LIVE: Raketa, bombardime dhe sulme të vazhdueshme në Ukrainë/ Rusia paralajmërohet nga SHBA!

Bota

LIVE: Raketa, bombardime dhe sulme të vazhdueshme në Ukrainë/ Rusia paralajmërohet nga SHBA!

Nga: BOTA SOT Më: 3 maj 2022 Në ora: 06:09 Përditësuar në ora: 10:25 më 03.05.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Ambasadori ukrainas: Ukraina dhe Britania e Madhe po punojnë për të gjetur një zgjidhje për vizat

Ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar ka thënë se ai "po punon vazhdimisht me Home Office" për të gjetur një zgjidhje për vonesat në lëshimin e vizave për refugjatët, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Duke folur për Good Morning Britain, Vadym Prystaiko tha se ai e kuptonte se në një kohë lufte, Mbretëria e Bashkuar ishte e kujdesshme se kush "do të vinte në kombin tuaj".

Por ai tha se një "lehtësim i përkohshëm i vizave" do të ndihmonte ata që ikin nga lufta në vendin e tij. Shumë, tha ai, janë duke pritur në vendet fqinje evropiane.

Që nga 27 prilli - shifrat e fundit - 86,100 viza ishin lëshuar nga MB për refugjatët ukrainas, por deri më tani vetëm 27,100 kanë mbërritur.

Prystaiko falënderoi ata në Mbretërinë e Bashkuar që tashmë kishin "hapur zemrat dhe shtëpitë e tyre" duke pranuar refugjatë ukrainas./A.SH

Mbrojtja britanike: Ushtria ruse dukshëm më e dobët pas luftës në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar përditësimin e saj të fundit të inteligjencës mbi luftën në Ukrainë.

Sipas saj, ushtria ruse tani është "dukshëm më e dobët" si rezultat i pushtimit të Ukrainës, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ai thotë se rimëkëmbja e ushtrisë ruse do të bëhet më e vështirë nga sanksionet e vendosura ndaj Moskës dhe në afat të gjatë kjo do të pengojë aftësinë e vendit për të vendosur një forcë ushtarake konvencionale.

Ai thekson se buxheti i mbrojtjes i Rusisë afërsisht u dyfishua midis 2005 dhe 2018, me investime në disa kapacitete ajrore, tokësore dhe detare të nivelit të lartë.

Por modernizimi i pajisjeve fizike të Rusisë nuk i ka mundësuar asaj të dominojë luftën në Ukrainë, për shkak të dështimeve në planifikimin strategjik, shton Ministria e Mbrojtjes./A.SH

Më shumë se 200 civilë ende të bllokuar në fabrikën e çelikut në Mariupol

Më shumë se 200 civilë janë ende të ngujuar në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal të Mariupolit, ka thënë kryetari i bashkisë së qytetit Vadym Boychenko, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Një numër civilësh u evakuuan nga fabrika e çelikut - mbajtja e fundit e trupave ukrainase në qytetin me rëndësi strategjike - të dielën.

OKB-ja dhe Kryqi i Kuq kanë thënë se shpresojnë të evakuojnë më shumë civilë sot, shkruan BB, përcjell Bota sot.

Boychenko tha se rreth 100,000 civilë ishin ende në Mariupol, i cili ka qenë i rrethuar prej javësh./A.SH

Putini s’po i përgjigjet kërkesës së Papës për t’u takuar

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Papa Françeskut për t’u takuar në Moskë për të diskutuar luftën në Ukrainë.

Papa deklaroi se takimi do të ishte në kuadër të përpjekjeve për ta ndalë konfliktin i cili shpërtheu në fund të muajit shkurt pasi trupat ruse pushtuan Ukrainën.

Ai i tha gjithashtu gazetës italiane “Corriere Della Sera” se Patriarku Kirill i Kishës Ortodokse të Rusisë, i cili e ka mbështetur luftën, “nuk mund të bëhet djali i altarit të Putinit”.

Të dielën, Papa Françesku e përshkroi luftën në Ukrainë si një “regres makabër të njerëzimit” dhe tha se Mariupol ishte “bombarduar dhe shkatërruar në mënyrë barbare”.

