Vendet e NATO-s furnizojnë Ukrainën me armatim të rëndë/ Zelensky paralajmëron Rusinë: Bota ishte vetëm një hap larg katastrofës

Bota

Vendet e NATO-s furnizojnë Ukrainën me armatim të rëndë/ Zelensky paralajmëron Rusinë: Bota ishte vetëm një hap larg katastrofës

Nga: BOTA SOT Më: 26 prill 2022 Në ora: 06:13 Përditësuar në ora: 09:28 më 26.04.2022
Tanku rus

Çfarë është Transnistria dhe pse është e rëndësishme për Rusinë?

Republika e vetëshpallur e Transnistrisë e cila ka kushtetutën, ushtrinë, monedhën dhe flamurin e saj, por nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar  mund të tërhiqet në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Një gjeneral i lartë rus tha javën e kaluar se ushtria po synon "kontrollin e plotë" mbi rajonin lindor të Donbasit dhe Ukrainën jugore dhe të fitojë akses në Transnistria, territori separatist në vendin fqinj të Moldavisë, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

TASS citoi komandantin në detyrë të Qarkut Qendror Ushtarak të Rusisë, gjeneral-major Rustam Minnekaev të thoshte se:

Qëllimi ishte krijimi i një korridori tokësor midis Donbasit dhe Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi në 2014”./M.H.

Kryediplomati ukrainas: Rusia përpiqet të frikësojë Perëndimin me paralajmërimin e Luftës së Tretë Botërore

Rusia “ndjen” humbjen e saj në Ukrainë dhe për këtë arsye po përpiqet të frikësojë Perëndimin kundër mbështetjes së Kievit duke paralajmëruar kërcënimin e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore, ka shkruar në Twitter ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Rusia humbet shpresën e fundit për të trembur botën që të mos mbështesë Ukrainën. Kështu flitet për një rrezik ‘real’ të Luftës së Tretë Botërore. Kjo do të thotë vetëm se Moska ndjen humbjen në Ukrainë”, thotë ai, shkruan Skynews.

Kuleba, mes tjerash, thotë se për këtë bota duhet të dyfishojë mbështetjen e Ukrainës në mënyrë që ne të mbizotërojmë dhe të ruajmë sigurinë evropiane dhe globale.”

Tweet-i i Kuleba, i shkruar në anglisht, erdhi pasi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se dërgesat perëndimore të armëve në Ukrainë nënkuptonin se NATO ishte “në thelb e angazhuar në luftë me Rusinë” dhe kishte rrezik “të konsiderueshëm” të përshkallëzimit të konfliktit.

Identifikohet varrezë e re masive në Mariupol

Zyrtarë të Mariupol kanë treguar se kanë identifikuar një varrezë të re masive në pjesën veriore.

Kryetari Vadim Boychenko ka thënë se autoritetet janë duke provuar për të vlerësuar se sa është numri i viktimave të gjetura në varr, raporton AlJazeera.

Sipas vlerësimeve të deritanishme, rreth 100 njerëz janë bllokuar në Mariupol.

Qytet ky i cili është nën kontroll të ushtrisë ruse.

Ukraina: Forcat ruse po e përshkallëzojnë ofensivën në jug dhe lindje

Ukraina ka bërë të ditur se Rusia po e përshkallëzon ofensivën në jug dhe lindje, por se po përballet me rezistencë të ashpër në disa zona.

Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se si pasojë e rezistencës trupat ruse në disa vende kanë filluar të zmbrapsen.

“Trupat ruse kanë nisur një ofensivë në të gjitha drejtimet”, tha Alexei Arestovych, këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky, në televizionin ukrainas.

Forcat ruse janë fokusuar veçanërisht në qytetet Kramatorsk dhe Sloviansk në rajonin lindor të Donetskut të Ukrainës dhe në Kryvyi Rih në rajonin jugor të Khersonit.

Rusët e kanë mbajtur nën kontroll qytetin Kherson që në ditët e para të pushtimit, si dhe janë përpjekur të shkojnë drejtë veriut çdo herë, shkruan CNN.

Kërcënimet ruse, Finlanda dhe Suedia tregohen të guximshme: Në maj pritet të aplikojnë për në NATO

Finlanda dhe Suedia janë treguar të guximshme përballë kërcënimeve ruse, teksa po përgatiten të njoftojnë në të njëjtën kohë në maj se duan t’i bashkohen NATO-s.

BBC raporton se të dyja vendet janë ushtarakisht të paangazhuara, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nxitur mbështetjen në rritje për t’iu bashkuar aleancës mbrojtëse perëndimore.

Gazeta finlandeze Iltalehti thotë se beson se liderët e Finlandës dhe Suedisë planifikojnë të takohen në 16 maj dhe më pas të njoftojnë se do të aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n.

Ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto nuk pranoi të komentojë.

Tabloidi suedez Aftonbladet, duke cituar burimet, tha gjithashtu se besonte se të dy vendet do të bënin njoftime atë javë, në të njëjtën kohë.

Rusia ka paralajmëruar për një ngritje bërthamore në Balltik nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s./BBC

Putin dhe Erdogan do të flasin në telefon

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, do të zhvillojnë një bisedë telefonike këtë të martë.

Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shkruan Aljazeera.

“Po, ka plane të tilla”, tha ai për RIA Novosti.

Po ashtu, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të vizitojë Moskën sot, ku do të diskutojë situatën në Ukrainë me Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres do të takohet sot me Putinin

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, por pritshmëritë nga takimi thuhet se janë të ulëta pas disa përpjekjeve të dështuara diplomatike deri më tani, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Bisedimet mes Putinit dhe Guterres pritet të përqendrohen për qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku, pavarësisht shpalljes së fitores, forcat ruse nuk kanë arritur të marrin fabrikën e çelikut Azovstal.

