Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, por pritshmëritë nga takimi thuhet se janë të ulëta pas disa përpjekjeve të dështuara diplomatike deri më tani, raporton BBC, përcjell Bota sot.
Bisedimet mes Putinit dhe Guterres pritet të përqendrohen për qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku, pavarësisht shpalljes së fitores, forcat ruse nuk kanë arritur të marrin fabrikën e çelikut Azovstal.
Forcat ukrainase thanë më herët se Rusia vazhdon të bllokojë njësitë e saj në fabrikë.
Ukraina i ka kërkuar Guterres të garantojë një korridor humanitar për të evakuuar civilët që strehohen brenda fabrikës së çelikut, Azovstal.
Shefi i OKB-së pritet gjithashtu të udhëtojë në Kiev të enjten ku do të takohet me Presidentin Volodomyr Zelensky.
SHBA do të nisë gjithashtu bisedimet e mbrojtjes në lidhje me Ukrainën me dhjetëra vende sot, me sekretarin e mbrojtjes të SHBA Lloyd Austin që do të jetë mikpritës në Gjermani.
Këto bisedime vijnë pasi Ministri i Jashtëm i Moskës Sergei Lavrov ka paralajmëruar se rreziku i një Lufte të Tretë Botërore “është serioz” dhe ka kritikuar qasjen e Kievit për prishjen e bisedimeve të paqes.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, megjithatë, u përgjigj se Lavrov po përpiqej të “friksonte botën” nga mbështetja e vendit.