Në një fjalim 15-minutësh në sheshin e Shën Pjetrit, ai tha se “mendja i rri në qytetin ukrainas të Mariupol, qytetin e Marisë, i bombarduar dhe shkatërruar në mënyrë barbare”.

Pentagoni: Mbi 200 ushtarë ukrainas janë trajnuar për përdorimin e M777-ve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë trajnuar mbi 170 ushtarë ukrainas, në më shumë se një vendndodhje, për të përdorur M777.

Ndërsa 50 të tjerë pritet që ta përfundojnë stërvitjen ditën e sotme.

Duke bërë që numri i ushtarëve të stërvitur të shkojë mbi 200.

Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë i Pentagonit. 

Luftë moderne me dronë në front

Lufta e Ukrainës po tregon qartë se dronët janë pjesë e luftës moderne. Dronët kryejnë detyra të ndryshme - nga vëzhgimi ajror deri te lëshimi i raketave.

Sipas të dhënave të Pentagonit SHBA ka zhvilluar një tip të ri dronësh, që u përgjigjen kërkesave të ushtrisë ukrainase dhe që do të vazhdojë të përshtatet edhe më tej: "Phoenix Ghost" quhet aparati fluturues. „Në bisedë me ukrainasit lidhur me kërkesat që kanë, ne arritëm në përfundimin se ky aparat special u përgjigjet shumë mirë kërkesave të tyre, sidomos për Ukrainën lindore," tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Zhvillimi i këtij droni ka filluar para zhvillimit të luftës së Ukrainës dhe do të zhvillohet edhe më tej për t'iu përshtatur kërkesave të ukrainasve. Më shumë se 120 drone të tilla do të dërgohen në Ukrainë, në kuadër të ndihmës ushtarake amerikane prej 800 millionë dollarësh amerikanë. Që kur u bë e ditur kjo është duke u diskutuar për specifikat e Phoenix Ghost: Çfarë pamje ka? Çfarë ndryshimi ka me sistemet e deritanishme të armëve?

Shumë gjëra nuk dihen. Fotografi nuk ka. Phoenix Ghost është zhvilluar nga sipërmarrja amerikane e armativeve, Aevex Aerospace në bashkëpunim me forcat ajrore amerikane, të cilët po ashtu nuk kanë dhënë detaje. Për të punuar me dronë nevojitet trajnim minimal, tha më tej zëdhënësi i Pentagonit, Kirby.

Droni i re u ngjan dronëve të ashtuquajtura Switchblade, të prodhuara nga AeroVironment, po ashtu amerikan. Ai është zhvilluar për t'u përdorur nga njësitë speciale amerikane në Afganistan. Në vitin 2012, ushtria amerikane pajisi trupat e veta me to.

Dronë kamikaze "Switchblade" 

Dronët e tipit Switchblade, dronë që mbahen në çantën e shpinës, bëjnë pjesë në kategorinë e "Loitering Munition" ose "Loitering Weapon", që do të thotë diçka e tillë si „municione ose armë të lëna vërdallë dhe që nuk janë në përdorim".

"Ato janë një lloj përzierje rakete dhe droneje", shpjegon për Deutsche Wellen, Arthur Holland Michel, Autor dhe anëtar i Këshillit Carnegie Council për etikë në çështjet ndërkombëtare në Barcelonë.

Loitering Munition ose Loitering Weapons quhen armët e manovrueshme që vihen në përdorim me telekomandë dhe ndizen fillimisht pa pasur ndonjë objektiv të caktuar, por lëshohen në rajonin e synuar, ku vijnë vërdallë për një kohë të gjatë deri sa me anë të një linku të dhënash operatori që ndodhet në tokë, i cakton një objektiv të cilin droni e godet. Në varësi nga modeli, në bazë të sistemit të sensorëve, objektivat që shfaqen mund të zbulohen, klasifikohen dhe të sulmohen në mënyrë autonome.

Konceptet Loitering Munition ose Loitering Weapon nuk janë ende shumë të përhapur. Kjo kategori armësh u bë e njohur fillimisht në luftën në Bergkarabach 2020, kur Azerbaxhiani vuri në përdorim sasi të mëdha të tyre.

