”, tha Putin.
"Ata kanë kaluar në terror në përgatitjen e vrasjes së gazetarëve tanë."
Më vonë, Rusia pretendoi se kishte arrestuar anëtarë të një grupi nacionalist që tentoi të vriste gazetarin pro-Putin, Vladimir Solovyev.
Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, Moska thotë se të arrestuarit vepronin në emër të shërbimit special ukrainas.