LIVE: Vazhdon lufta e ashpër në Ukrainë/ 60 të vdekur nga bombardimi i një shkolle, bota e dënon sulmin!

Bota

LIVE: Vazhdon lufta e ashpër në Ukrainë/ 60 të vdekur nga bombardimi i një shkolle, bota e dënon sulmin!

Nga: Bota sot Më: 8 maj 2022 Në ora: 06:04 Përditësuar në ora: 00:54 më 09.05.2022
Ekipet e shpëtimit në Bilohorivka

Çifti i balerinëve flet mbi largimin nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë

Balerinët Adrian Blake Mitchell dhe partnerja e tij Andrea Lasakova, u larguan nga Rusia më një mars të këtij viti, nga një pikëkalimi që lidh Rusinë me Estoninë. Ata janë mes shumë balerinëve ndërkombëtarë, që vendosën të largohen nga ky vend, për shkak të kundërshtisë së tyre ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Adrian Blake Mitchell dhe Andrea Lasakova shkuan në Shën Petersburg si shumë balerinë, të tërhequr nga historia dhe rëndësia e baletit rus.

Tashmë në Shtetet e Bashkura ata po bëjnë prova për një shfaqje të ardhshme, që do të luhet në shkollën e baletit “Westside Ballet” në Santa Monika të Kalifornisë, atje ku Andriani ishte dikur student.

"Kemi jetuar në Shën Petersburg të Rusisë për shtatë vitet e fundit, duke interpretuar në teatrin “Mikhailovsky", thotë balerini amerikan, Adrian Blake Mitchell.

“Ka qenë gjithmonë ëndrra ime, që kur isha studente. Kam studiuar në Sllovaki, kam qenë gjithmonë e magjepsur nga gjuha ruse dhe kam dashur gjithmonë të kërcej në Rusi”, thotë Andrea Lasakova, me origjinë nga Sllovakia.

Por ëndrra e Adrianit dhe Andreas për të dhënë shfaqje në një nga kryeqytetet e kërcimit klasik në botë, u ndal papritur kur Rusia sulmoi Ukrainën.

"Mësuam mbi sulmin në Ukrainë dhe për shkak të kësaj vendosëm të largoheshim", thotë Adriani.

Akti i çiftit nuk u prit me duartrokitje të zjarrta ashtu sikurse ishin mësuar t'i shijonin gjatë shtatë viteve që intepretonin në teatrin “Mikhailovsky”.

Në vend të kësaj, pas një udhëtimi katër orësh nëpër Rusi, Adriani u përball me pyetjet e ashpra të agjentëve rusë të sigurisë (FSB-së) në një pikëkalimi kufitar mes Rusisë dhe Estonisë.

Adriani u hoq sikur nuk i kuptonte pyetjet që ata i bënin në rusisht se pse po largohej nga vendi dhe se çfarë kishte bërë gjatë kohës që kishte qëndruar aty. Pas rreth 10 minutash marrje në pyetje, ai u lirua dhe u bashkua me partneren e tij që e priste e shqetësuar.

"Ai qëllimisht bëri sikur nuk e fliste mirë rusishten, në fakt rusishtja e tij është shumë e mirë”, thotë Andrea ndërsa kujton atë moment.

"Isha i shqetësuar. Nuk isha i sigurt se çfarë do të kishte ndodhur nëse nuk do të përgjigjesha saktë. Ishte padyshim një moment i frikshëm, veçanërisht sepse në atë moment ishim shumë pranë daljes (nga vendi)", thotë Adriani.

Andrea dhe Adriani morën vendimin e menjëhershëm për t'u larguar nga Rusia sapo nisi lufta në Ukrainë, ndërsa kishin nisur të qarkullojnë zëra mbi vendosjen e mundshme të ligjit ushtarak, kolapsin financiar dhe kufizimin e lirive.

Ndërsa ishin në Rusi çifti nuk u përfshi në politikë, pavarësisht se kishin parë shumë protestues pro-demokracisë tek marshonin jashtë shtëpisë së tyre.

Por prej mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, ata kanë qenë të zëshëm në kundërshtimin ndaj luftës dhe në mbështetjen për popullin e Ukrainës.

"Sapo kalova kufirin, ndoshta brenda dy orëve, postova dhe shkruajta për luftën, duke e dënuar atë. Ne u vendosëm përballë një situate të vështirë. Por ajo që po ndodhte me popullin e Ukrainës ishte gjëja më tragjike dhe e tmerrshme që mund të imagjinoja", thotë Adrian.

Partnerë në skenë dhe jashtë saj, kërcimtarët besojnë se lufta ka shkaktuar një çarje të thellë në skenën ndërkombëtare të baletit.