Dronët Switchblade, që shqip do përkthehej si thikë me sustë, ekzistojnë në variacione të ndryshme. Modeli më i vogël peshon 2,5 kilogram, ka rreze 10 kilometra dhe mund të vijë vërdallë në ajër për 15 minuta. Variacioni më i madh peshon 15 kilogram dhe ka rreze veprimi 40 kilometra dhe kohë fluturimi 40 minuta.  

Dobia: "Në krahasim me dronë e mëdhenj, ky tip nuk ka nevojë për aerodrom ose shumë infrastrukturë, për ta vënë në punë," thotë Michel. "Dhe ndryshe nga raketa, droni ka më shumë kohë për të identifikuar objektivin, për të krijuar një imazh për gjendjen dhe për ta lëshuar raketën e drones si të thuash me dorë, ose për të qëlluar objektivin me ndihmën e një dalluesi objektivësh. Në këtë mënyrë kombinohen aftësitë e të dy sistemeve të armëve.” Dronët Switchblade, quhen edhe dronë kamikaz, sepse gjatë sulmit ato shkatërrojnë edhe veten. 

I përmirësuar: Phoenix Ghost

Dronet Phoenix Ghost kanë aftësi të ngjashme, por nuk janë tamam njësoj, thotë Kirby. David Deptula, gjeneral-lojtnant në pension, dekan i Institutit Mitchell për studimet në hapësirë dhe anëtar i kryesisë së sipërmarrjes Aevex Aerospace, jep për  "Politico" disa informacione më tepër – të cilat nuk janë konfirmuar deri tani.

Sipas tij, Phoenix Ghost janë po ashtu dronë njëpërdorimësh, por duke pasur gjashtë orë fluturimi mund të qëndrojnë në ajër shumë më tepër se sa dronet e tjera. Po ashtu, ato nisen vertikalisht, pra kursejnë shumë vend, dhe mund të operojnë edhe gjatë natës me anë të sensorëve infrarot, thotë Deptula. Ky është e efektshme për tu përdorur kundër „objektivave tokësorë tanke gjysmë të rëndë".

Flamurtar "Bayraktar TB2"

Tek kategoria e „dronëve më të mëdhenj" për të cilat flet Michel, bëjnë pjesë ata luftarakë dhe zbulues turk të tipit Bayraktar TB2. Edhe ato janë në përdorim në luftën e Ukrainës. Fjala turqisht "Bayraktar" do të thotë në gjermanisht "Fahnenträger", shqip Flamurtar. 

Ky dron është zhvilluar në vitin 2014 nga firma Baykar. Bayraktar TB2 është 6,50 metra i gjatë, 12 metra i gjerë dhe ka peshë 420 kilogram. Ai është krejtësisht autonom, mund të qëndrojë në ajër 24 orë pa pushim, arrin lartësinë e fluturimit 7300 metra dhe ka shpejtësi maksimale rreth 220 kilometra në orë. Në modus autonom ai mund të ndizet pa drejtim të ndonjë koordinatori në tokë, mund të fluturojë drejt një objektivi të programuar, të bëjë zbulime, të kthehet mbrapsht dhe të ulet në tokë krejtësisht e pavarur. Rrezja maksimale e veprimit është 150 kilometra.

"Vector": Teknologji gjermane për Ukrainën

Për misionet e zbulimit forcat e armatosura të Ukrainës mund të përdorin tani edhe dronët e zbulimit të firmës bavareze, Quantum Systems. "Dronët tanë të parë ndodhen tashmë faktikisht në Ukrainë," thotë shefi i firmës, Florian Seibel duke folur për Redaktions-Netzwerk Deutschland (RND). Furnizime të tjera janë planifikuar. Edhe gazeta londineze "The Times" ka shkruar për këtë gjë.

