Siç kemi raportuar, ministrat e BE-së po takohen në Bruksel për të diskutuar se si blloku mund të zvogëlojë varësinë e tij nga karburantet fosile ruse si një burim energjie, shkruan BBC, transmeton Bota sot.
Sipas një analize, BE-ja ka shpenzuar më shumë se 47 miliardë euro (39.4 miliardë £) për karburantet fosile ruse që nga fillimi i pushtimit. Mund ta shihni gjurmuesin drejtpërdrejt nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër me qendër në Helsink.
Muajin e kaluar, kryediplomati i bllokut vuri në dukje se 1 miliardë euro (840 milion £) që dërgoheshin çdo ditë në Rusi në formën e pagesave për energjinë ishin 35 herë më shumë se shuma që BE i kishte dhuruar në fakt Ukrainës për ta ndihmuar atë të mbrohej.
BE-ja është e shqetësuar se varësia e saj nga lëndët djegëse fosile ruse po ndihmon pa dashje Kremlinin për të financuar pushtimin e Ukrainës, sepse një pjesë e konsiderueshme e pagesave merren nga qeveria ruse në taksa.
Në fakt, në vitin 2021, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerësoi se të ardhurat nga nafta dhe gazi përbënin 45% të buxhetit federal të Rusisë.