Është një ditë tjetër nën pushtimin rus për banorët e Khersonit. Qyteti jugor u pushtua nga rusët në fillim të luftës dhe mbetet i vetmi kryeqytet rajonal që u pushtua prej tyre, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Për shumë njerëz, marrja e aksesit në internet po bëhet gjithnjë e më e vështirë me vetëm një furnizues që thuhet se po operon. Një banor, i cili nuk donte të jepte emrin e tij, tha se njerëzve të sëmurë po u mbaronin ilaçet dhe dyqanet ushqimore ishin mbyllur.
“Njerëzit po shkëmbejnë ilaçe me njëri-tjetrin dhe po rregullojnë mënyrat e transportit të ilaçeve në fshatra,” tha ai. Shumë dyqane janë bosh dhe në vend të kësaj ushqimi po shitet nga makinat dhe kamionët në rrugë.
Ka shqetësime se sistemi bankar ukrainas do të mbyllet në qytet dhe njerëzit janë përpjekur të bëjnë tërheqje për çdo rast. Rubla ruse është menduar të ketë filluar të përdoret nga e diela, por vendasit po rezistojnë.
Rreth 40% e popullsisë thuhet se janë larguar. Por ata që kanë mbetur nuk i kanë humbur shpresat.
"Shumica e njerëzve besojnë se Ukraina do të ketë fitoren," tha ai.