Pesë ditë u deshën që nga vendosja e kontaktit të parë deri tek nënshkrimi i kontratës dhe pak më vonë tre luftëtarë ukrainas dërguan në Bavari një selfie me drohnet e marra. Drohni ka emrin "Vector" dhe kushton rreth 180.000 euro. Çmimin e blerjes e kanë paguar multimilionerët ukrainas nga xhepi i tyre, si „ndihmë për komandon territoriale në mbrojtje të Dnipros," thuhet në artikullin e shkruar në RND.

Lidhjen midis luftëtarëve dhe firmës në Bavari e vendosi Konsullata ukrainase në Mynih. Droni gjerman, Vector, nuk është armë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ai nuk mund të hedhë bomba, sepse nuk është bërë për këtë punë. Por nëse bëhet lidhja përkatëse digjitale, aimund të kthehet në pjesë të një sistemi armësh, shkruan RND.

Vector është shumë i preferuar, sepse ka teknologji shumë të përparuar në fluturim dhe në transferimin e videove. Ukrainasit duan që me ndihmën e droneve të organizojnë sa më mirë artilerinë e tyre, për shembull kundër tankeve ruse që janë duke u afruar.

Për këtë gjë, Vector është perfekt: Ai mund të montohet pa pasur vegla, megjithë tre metrat gjerësi Vector nuk ka nevojë për pistë starti, përkatësisht ngrihet vertikalisht, njësoj si Phoenix Ghost. Vector dërgon në kohë reale video me kualitet të lartë për një zonë mbi 15 kilometra dhe qëndron në ajër deri në dy orë. Edhe njësitë speciale amerikane kanë porositur dronë Vector në vlerën e 7 milionë eurove dhe ushtria gjermane ka porositur tetë të tillë, thotë shefi i firmës Seibel për RND.

Ukraina: Flotë ndërkombëtare dronësh  

Edhe Japonia ka dërguar dronë në Ukrainë. Sipas ministrisë japoneze të Mbrojtjes me kërkesë të Ukrainës janë dërguar atje dronë, maska dhe veshje mbrojtëse. Por ushtarët ukrainas përdorin edhe dronë vendas. Më e përhapura ndër to është Leleka-100. Aparati fluturues 5 kilogramësh prodhohet nga firma Deviro me seli në Dnipro, në Ukrainën qendrore. "Leleka"në gjuhën e Ukrainës, do të thotë lejlek.

Ndërkohë duket se Rusia nuk i përdor shumë dronët. Aty ndodhet në përdorim më shumë droni Orlan 10, (shqiponja/10), një dron i vogël zbulimi dhe vëzhgimi, i prodhuar në qendrën për teknologji speciale në Sant Petersburg. Me një gjerësi 3,10 metra ai fluturon deri në 100 kilometra dhe mund të përdoret për të precizuar goditjet e artilerisë. Sistemi i zbulimit është ndërtuar shumë thjeshtë: Kamera për xhirimet nga ajri të serisë Canon-EOS-D- si dhe videokamera dhe kamera termike.

Një skenar horrori etik

Por megjithë këto hapa të zhvilluar nuk duhen lënë jashtë vëmendjes sfidat dhe rreziqet që dalin nga rritja e autonomisë së sistemit të armëve, pranon eksperti i dronëve, Arthur Holland Michel në një mesazh në twitter. Për shembull: 

A kanë ndërgjegje të mjaftueshme përdoruesit në një situatë të caktuar për të marrë vendimin për përdorimin e dhunës? A i ofrojnë armët përdoruesve mundësi të mjaftueshme kontrolli për të pasur kujdes gjatë sulmit? A janë armët të manipulueshme ose të ndjeshme ndaj sulmeve të hakerave, gjë që mund të çojë në aksidente dhe dëme të paparashikueshme? Nëse sistemi shkakton dëme të paparashikueshme, a ekzistojnë kanale të qarta për njerëzit që të marrin përgjegjësinë për këto dëme? Si mund të mënjanohen rreziqet dhe të respektohen standartet e sigurisë? Si mund të mbrohen civilët?

