Ukraina identifikon 10 ushtarë rusë të akuzuar për ‘kryerje mizori’ në Bucha - Zelensky ka një thirrje për BE-në

Bota

Ukraina identifikon 10 ushtarë rusë të akuzuar për ‘kryerje mizori’ në Bucha - Zelensky ka një thirrje për BE-në

Nga: Bota sot Më: 5 maj 2022 Në ora: 06:06 Përditësuar në ora: 17:24 më 05.05.2022
Volodymyr Zelensky

Presidenti Zelensky fton liderët gjermanë në Kiev

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ftuar kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier që të takohen me të në Kiev, citon agjencia e lajmeve AFP të ketë thënë zyra e presidentit gjerman, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Zelensky e bëri ftesën gjatë një bisede telefonike me Steinmeier, gjatë së cilës "u sqaruan acarimet e së kaluarës" dhe Steinmeier shprehu "solidaritetin, respektin dhe mbështetjen" e tij për Ukrainën.

Ftesa vjen tre javë pasi Steinmeier u refuzua nga Kievi për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike të Gjermanisë me Rusinë. Vizita e planifikuar e presidentit gjerman në kryeqytetin ukrainas u anulua në minutën e fundit./A.SH

Japonia vendos më shumë sanksione për Rusinë

Japonia po ngrin asetet e 140 shtetasve të tjerë rusë dhe po zgjeron ndalimin e saj të eksporteve për të përfshirë firmat ushtarake ruse, ka thënë kryeministri i saj gjatë një udhëtimi në Londër, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Masat u njoftuan nga Fumio Kishida i Japonisë pas një takimi në Downing Street me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson.

Duke folur më pas me gazetarët, Kishida tha se dhuna e Rusisë duhet të ketë pasoja dhe se agresioni i saj nuk ishte vetëm një problem për Evropën.

"Ukraina mund të jetë Azia Lindore nesër," tha Kishida kur u pyet nëse kishte paralele midis agresionit rus në Evropë dhe pohimit të Kinës për dominimin e saj në rajonin Indo-Paqësor.

Japonia dhe aleatët e saj nuk duhet "kurrë të tolerojnë një përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në me përdorimin e forcës në Indo-Paqësorin, veçanërisht në Azinë Lindore," tha ai./A.SH

​Bullgaria ofron akomodim për 33 mijë ukrainas

Qeveria bullgare ka siguruar strehim në objektet shtetërore për 33.000 ukrainas dhe do të jetë në dispozicion nga 31 maji, tha në një konferencë shtypi të enjten kryetarja e Agjencisë Shtetërore për Refugjatët, Mariana Tosheva. Ajo drejton gjithashtu njësinë e koordinimit të qeverisë për refugjatët ukrainas.

Tosheva tha se gjithsej 59,085 persona të larguar nga lufta në Ukrainë janë aktualisht duke qëndruar në hotele. Megjithatë, ata do të duhet të largohen nga hotelet deri në fund të majit për t'u lënë vend turistëve. Deri në atë kohë, qeveria do të duhet të sigurojë strehim për 26.000 apo më shumë.

Objektet ku do të zhvendosen refugjatët janë në pronësi të organizatave të ndryshme shtetërore. Ministria e Transportit do të ndihmojë me logjistikën e zhvendosjes.

Sipas Agjencisë Shtetërore për Refugjatët, gjithsej 97.068 ukrainas janë regjistruar për të marrë mbrojtje të përkohshme në Bullgari. Numri i përgjithshëm i refugjatëve ukrainas që banojnë në vend është 102.032.

Shteti bullgar ka arritur të sigurojë strehim për të gjithë ukrainasit që ikin nga lufta për një periudhë të shkurtër kohore, tha gjithashtu Tosheva, duke shtuar se disa nga refugjatët që kanë gjetur një punë në Bullgari tani mund të marrin me qira prona për veten e tyre dhe të mbulojnë shpenzimet e tyre.

Tosheva gjithashtu vuri në dukje se Agjencia pësoi një sulm hakerësh që dobësoi sistemet e saj.

Krasimira Velichkova, një këshilltare e zëvendëskryeministres së Qeverisjes së Mirë, Kalina Konstantinova, tha se qeveria duhet të sigurojë masa për integrimin e refugjatëve ukrainas dhe t'i ndihmojë ata të ngrihen në këmbë. Për tre muaj, të gjithë shtetasve ukrainas në Bullgari me status të përkohshëm mbrojtjeje do t'u sigurohet sigurimi shëndetësor i detyrueshëm i paguar nga shteti me Fondin Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore, kujtoi ajo.

Pasi të përfundojë periudha e sigurimit të paguar nga shteti, këta individë do të lejohen të paguajnë vetë dhe do të vazhdojnë të jenë të siguruar. Fëmijëve dhe të moshuarve do t'u sigurohet sigurim shëndetësor me pagesë nga shteti deri në përfundimin e statusit të tyre të mbrojtjes së përkohshme. Një dekret i qeverisë do të specifikojë aspektet e kontributeve të sigurimeve shëndetësore. Kjo temë është në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të së enjtes, tha Velichkova.

Ajo shtoi se qeveria ka në plan të vendosë masa shtesë për nxitjen e punësimit. Një nga ato masa parashikon që refugjatëve të cilët kanë gjetur punë t'u jepet mbështetje financiare shtesë për të paguar qiratë e tyre, vuri në dukje Velichkova.

Duke komentuar çështjen se kush do të kujdeset për fëmijët, veçanërisht për ata nën 7-vjeç, derisa prindërit e tyre janë duke punuar, Velichkova tha se qeveria po punon për të ndihmuar organizatat e ndryshme civile, kompanitë apo aktivistët social për krijimin e qendrave ditore.

Evropa mund ta ketë të vështirë eliminimin e naftës ruse

Bashkimi Evropian (BE) ka propozuar një embargo në disa faza për naftën ruse, por mund ta ketë të ndërlikuar për ta zbatuar, duke pasur parasysh rrjetin kompleks evropian të shpërndarjes, si dhe sfidat në gjurmimin e naftës së papërpunuar pasi ajo të përzihet apo rafinohet.

Nëse plani miratohet nga shtetet anëtare, do të hyjë në fuqi pas gjashtë muajsh për naftën e papërpunuar dhe pas tetë muajsh për naftën dhe produktet e tjera të naftës.

Sa të përkryera mund të jenë sanksionet e BE-së?

Sipas propozimit, Hungarisë dhe Sllovakisë do t'i jepet një periudhë më e gjatë - deri në fund të vitit 2023 - për t'u përshtatur me embargon. Kjo do të thotë se vendet e BE-së do të mund ende të blejnë naftë ruse nëpërmjet Hungarisë dhe Sllovakisë, përveç nëse plani ratifikohet për të parandaluar që të dyja vendet të blejnë më shumë naftë sesa që kanë nevojë.

A mund të arrijë në Evropë nafta ruse në rast të ndalimit?

Vendet evropiane mund të vazhdojnë të blejnë mallra ruse nga vende të tjera të treta, pa qenë në dijeni të origjinës së tyre.

Nafta zakonisht mund të gjurmohet në origjinën e saj bazuar në përbërjen e saj kimike, siç është përmbajtja dhe dendësia e squfurit. Megjithatë, disa blerës janë mashtruar në të kaluarën nga dokumente të falsifikuara, duke fshehur origjinën e ngarkesave nga vendet nën sanksione, përfshirë këtu Iranin dhe Venezuelën, bazuar në burime të industrisë.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Lukashenka: Lufta në Ukrainë përtej parashikimeve

Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka thënë se është duke bërë gjithçka që mundet për të ndihmuar në dhënien fund të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila është “zvarritur” më gjatë sesa e ka menduar ai.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, të publikuar më 5 maj, Lukashenka ka thënë se Kievi ka “provokuar” Moskën, teksa ka komentuar pushtimin rus në Ukrainë.

Ndonëse nuk ka dhënë hollësi sesi Ukraina e ka provokuar Rusinë para nisjes së luftës, Lukashenka ka thënë se ka informacione që tregojnë se Ukraina ka planifikuar të sulmojë edhe bjellorusët.

Lideri bjellorus i ka ndihmuar Rusisë në këtë konflikt duke ia lënë të lirë territorin e shtetit për të nisur sulme në tokën ukrainase.

Lukashenka është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar, prej kur ka pretenduar fitore në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat opozita i konsideron të manipuluara.

Lideri bjellorus – i cili është në pushtet nga viti 1994 - është përballur me protesta masive, të cilat ka tentuar t’i shuajë përmes taktikave të ashpra.

Lukashenka, 67-vjeçar, ka thënë për AP-në se është duke bërë “gjithçka” që mundet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Nuk jam i zhytur aq në këtë problem sa të mund të them nëse gjithçka shkon sipas planit, siç thonë rusët. Dua të theksoj edhe një herë, më duket se ky operacion është duke u zvarritur”, ka thënë Lukashenka nga Minsku.

Sipas tij, përdorimi i armëve bërthamore do të ishte gjë e “papranueshme”, mirëpo ka thënë se nuk e di nëse Rusia ka plane të tilla.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë përmendur disa herë arsenalin bërthamor të shtetit, prej kur Putin ka nisur luftën në Ukrainë më 24 shkurt.

Putin e ka vënë forcën bërthamore në gatishmëri të lartë pak ditë pas nisjes së pushtimit./REL

Pse Turqia mund të bëhet streha e re për oligarkët rusë, që u shmangen sanksioneve

 Giacomo Tognini Giacomo Tognini

Kur sanksionet perëndimore filluan të godasin oligarkët rusë pas pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin, shumë nga ata i zhvendosën jahtet e tyre jashtë Bashkimit Evropian dhe territoreve britanike për t’i shpëtuar rrezikut të sekuestrimit. Disa shkuan në Dubai, të tjerët në Maldive. 