"Shumica e miqve tanë janë ndërkombëtarë, ata u larguan dhe nuk mendoj se do të kthehen së shpejti, sepse është shumë e vështirë", thotë Adrea.

"Baleti rus padyshim që do të izolohet totalisht, i izoluar nga Perëndimi", thotë Adriani.

Ai beson se kërcimtarët që ndodhen ende në Rusi mund të jenë kundër luftës, por kanë frikë nga pasojat, nëse protestojnë.

"Dëgjon shumë pak kërcimtarë rusë që flasin, por shumë prej tyre duan të largohen pasi duan të kenë mundësi të flasin", thotë Adriani.

Prej largimit nga Rusia, Adriani dhe Andrea po zhvillojnë shfaqje e bashkëbisedime për të mbledhur fonde në mbështetje të Ukrainës.

"Mendoj se arti është mënyra më e mirë për të mbështetur dhe shprehur veten dhe për të treguar se cili është pozicioni që ke. Por jo të gjithë e kanë këtë mundësi, për fat të keq", thotë Adriani.

Aktualisht ata po bëjnë prova në “Westside Ballet” për një shfaqje të koreografit rus Oleg Vinogradov, "Barber's Adagio".

Është një balet që Adriani dhe Adrea e kanë interpretuar në Shën Petersburg, e që druhen se nuk do të munden ta kërcejnë më kurrë në Rusi./VOA

​Britania e Madhe vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Britania e Madhe ka njoftuar sanksione të reja që synojnë tregtinë me Rusinë në vlerë prej 1.7 miliardë funte, në përpjekje për të dobësuar më tej makinën luftarake të Vladimir Putin-it.

Ato përfshijnë tarifa shumë më të larta për importet me vlerë 1.4 miliard funte nga Rusia dhe ndalimet e eksporteve në vend që kapin vlerën e 250 milionë funte në vit, transmeton Sky News.

Masat e shpallura nënkuptojnë se vlera totale e produkteve që i nënshtrohen sanksioneve të importit ose eksportit të plotë ose të pjesshëm që nga pushtimi i Ukrainës është më shumë se 4 miliardë funte.

Britania po rrit tarifat për mallra të tilla si platini dhe paladiumi, që të dyja Rusia është një prodhuesi kryesor, me 35 pikë përqindjeje.

Ndalimet e eksportit mbulojnë mallra me vlerë më shumë se 250 milionë funte në sektorët e ekonomisë ruse që qeveria thotë se janë më të varur nga mallrat brtianike, duke synuar kimikatet, plastikën, gomën dhe makineritë.

Kjo është vala e tretë e sanksioneve tregtare të shpallura nga Britania e Madhe dhe do të thotë se, duke përjashtuar arin dhe energjinë, përqindja e importeve të mallrave nga Rusia e goditur nga kufizimet do të rritet në më shumë se 96%.

Britania ka thënë se do të heqë gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit. Qeveria tha se më shumë se 60% e eksporteve të mallrave në Rusi tani do të jenë nën kufizime të plota ose të pjesshme.

Sanksionet e mëparshme tregtare kanë përfshirë ndalimin e importit të argjendit, produkteve të drurit dhe mallrave të nivelit të lartë nga Rusia si havjar, si dhe tarifa më të larta për diamantet dhe gomën dhe ndalimin e eksporteve nga Britania në Rusi të mallrave luksoze.

Zelensky: 60 persona u vranë pasi bomba goditi shkollën

Rreth 60 persona u vranë pasi një bombë goditi një shkollë në Ukrainën lindore, tha presidenti Volodymyr Zelensky.

Më herët, guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se 90 njerëz ishin strehuar në ndërtesën në Bilohorivka dhe 30 u shpëtuan.

Zoti Haidai tha se një aeroplan rus kishte hedhur bombën të shtunën - Rusia nuk ka komentuar.

Luhansk ka parë luftime të ashpra ndërsa trupat ruse dhe luftëtarët separatistë kërkojnë të rrethojnë forcat qeveritare.

Pjesa më e madhe e rajonit ka qenë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia për tetë vitet e fundit.

Bilohorivka është afër qytetit të Severodonetsk, i kontrolluar nga qeveria, ku u raportuan luftime të ashpra në periferi të shtunën. Një gazetë ukrainase, Ukrayinska Pravda, thotë se fshati u bë një "pikë e nxehtë" gjatë luftimeve javën e kaluar.

Shpërthimi rrëzoi ndërtesën e cila mori flakë dhe zjarrfikësve iu deshën tre orë për të shuar flakët, sipas guvernatorit, që shkroi në Telegram.