„Me çdo funksion autonom shtesë, që u jepet armëve të tilla shumëfishohen shqetësimet. Prandaj unë dua të inkurajoj njerëzit që të përqëndrohen tek funksionet e veçanta të automatizimit të këtyre sistemeve dhe tek rreziqet specifike që mund të lindin, nëse këto funksione nuk punojnë," thotë Michel. Zhvillimi i sistemeve të armëve që drejtohen me telekomandë ose janë armë autonome ecën përpara me shpejtësi, shqetësimet mbesin. Luftëra dronesh autonomë janë një skenar horrori etik./DW

Lufta në Ukrainë dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Rusia si anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit mund të pengojë çdo rezolutë, që dënon ndërhyrjen e saj në Ukrainë. Ç'vlerë ka atëherë ky këshill, shtron pyetjen president ukrainas Zelenskyj.

Në fillim të prillit përpara Këshillit të Sigurimit në Nju Jork u shfaq një video nga lufta në Ukrainë. Videoja tregonte „imazhe të tmerrshme" të viktimave civile në Buça, një lagje në periferi të Kievit, u shpreh përfaqësuesja britanike në OKB, Barbara Woodward. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit bëri përgjegjëse Rusinë për „krime lufte".

Por megjithatë, pavarësisht se si janë akuzat, ato në këtë forum me influencë të OKB-së nuk kanë pasoja për Rusinë si një nga pesë anëtaret e përhershme dhe dhjetë anëtarët e tjerë jo të përhershëm. Arësyeja është, se Rusia si anëtare e përhershme ka të drejtë vetoje. Kjo do të thotë, nëse vetëm një ndër pesë anëtarët: SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca – vendos veton çdo vendim bllokohet. Këtë e bëri Rusia një ditë pas sulmit ndaj Ukrainës më 24 shkurt: Këshilli i Sigurimit hodhi një rezolutë në diskutim me synim që Rusia menjëherë të ndërpriste sulmin rus. Rusia e hodhi poshtë rezolutën me veton e saj.

Këshilli i Sigurimit mban „përgjegjësinë kryesore" për paqen botërore

Sipas nenit 24 të Kartës së OKB-së vendet anëtare të OKB-së – ndërkohë janë 193 – ia kanë kaluar këshillit „përgjegjësinë kryesore pë ruajtjen e paqes botërore dhe të sigurisë ndërkombëtare". Por si qëndron puna kur njëri nga anëtarët e përhershëm nis vet një luftë sulmuese?

"Atëherë çfarë është siguria, për të cilën duhet të kujdeset ky këshill?", pyeti në mënyrë retorike presidenti ukrainas Zelenskyj këtë forum. Përfaqësuesit e këshillit duhet të kujdesen, që ta „largojnë Rusinë si agresore dhe shkaktare të luftës, në mënyrë që ajo të mos vazhdojë të bllokojë vendimet për agresionin e saj". Pa një reformë të thellë Këshilli i Sigurimit nuk ka vlerë dhe po ashtu edhe OKB-së mund t'i vihet „dryni".

Se sa pa efekt vepron Këshilli i Sigurimit në luftën e Ukrainës, këtë e pranoi javën e kaluar edhe vet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres. Gjatë vizitës në Kiev Guterres tha, se këshilli nuk ka bërë gjithçka është në kompetencat e tij për ta parandaluar luftën. "Ky është një burim zhgënjimi dhe indinjate të madhe", tha përfaqësuesi më i lartë i OKB-së, pa e përmendur Rusinë. Guterres kishte qenë më parë në Moskë, por sikurse edhe pritej ai nuk arriti asgjë për një paqe. Guterres qe i „shokuar", që gjatë vizitës së tij në Kiev goditën dy raketa.

Rusia nuk është më në Këshillin e të Drejtave të Njeriut – ashtu si përkohësisht nuk ka qenë edhe SHBA-ja

Ndërsa përjashtimi nga Këshilli i Sigurimit është praktikisht i pamundur, Rusia u përjashtua nga të tjera forume ndërkombëtare, ose edhe u tërhoq vet prej tyre: Ashtu si nga Këshilli i Europës, Rusia u përjashtua së fundi edhe nga anëtarësia në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Megjithatë nuk pati qendrim unik në radhët e anëtarëve: 93 anëtarë votuan pro, por 24 kundër, ndër to Algjeria, Bolivia, Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Eritrea, Etiopia, Irani dhe Siria – vende, në të cilat Rusia ka influencë ose vende si Kina, që për arësye strategjike e tolerojnë Rusinë.

