Qytetet ukrainase po përgatiten për të luftuar një sulm të gjithanshëm nga forcat e Vladimir Putin, ndërsa Rusia përgatitet të festojë Ditën e Fitores të hënën.
Me afrimin e ditës, trupat ukrainase kanë forcuar pozicionet e tyre rreth qytetit të Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit, raporton Independent, përcjell "Bota sot".
Ditët e fundit, Ukraina lindore është përballur me luftime intensive pasi të dyja palët synojnë të marrin territor aktualisht nën kontrollin e askujt. "Këto data simbolike janë për agresorin rus si e kuqja për një dem," tha zëvendësministri i parë i brendshëm i Ukrainës, Yevhen Yenin.
Ministri shtoi: "Ndërsa e gjithë bota e qytetëruar kujton viktimat e luftërave të tmerrshme në këto ditë, Federata Ruse dëshiron parada dhe po përgatitet të kërcejë mbi kocka në Mariupol".
Festa kombëtare ruse përkujton fitoren e ish-Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Në një shfaqje të fuqisë ushtarake, trupat ruse do të marshojnë nëpër Sheshin e Kuq në Moskë për të shënuar këtë rast.