Ai tha se pothuajse i gjithë fshati ishte strehuar në bodrumin e shkollës.

Numri përfundimtar i të vdekurve do të dihet vetëm kur rrënojat të ishin pastruar, tha guvernatori.

Zëvendëskryeministri rus viziton Mariupolin: Do ndihmojmë në rivendosjen e jetës paqësore

Zëvendëskryeministri rus Marat Khusnullin ka vizituar qytetin ukrainas të Mariupolit ditën e sotme, që është zyrtari më i lartë i qeverisë ruse që shkel në qytetin ukrainas pas javësh të bombardimeve ruse.

“Kam vizituar territoret e çliruara të DNR [Republika Popullore e Donetsk] dhe LNR [Republika Popullore e Luhansk]. Kam vizituar Mariupol, Volnovakha, Luhansk dhe qytete të tjera dhe kam biseduar me vendasit. Në rajone fillon rivendosja e jetës paqësore, duhet shumë punë. Ne do të ndihmojmë. Në veçanti, është e nevojshme të kryhet një punë në shkallë të gjerë për të ofruar ndihmë humanitare “– tha Khusnullin

Në përgjigje, Petro Andrushenko, një këshilltar i kryetarit të zgjedhur ukrainas të Mariupolit, tha se Khusnullin kishte vizituar portin detar të Mariupolit.

“Përveç grabitjes banale, vizita të tilla kanë të bëjnë gjithnjë e më shumë me përpjekjet për të integruar territoret e pushtuara drejtpërdrejt në Rusi,” tha Andrushenko.

​Rogozin: Rusia në një luftë bërthamore do ta shkatërronte NATO-n për gjysmë ore

Kreu i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos, Dmitry Rogozin, pretendon se Rusia do të shkatërronte vendet e NATO-s në një luftë bërthamore brenda gjysmë ore.

Në kanalin e tij Telegram, ai i bëri thirrje Rusisë që të mos lejojë që kjo të ndodhë.

“Në luftën bërthamore, ne do të shkatërrojmë vendet e NATO-s për gjysmë ore. Por ne nuk duhet ta lejojmë këtë, sepse pasojat e shkëmbimit të goditjeve bërthamore do të ndikojnë në gjendjen e Tokës sonë”, ka shkruar ai.

“NATO po bën luftë kundër nesh. Ajo nuk e publikoi, por kjo nuk ndryshon asgjë. Tani është e qartë për të gjithë. Batalionet kombëtare të Ukrainës dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës janë operatorë të trajnuar nga instruktorët e NATO-s që shtypin levat dhe butonat e armëve të NATO-s”, shtoi Rogozin.

Sipas tij, mposhtja e “një armiku më të fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht me armë konvencionale është e mundur vetëm me solidaritet të plotë të të gjithë vendit me ushtrinë, si dhe me mobilizimin e ekonomisë shtetërore dhe transferimin e kompleksit ushtarak-industrial të Rusisë dhe sektorëve industrialë të lidhur me bazat ushtarake”.

Dhe kjo duhet bërë menjëherë dhe shpejt”, përfundon ai.

Diplomatët amerikanë kthehen për herë të parë në Kiev që nga fillimi i agresionit rus

Kryediplomatja amerikane në Ukrainë, Kristina Kvien dhe ekipi i saj mbërritën në Kiev të dielën, thanë zyrtarët amerikanë

Vizita vjen pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken premtoi muajin e kaluar gjatë një vizite në Kiev rihapjen së shpejti të ambasadës amerikane në kryeqytetin ukrainas.

Lëvizja është hapi i fundit drejt rifillimit të aktivitetit të plotë të SHBA-së në Kiev pasi diplomatët filluan të kthehen në qytetin perëndimor Lviv muajin e kaluar. Ata ishin larguar nga vendi përpara fillimit të agresionit të Rusisë më 24 shkurt për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Vizita që po bëhet të dielën për të përkuar me Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore, është e përkohshme dhe nuk sinjalizon rihapjen e ambasadës, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. Rusia feston të hënën humbjen e Gjermanisë naziste në vitin 1945 dhe fundit e Luftës së Dytë Botërore.

Sekretari Blinken bisedoi me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba të dielën dhe e informoi atë se një grup i vogël i udhëhequr nga e ngarkuara me punë Kvien "shkoi në Kiev për angazhime diplomatike përpara rifillimit të planifikuar të aktivitetit të Ambasadës në Kiev", tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ekipi është delegacioni i parë i administratës së presidentit Biden që viziton kryeqytetin e Ukrainës që kur filloi sulmi rus, përveç vizitës së zotit Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin.