Por Këshilli i të Drejtave të Njeriut nuk i intereson shumë Kremlinit. "Nuk e vrasim mendjen shumë për këtë forum", i tha DW-së, ish-zëvendësministri i Jashtëm rus Andrej Fjodorov. "Për ne natyrisht Këshilli i Sigurimit është më i rëndësishmi, që të vazhdojmë të jemi të pranishëm dhe të shpalosim pikëpamjet tona", tha Fjodorov. Ai pranoi, se „ekziston rreziku i një izolimi të Rusisë."

Këshilli i sigurimit pasqyron botën e vitit 1945

"Këshilli i Sigurimit është i destinuar për të mos pasur efekt, nëse një vend me veto i shkel rregullat", mendon politologu Johannes Varwick nga Universiteti në Halle. "Unë konstatoj një paaftësi veprimi prej shumë vitesh të Këshillit të Sigurimit dhe humbjen e peshës së OKB-së." Por kjo nuk është gjë e re. Deri në fund të konfliktit Lindje-Perëndim më 1989/90 "ne kishim një situatë të ngjashme: veto ose kërcënime reciprokisht me veto që  paralizonin njërën ose tjetrën palë".

Zelenskyj në një fjalim pasionant kërkoi një reformë të thellë. P.sh. „të gjitha rajonet e botës" duhet të jenë të „përfaqësuara drejt". Kërkesa e tij është po aq e vjetër sa edhe vet Këshilli i Sigurimit. Ndërsa dhjetë anëtarët me jo të përhershëm, nuk përzgjidhen sipas grupeve rajonale, anëtaret e përhershëm janë gjithmonë të njëjtët. Kjo e lidhur edhe me të drejtën e vetos, u jep atyre një influencë jo të mirë.

Përbërja e këtij rrethi të brendshëm pasqyron situatën gjeopolitike përpara 80 vjetësh: këtu janë mbledhur shtetet më të rëndësishme fituese të Luftës së Dytë Botërore. Asokohe shumë shtete të botës, p.sh. pothuajse e gjithë Afrika, ishin ende në varësi koloniale.

Të gjitha përpjekjet për reforma kanë dështuar

Vazhdimisht ka pasur përpjekje për ta reformuar Këshillin e Sigurimit. Ndër të tjerë vende si Brazili, India, Japonia dhe Gjermania më 2004 deklaruan se do ta mbështesin njeri-tjetrin për një vend të përhershëm. Edhe ideja, që Bashkimi Europian të ketë një vend të posaçëm shtrohet herë pas here. Një tjetër propozim është që të hiqet e drejta e vetos. Por deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

"Një reformë e Këshillit të Sigurimit është një sipërmarrje e pashpresë", beson Johannes Varwick. "Kjo vlen si për heqjen e së drejtës së vetos, ashtu edhe për rikompozimin e anëtarësisë, pra pranimin e vendeve të reja, qoftë me ose pa të drejtë vetoje. Thjesht nuk ka një formulë, me të cilën do të ishin dakord të pesë fuqitë me veto e pastaj të gjendjes një shumicë e dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme."

Sidoqoftë Varwick nuk e nënvleftëson tërësisht Këshillin e Sigurimit. „Vazhdimisht është arritur, për çështje kur interesat janë harmonizuar, që ky forum të luajë një rol: kjo do të ndodhë një ditë edhe në rastin e Ukrainës. Një opsion është edhe themelimi i „një aleance të demokracive", sikurse ka kërkuar vazhdimisht SHBA-ja. Një aleancë e tillë do të ishte një organizim tjetër përkundër OKB-së, por nëse kjo do të kishte sukses është e pasigurtë."/DW

Scholz tani për tani nuk do të shkojë në Kiev

Pas dështimit të vizitës së presidentit Steinmeier kancelari konsideron se i takon Ukrainës të reagojë. Kreu i opozitës, Friedrich Merz do të vizitojë Kievin.

