Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se ka dokumentuar 200 sulme në qendrat e kujdesit shëndetësor në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, raporton BBC, përcjell Bota sot.
Drejtori i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan, tha në një konferencë shtypi se do t'ua përcjellë gjetjet e veta atyre që mund të vlerësojnë nëse janë kryer krime.
Gjatë të njëjtës konferencë shtypi, shefi i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus i kërkoi Moskës të ndalonte luftën kundër fqinjit të saj dhe u tha ukrainasve "OBSH qëndron pranë jush".
Ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Lyashko tha se 40 spitale në Ukrainë ishin shkatërruar plotësisht.
Lyashko u citua nga agjencia e lajmeve Unian duke thënë se "rreth 500 spitale u dëmtuan, në të cilët nuk mund të ofrohet kujdes mjekësor".