"Sekretari i tha ekipit të tij dhe ministrit të Jashtëm Kuleba se kthimi ynë në Kiev është një dëshmi e suksesit të Ukrainës, dështimit të Moskës dhe partneritetit tonë efektiv dhe të qëndrueshëm me qeverinë dhe popullin e një Ukraine sovrane, demokratike dhe të lirë," tha zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit./VOA

G-7 shënon Ditën e Fitores, duke shprehur mbështetjen ndaj Ukrainës

Udhëheqësit e vendeve të G-7-ës u zotuan të dielën të ulin gradualisht ose të ndalojnë importin e karburantit rus, ndërsa u takuan me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, për të theksuar mbështetjen e tyre dhe për të treguar unitetin e aleatëve perëndimorë në Ditën e Fitores në Evropë, e cila shënon dorëzimin e Gjermanisë naziste në vitin 1945.

Ulja e furnizimit me karburant nga Rusia "do të godasë fort në arterien kryesore të ekonomisë së Presidentit Putin dhe do t'i mohojë atij të ardhurat që i duhen për të financuar luftën", thuhet në një deklaratë të vendeve G-7, ku janë anëtarë Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia.

"Do të sigurohemi që të veprojmë në kohën e duhur dhe me rregullin e duhur, në mënyra që do t'i ofrojnë botës kohë për të siguruar furnizime alternative", thanë ata.

Duke e kthyer vështrimin pas në Luftën e Dytë Botërore, udhëheqësit theksuan unitetin në vendosmërinë e tyre që Presidenti Putin të mos triumfojë.

"I detyrohemi kujtimit të atyre që luftuan për liri gjatë Luftës së Dytë Botërore, që ta vazhdojmë luftën për këtë edhe sot, për popullin e Ukrainës, për Evropën dhe komunitetin global", thanë ata.

Një bisedë telefonike mes Presidenti amerikan Joe Biden, udhëheqësve të G7-ës dhe Presidentit Zelenskyy zgjati për gati një orë.

Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu sanksione të reja ndaj Rusisë për shkak të sulmit të saj në Ukrainë. Ato përfshijnë ndërprerjen e reklamave perëndimore në tre televizionet më të mëdha ruse, ndalimin e ofrimit të shërbimeve ndaj shtetasve rusë të kompanive amerikane të kontabilitetit dhe konsulencës, shtimin e sanksioneve të mëtejshme ndaj sektorit energjitik të Rusisë, përfshirë ndalimin e produkteve të drurit, motorëve dhe mjeteve industriale, etj.

Shtëpia e Bardhë i njoftoi sanksionet e reja përpara Ditës së Fitores më 9 maj, kur Presidenti rus Putin pritet të flasë të hënën për atë që e quan një operacion special ushtarak në Ukrainë, gjatë një fjalimi përpara forcave ushtarake të mbledhura në Sheshin e Kuq.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë po kundërpërgjigjen me mesazhin se Presidenti Putin po e izolon gjithnjë e më shumë Rusinë nga pjesa tjetër e botës dhe se po i shkakton dëm të jashtëzakonshëm ekonomisë ruse. Përpara lidhjes telefonike, zyrtarët britanikë thanë se Britania do të ofrojë 1.6 miliard dollarë të tjerë në mbështetje ushtarake për Ukrainën për ta ndihmuar të mbrohet nga forcat ruse.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau bëri një vizitë të befasishme në Ukrainë të dielën, ku vizitoi qytetin verior Irpin, i cili u dëmtua rëndë në fillimet e luftës, gjatë përpjekjeve të Rusisë për të marrë kryeqytetin Kiev. Kryetari i bashkisë publikoi në mediat sociale të dielën pamje të zotit Trudeau, dhe tha se udhëheqësi kanadez ishte tronditur kur pa dëmet ndaj shtëpive të civilëve.

Zyra e zotit Trudeau tha më vonë se "kryeministri ishte në Ukrainë për t'u takuar me Presidentin Zelenskyy dhe për të konfirmuar mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për popullin ukrainas".

Në Gjermani, Kancelari Olaf Scholz tha në një fjalim të transmetuar nëpërmjet televizionit se kjo e dielë është "një 8 maj si asnjë tjetër".

Ai tha se Gjermania ka punuar shumë për të mbajtur përgjegjësitë e veprimeve të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u pajtuar me Rusinë dhe Ukrainën, dhe duke iu përkushtuar konceptit "kurrë më". Por sulmi "barbar" i Rusisë në Ukrainë në muajin shkurt e riktheu luftën sërish në Evropë, tha zoti Scholz, diçka që më parë ishte e paimagjinueshme.