Kancelari Olaf Scholz për shkak të refuzimit të vizitës së presidentit të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier nga pala ukrainase tani për tani nuk do të udhëtojë për në Kiev. "Kjo është një pengesë për këtë", tha politikani socialdemokrat në emisionin e ZDF-së „Po tani?" ("Was nun?"). „Eshtë një veprim që të bën mjaft përshtypje", të refuzosh të presësh presidentin e sapo rizgjedhur me shumicë të gjerë. Scholz shtoi se: „Nuk mund të funksionojë, që nga një vend, që jep kaq shumë ndihmë ushtarake, kaq shumë ndihmë financiare, të cilat janë të nevojshme, kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë të rëndësishme për Ukrainën në të ardhmen, të thuash: „Presidenti nuk lejohet të vijë."

Vizita e planifikuar e Steinmeierit në mes të prillit dështoi, pasi pala ukrainase nuk donte ta priste atë. Presidenti donte të udhëtonte në Kiev bashkë me presidentët e Polonisë, Letonisë, Estonisë dhe Lituanisë, të cilët në fund vizituan Kievin pa Steinmeierin. Presidenti Steinmeier kritikohet në Ukrainë për shkak të politikës së tij ndaj Rusisë kur ka qenë ministër i Jashtëm. Ndërkaq ai e ka pranuar se ka gabuar në vlerësimin e kreut të Kremlinit Vladimir Putin si dhe lidhur me linjën e gazsjellësit Nord Stream 2.

Kreu i CDU-së Merz do të vizitojë Kievin

Lidhur me udhëtimin e planifikuar për në Kiev të kryetarit të partisë kristiandemokrate në opozitë, Friedrich Merz, Scholz tha, se ai e ka informuar për planet e tij. "Unë nuk kam ndonjë rezervë lidhur me këtë." Merz pati deklaruar më parë, se do të shkojë në Kiev me ftesë të parlamentit të Ukrainës. Ai e ka informuar hollësisht qeverinë, por nuk ka kërkuar shoqërim nga Agjencia Federale e Kriminalistikës (BKA) për sigurinë e tij. "Për këtë nuk ka pasur as ndonjë ofertë përkatëse nga BKA", thotë Merz.

Gazeta "Tagesspiegel" njoftoi, se BKA e ka këshilluar kreun e opozitës ta shtyjë vizitën në Ukrainë. Kjo ka të bëjë me gjendjen e sigurisë atje. Gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, javën e kaluar në Kiev pati sulme me raketa./DW

​Zelensky sot me video-mesazh nga Kievi për shqiptarët

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë të posaçme plenare, ku pritet që presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky të drejtohet përmes një video- mesazhi nga Kievi

Në urdhrin e firmosur nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, seanca është parashikuar të mbahet në orën 11:00.

Kjo do të jetë hera e parë që presidenti i Ukrainës do të flasë në një parlament të Evropës Juglindore.

Që prej fillimit të luftës, Zelensky ka folur në disa parlamente evropiane, ku ka apeluar për më shumë ndihma ushtarake.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar do t’i drejtohet parlamentit të Ukrainës

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson pritet të përshkruajë rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit rus si "ora më e mirë" e vendit kur ai t'i drejtohet parlamentit të saj praktikisht të martën.

Johnson do të thotë se Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar u mblodh gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, ashtu siç ka bërë Verkhovna Rada e Ukrainës gjatë luftës me Rusinë, dhe se populli britanik tregoi një unitet dhe vendosmëri të tillë që ne e kujtojmë kohën tonë të rrezikut më të madh si më të mirën tonë orë, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

"Kjo është ora më e bukur e Ukrainës, një kapitull epik në historinë tuaj kombëtare që do të mbahet mend dhe rrëfehet për brezat që do të vijnë," do të thotë ai.

Johnson do të njoftojë gjithashtu një paketë prej 300 milion £ në mbështetje shtesë ushtarake, e cila do të përfshijë pajisje të luftës elektronike, një sistem radar kundër baterive, bllokues GPS dhe pajisje për shikim natën./M.H.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat