Familja e Paul Rusesabagina ka ngritur një padi prej 400 milion dollarësh ndaj shtetit të Ruandës, mbi rrëmbimin dhe torturën e dyshuar që po i shkaktohet subjektit të filmit “Hotel Rwanda”.
Ai u dënua me 25 vjet burgim për terrorizëm nga një gjykatë në Ruandë vitin e kaluar, në atë që mbështetësit e quajtën një gjyq të rremë.
Familja e tij thotë se qeveria e Ruandës e mori atë nga Teksasi, ku jetonte në mërgim. Ai u arrestua në vitin 2020, kur, sipas mbështetësve të tij, një avion privat që ai besonte se do ta çonte në Burundi, në vend të kësaj u ul në kryeqytetin e Ruandës, Kigali.
Rusesabaginas i njihet merita për shpëtimin e rreth 1200 njerëzve gjatë gjenocidit të vitit 1994.
Në deklaratë thuhet se 400 milionë dollarët e kërkuara si kompensim do të rriten çdo ditë që Paul Rusesabagina mbahet në robëri.
Ankesa është paraqitur në Uashington, dhe i është dorëzuar qeverisë së Ruandës, e cila ende nuk ka komentuar publikisht.
Gjenocidi i Ruandës zgjati 100 ditë, nga prilli i vitit 1994, kur 800,000 njerëz, kryesisht nga grupi etnik Tutsi, u masakruan nga ekstremistët e komunitetit Hutu.
Rusesabagina – një menaxher hoteli në atë kohë – mbrojti rreth 1200 njerëz nga dhuna, pasi ata kërkuan strehim në ndërtesë.
Filmi hollivudian, Hotel Rwanda, u realizua në vitin 2004 dhe shfaqi Don Cheadle si Rusesabagina.
Një vit më pas ai u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë nga Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George Bush.
Por udhëtimi i Rusesabagina nga një njeri i famshëm humanitar në armikun shtetëror të Ruandës ndodhi pasi kritikat e tij ndaj qeverisë pas gjenocidit dhe presidentit Paul Kagame fituan një audiencë më të gjerë, raporton BBC.
Në një video-mesazh të vitit 2018, Rusesabagina bëri thirrje për një ndryshim regjimi, duke thënë se ka ardhur koha që të përdoret çdo mjet i mundshëm për të sjellë ndryshim në Ruandë.
Në shtator të vitit të kaluar ai u shpall fajtor për mbështetjen e një grupi rebel pas sulmeve vdekjeprurëse më 2018 dhe 2019 në Ruanda.