Siç kemi raportuar, zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk njoftoi se të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë evakuuar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol, raporton BBC, përcjell Bota sot.
Për ditë të tëra, një numër i vogël civilësh kanë dalë ngadalë nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol, vendi i fundit i rezistencës ukrainase në një qytet që ka parë disa nga luftimet më të ashpra që nga fillimi i pushtimit rus.
Ukraina ka akuzuar shpesh Rusinë se ka qëlluar në zonë, dhe për këtë arsye ka ndërprerë evakuimet e planifikuara.
Është e paqartë se si është situata për luftëtarët ukrainas të batalionit Azov, të cilët po ashtu janë strehuar në fabrikën e çelikut.
Për javë të tëra Rusia ka kërkuar dorëzimin e tyre - të cilën ata e kanë injoruar vazhdimisht.
Megjithatë, një nga luftëtarët ukrainas atje tha për BBC: "Situata në fabrikën e çelikut është tani kritike; ka qenë kritike për një kohë të gjatë, dhe tani po përkeqësohet."
Gjatë fjalimit të tij në orët e vona të natës të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se "ndërmjetësit me ndikim" dhe "shtetet me ndikim" ishin të përfshirë në një përpjekje diplomatike për të shpëtuar luftëtarët.