"Liria dhe siguria do të mibzotërojnë - ashtu siç liria dhe siguria triumfuan mbi mungesën e lirisë, mbi dhunën dhe diktaturën 77 vite më parë", tha zoti Schulz në fjalimin e tij.

Edhe kryeministri i Kroacisë vizitoi të dielën Ukrainën, pas njoftimeve se një shtetas kroat që luftonte në Mariupol ishte kapur rob nga forcat ruse. Qeveria kroate tha se vizita e Kryeministrit Andrej Plenkovic ishte "një shprehje solidariteti dhe mbështetjeje" për udhëheqësit dhe popullin ukrainas./VOA

Këto janë sanksionet e reja të ShBA-së ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një shtresë të re sanksionesh ndaj Rusisë, duke synuar shërbimet, mediat propagandistike të Rusisë dhe industrinë e saj të mbrojtjes, në prag të paradës së planifikuar të presidentit rus, Vladimir Putin, për “Ditën e Fitores”.

Masat e reja u njoftuan pasi udhëheqësit e grupit G7 mbajtën një samit virtual me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Sanksionet synojnë kryesisht të mbyllin zbrazëtirat në sanksionet ekzistuese dhe t’i rëndojnë rreth ekonomisë ruse me disa nivele të tjera, raporton Guardian.

Sanksionet e reja përfshijnë:

– Ndalimi i shitjeve të shërbimeve amerikane në Rusi, si kontabiliteti dhe konsulenca e menaxhimit;

– Nuk ka më reklama amerikane apo shitje të pajisjeve të transmetimit në tre stacione televizive të kontrolluara nga Kremlini;

– Ndalimet e eksportit të teknologjisë duke përfshirë motorët industrialë, buldozerët dhe sende të tjera që mund të përdoren nga fabrikat ruse të mbrojtjes;

– Kufizime vizash për 2600 individë të tjerë rusë dhe bjellorusë, përfshirë zyrtarë ushtarakë dhe drejtues nga Sberbank dhe Gazprombank.

​SHBA vendos regjimin e vizave ndaj më shumë se 2600 zyrtarëve rusë e bjellorusë

Shtetet e Bashkuara kanë futur viza për më shumë se 2600 zyrtarë rusë dhe bjellorusë, nën akuzat se po minojnë sovranitetin e Ukrainës dhe shkelin të drejtat e njeriut në atë vend, njoftoi sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Forcat ruse kanë kryer krime lufte në Ukrainë, kanë vrarë mijëra civilë dhe kanë krijuar një katastrofë humanitare. Si përgjigje, Departamenti i Shtetit ka vendosur kufizime vizash për 2600 ushtarakë rusë dhe bjellorusë dhe zyrtarë të tjerë për të promovuar përgjegjësinë”, ka shkruar Blinken në Twitter.

Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar një politikë të re kufizuese që zbatohet për zyrtarët ushtarakë rusë dhe njerëzit që mbështeten ose besohet se janë të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Në të njëjtën kohë, Uashingtoni vendosi sanksione kundër tri stacioneve televizive ruse sot dhe ndaloi qytetarët amerikanë që të ofrojnë shërbime të kontabilitetit dhe këshillimit për rusët, dhe bordi i Gazprombank u sanksionua për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

​Sulmi rus ndaj shkollës në Ukrainë, Borrell: Autorët të sillen para drejtësisë

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka dënuar sot ashpër sulmin e forcave ruse ndaj një shkolle në Bilohorivka, rajoni i Luhansk, në Ukrainë.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se BE-ja dënon shpërfilljen e hapur të Rusisë ndaj civilëve dhe do të mbështesë përpjekjet për të sjellë autorët para drejtësisë.

“I tmerruar nga sulmi ajror rus në një ndërtesë shkolle në Bilohorivka, rajoni i Luhansk, me shumë fëmijë të vrarë. BE dënon shpërfilljen e hapur të Rusisë për jetën civile dhe do të mbështesë përpjekjet për të sjellë autorët para drejtësisë”, ka shkruar kryediplomati evropian.

Ndryshe, dhjetëra njerëz dyshohet se kanë vdekur pasi një sulm ajror rus rrëzoi një shkollë në Ukrainën lindore të shtunën, thanë zyrtarët lokalë, ndërsa forcat ruse vazhduan bombardimet e tyre të pandërprera të qyteteve dhe qyteteve në të gjithë rajonin.

Qeveria ukrainase tha se bodrumi i shkollës në Bilohorivka, në rajonin e Luhansk, po strehonte civilë. Fshati është vetëm disa milje larg vijës së frontit dhe është sulmuar vazhdimisht.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat