Mjekët ligjorë që kryejnë ekzaminime pas vdekjes mbi trupat në varrezat masive në veri të Kievit thonë se kanë gjetur prova se disa gra ishin përdhunuar përpara se të vriteshin nga forcat ruse, raportojnë Lorenzo Tondo dhe Isobel Koshiw.
"Ne tashmë kemi disa raste që sugjerojnë se këto gra ishin përdhunuar përpara se të qëlloheshin për vdekje," tha Vladyslav Pirovskyi, një mjek ligjor ukrainas i cili me një ekip mjekësh ka kryer dhjetëra autopsi mbi banorët nga Bucha, Irpin dhe Borodianka.
“Ne nuk mund të japim më shumë detaje pasi kolegët e mi janë ende duke mbledhur të dhënat dhe ne kemi ende qindra trupa për të ekzaminuar,” tha ai.
Ekipi i Pirovskyi ka ekzaminuar rreth 15 trupa në ditë, shumë prej tyre të gjymtuar. "Ka shumë trupa të djegur dhe trupa të shpërfytyruar rëndë që është thjesht e pamundur të identifikohen," tha ai. “Fytyra mund të bëhet copë-copë, nuk mund ta bashkosh sërish, ndonjëherë nuk ka fare kokë.”
Ai tha se trupat e disa grave që ata kishin ekzaminuar tregonin shenja se viktimat ishin vrarë me armë zjarri automatik, me mbi gjashtë vrima plumbash në shpinë. Raporton TheGuardian, përcjell Bota sot.
Oleh Tkalenko, një prokuror i lartë për rajonin e Kievit, tha se detajet e përdhunimeve të dyshuara i ishin përcjellë zyrës së tij, e cila po heton rrethanat si vendndodhjet dhe moshat e viktimave.
“Rastet e përdhunimeve janë një çështje shumë delikate dhe e ndjeshme,” tha Tkalenko. “Mjekësia ligjore kanë një detyrë specifike për të kontrolluar organet gjenitale të viktimave femra dhe për të kërkuar shenja përdhunimi”.
Një mjek i huaj që punon në veri të Kievit, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se disa trupa “janë në gjendje aq të keqe sa nuk është e lehtë të gjesh shenja përdhunimesh dhe abuzimesh seksuale. Por ne po mbledhim prova për disa raste të grave që besojmë se janë përdhunuar përpara se të vriteshin.”