Tani, destinacioni më popullor për jahtet e oligarkëve rusë është Turqia. Të paktën 8 jahte – duke përfshirë jahtet “Eclipse” me vlerë 438 milionë dollarë dhe “Solaris” me vlerë 474 milionë dollarë të Roman Abramovich – janë aktualisht të ankoruara në portet turke ose janë nisur së fundmi për atje. 

Sipas ekspertëve të vlerësimit të jahteve “VesselsValue”, anijet luksoze të ankoruara tani në Turqi kanë një vlerë kolektive prej 1.1 miliardë dollarësh. Ky vend është shumë popullor tek oligarkët rusë, për arsye që shkojnë përtej klimës së tij me diell dhe vijës së gjatë bregdetare mesdhetare.

Pavarësisht se është anëtare e NATO-s, Turqia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore, duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, dhe madje duke organizuar në Stamboll në fundin e muajit marsi negociatat e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Rusia teston sulme të simuluara raketore me aftësi bërthamore në Kaliningrad

Rusia thotë se forcat e saj kanë praktikuar sulme raketore të simuluara me aftësi bërthamore në enklavën e Kaliningradit në Detin Baltik, e cila ndodhet midis anëtarëve të BE-së, Polonisë dhe Lituanisë.

Moska thotë se ka praktikuar "lansime elektronike" të simuluara të sistemeve të raketave balistike të lëvizshme Iskander me aftësi bërthamore, njofton ministria e mbrojtjes në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve AFP.

Sistemi Iskander ka një distancë deri në 700 km (440 milje) dhe mund të arrijë, për shembull, në kryeqytetin gjerman, Berlin.

Kaliningrad është më shumë se 300 km larg Rusisë dhe mund të arrihet vetëm përmes një vendi të BE-së.

"Dhunë shumë e tmerrshme u ushtrua mbi civilët"

Christopher Stokes, koordinator i urgjencës me Medecins Sans Frontieres, tha për Sky News se organizata kishte marrë "shumë të plagosur nga Mariupol gjatë javëve dhe muajve të fundit", transmeton "Bota sot".

Ata janë evakuuar me trenin për mjekim në perëndim të vendit, tha ai nga Kievi.

Spitalet në kryeqytet "kanë ende kapacitet për të përballuar të plagosurit e luftës", shtoi ai.

Dhuna që disa civilë po vuajnë është "shumë tronditëse", tha Stokes, duke shtuar: "Ne kemi parë gra që u sulmuan në shtëpitë e tyre.

“Një grua që e transferuam dje tha se ushtarët rusë ia rrëzuan derën dhe e rrahën dhe ajo kishte lëndime shumë të rënda në fytyrë. “Kemi evakuuar fëmijë të cilët kanë qenë nën granatime të forta dhe na është dashur t'i sjellim në të gjithë vendin. “Duket se granatimet pa dallim nuk janë krijuar për të mbrojtur civilët. “Civilët po mbajnë peshën kryesore të këtij konflikti”./M.L.

Rusia dëbon shtatë diplomatë danezë

Ministria e Jashtme e Moskës ka thënë se shtatë diplomatë danezë janë shpallur “persona non grata”.

Kjo është kundërpërgjigje ndaj Kopenhagës që dëboi 15 diplomatë rusë muajin e kaluar, raporton Sky news, përcjell "Bota sot".

Rusia ka kundërshtuar që Danimarka të ofrojë ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Ministria shtoi se politika e hapur anti-ruse e Danimarkës po dëmton seriozisht marrëdhëniet dypalëshe dhe se rezervon të drejtën për të ndërmarrë hapa shtesë në përgjigje.

Ushtarët rusë ushtrojnë dhunë të tmerrshe ndaj civilëve ukrainas

Christopher Stokes, koordinator i urgjencës me Medecins Sans Frontieres, tha për Sky News se organizata kishte marrë "shumë të plagosur nga Mariupol gjatë javëve dhe muajve të fundit", përcjell "Bota sot".

Ata janë evakuuar me "trenin e mjekuar në perëndim të vendit", tha ai nga Kievi.

Spitalet në kryeqytet "kanë ende kapacitet për të përballuar të plagosurit e luftës", shtoi ai. 

Dhuna që po vuajnë disa civilë është "shumë e rëndë", tha Stokes, duke shtuar: "Ne kemi parë gra që janë sulmuar në shtëpinë e tyre".

“Një grua që e transferuam dje tha se ushtarët rusë ia rrëzuan derën dhe e rrahën dhe ajo kishte lëndime shumë të rënda në fytyrë. Kemi evakuuar fëmijë të cilët kanë qenë nën granatime të forta dhe na është dashur t'i sjellim në të gjithë vendin. Duket se granatimet pa dallim nuk janë krijuar për të mbrojtur civilët. Civilët po mbajnë peshën kryesore të këtij konflikti”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat