Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, është mes individëve që do të përfshihen në raundin e gjashtë të propozuar të sanksioneve të Bashkimit Evropian, sipas dy burimeve që kanë parë dokumentet e plota, raporton CNN, transmeton Bota sot.
Drafti i propozuar u është dërguar ambasadorëve përkatës për shqyrtim, thanë burimet. Në këtë fazë, emrat mund të hiqen ose shtohen sipas gjykimit të shteteve anëtare, tha një burim i Komisionit të BE-së.
Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi një sërë masash që përfshijnë gjithashtu një ndalim të naftës ruse.
Në një intervistë këtë javë, Papa Françesku kritikoi Kirillin për miratimin e arsyeve të deklaruara të Rusisë për pushtimin e Ukrainës, duke e paralajmëruar atë që të mos bëhet "djaloshi i altarit të Putinit".