Dy autobusë të dërguar për të shpëtuar civilët nga një qytet ukrainas nën sulm të rëndë nga forcat ruse raportohet se janë zhdukur. Një zyrtar ushtarak nga Popasna, në rajonin e Donbas, tha se një nga dy autobusët, të drejtuar nga vullnetarë, ishte nën zjarr brenda qytetit të vogël, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Mikola Khanatov tha se nuk kishte asnjë lajm për automjetin e dytë - një autobus shkollor i drejtuar nga një mësues lokal i historisë.
Një nga vullnetarët, Galina Kroshka, tha se tre autobusë ishin dërguar në Popasna të premten për të ndihmuar në evakuimin e qindra civilëve.
Dy autobusë nuk arritën të kthehen në qytetin e Bakhmut. Më herët gjatë ditës 31 civilë ishin sjellë në siguri.
“Jemi shumë të shqetësuar. Autobusët tanë nuk u kthyen dhe ne nuk kemi pasur asnjë kontakt me ta që nga dje. Ne nuk mund të shkojmë vetë në Popasna derisa situata të jetë më e qartë," tha Galina, e cila me burrin e saj ka transportuar civilë dhe ndihma humanitare midis qyteteve për disa javë.
Popasna është kontestuar ashpër javët e fundit, por ka raporte se forcat ruse tani kontrollojnë pothuajse të gjithë qytetin.