Forcat ukrainase thanë më herët se Rusia vazhdon të bllokojë njësitë e saj në fabrikë.

Ukraina i ka kërkuar Guterres të garantojë një korridor humanitar për të evakuuar civilët që strehohen brenda fabrikës së çelikut, Azovstal.

Shefi i OKB-së pritet gjithashtu të udhëtojë në Kiev të enjten ku do të takohet me Presidentin Volodomyr Zelensky.

SHBA do të nisë gjithashtu bisedimet e mbrojtjes në lidhje me Ukrainën me dhjetëra vende sot, me sekretarin e mbrojtjes të SHBA Lloyd Austin që do të jetë mikpritës në Gjermani.

Këto bisedime vijnë pasi Ministri i Jashtëm i Moskës Sergei Lavrov ka paralajmëruar se rreziku i një Lufte të Tretë Botërore “është serioz” dhe ka kritikuar qasjen e Kievit për prishjen e bisedimeve të paqes.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, megjithatë, u përgjigj se Lavrov po përpiqej të “friksonte botën” nga mbështetja e vendit./A.SH

Qytetarëve të Ukrainës iu ofrohen sanduiça nga WCK

Një lëvizje bamirësie e udhëhequr nga kuzhinieri i famshëm amerikan Jose Andres po ndihmon në ushqimin e atyre që kanë më shumë nevojë në Ukrainë.

Vullnetarët e World Central Kitchen (WCK) po prodhojnë 12,000 sanduiçe të freskëta në ditë për nevojtarët e konfliktit, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

Duke e përshkruar veten si një ekip i "përgjegjësve të parë të ushqimit", WCK u përgjigjet fatkeqësive natyrore, krizave të shkaktuara nga njeriu dhe emergjencave humanitare në mbarë botën.

Grupi ka shërbyer 12 milionë vakte falas në tetë vende.

Brenda disa ditësh nga pushtimi fillestar rus, WCK filloi t'u shërbente ushqime familjeve që udhëtonin në distanca të gjata dhe prisnin me orë të tëra në pika të ndryshme kufitare në Poloni dhe më pas në Rumani, Moldavi, Hungari dhe Sllovaki.

Dhe tani punëtorët e saj janë në Lviv, Ukrainë, duke ndihmuar familjet, refugjatët, spitalet dhe punonjësit e mjekësisë./M.H.

Bie qyteti ukrainas, Kremina tani nën kontrollin e rusëve!

Qyteti i Kreminës në Luhansk thuhet se ka rënë, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në përditësimin e saj të përditshëm, por nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë.

Raportet e mëparshme kishin sugjeruar se forcat ruse kishin kontrollin e Kreminës, një qytet me rreth 18,000 banorë, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ministria e Mbrojtjes shtoi se luftime të rënda u raportuan në jug të qytetit të Izium, ndërsa forcat ruse përpiqen të avancojnë drejt qyteteve Sloviansk dhe Kramatorsk nga veriu dhe lindja, tha ajo.

Në përditësimi e fundit gjithashtu u tha se forcat ruse ka të ngjarë të përpiqen të rrethojnë pozicionet e fortifikuara në lindje të Ukrainës.

Forcat ukrainase kanë përgatitur mbrojtje në Zaporizhzhia në përgatitje për një sulm të mundshëm rus nga jugu, shtoi ai.

BBC nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë informacion./A.SH

Gjermani, SHBA do të mbledhë 40 vende për të diskutuar ndihmën për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara do të mbledhin të martën përfaqësuesit e më shumë se 40 vendeve për të diskutuar luftën në Ukrainë. Takimi pritet të përqendrohet tek armatosja e Kievit në përpjekje për t’u mbrojtur nga një sulm vendimtar rus në lindje të Ukrainës, thanë zyrtarët amerikanë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të drejtojë takimin në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, pas një udhëtimi në Kiev, ku ai premtoi shtimin e mbështetjes amerikane lidhur me përpjekjet e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për luftën në vendin e tij.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Gjenerali Mark Milley, tha se qëllimi kryesor i bisedimeve ishte sinkronizimi dhe koordinimi i shtimit të asistencës së sigurisë për Kievin që përfshin armatim të rëndë, si dhe dronë luftarakë dhe municione.

Javët e ardhshme do të jenë shumë kritike. Ata kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që të jenë të suksesshëm në fushën e betejës. Dhe ky është me të vërtetë qëllimi i kësaj konference”, tha zoti Milley për gazetarët.

E shtyrë nga një sulm i dështuar në veri të Kievit, Moska ka ridislokuar trupat e saj në lindje për një mësymje tokësore në dy provinca të njohura si Donbas.

Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, vlerësojnë se Rusia do të mbështetet kryesisht tek sulmet me artileri, në përpjekje për të goditur pozicionet ukrainase, ndërsa Moksa fut trupat tokësore nga drejtime të shumta në përpjekje për të asgjesuar një pjesë të konsiderueshme të ushtrisë ukrainase.

Por, Shtetet e Bashkuara gjithashtu vlerësojnë se shumë njësi ruse janë dobësuar, me disa që kanë humbur rreth 30% të ushtarëve, një nivel që konsiderohet shumë i lartë nga ushtria amerikane për të vazhduar luftimet, sipas zyrtarëve. Zyrtarët amerikanë flasin për tanke ruse me një individ në bord dhe pa ekuipazh dhe mjete luftarake të vjetëruara apo që pësojnë avari.

Sipas vlerësimeve të zbulimit britanik, rreth 15,000 ushtarë rusë janë vrarë në konflikt, ndërsa janë shkatërruar 2,000 automjete të blinduara, përfshirë rreth 530 tanke, si dhe 60 helikopterë dhe avionë luftarakë, tha të hënën Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat