Situatë e frikshme, pasoja të mëdha do të ndodhin nëse Rusia sulmon shtetet e tjera – vjen paralajmërimi!

Bota

Situatë e frikshme, pasoja të mëdha do të ndodhin nëse Rusia sulmon shtetet e tjera – vjen paralajmërimi!

Nga: BOTA SOT Më: 9 maj 2022 Në ora: 06:21 Përditësuar në ora: 13:08 më 09.05.2022
Një kamion ushtarak transporton një platformë me një mjet artilerie vetëlëvizëse ukrainase në rajonin e Donetsk, Ukrainë, të hënën, 9 maj 2022. (AP Photo / Evgeniy Maloletka)

Putin me një fjalim më të shkurtër i fokusuar në të tashmen, jo në të kaluarën

Siç kemi raportuar, nuk pati njoftime të mëdha në fjalimin e Vladmir Putin për Ditën e Fitores.

Por ishte e pazakontë për dy arsye në krahasim me atë që ndodh normalisht më 9 maj.

Ishte fokusuar fort tek e tanishmja (normalisht ai flet për fitoren në 1945) dhe ishte më e gjatë se normalja (fjalimi zgjati vetëm pesë minuta vitin e kaluar), shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Por mesazhi kryesor i liderit rus ishte i thjeshtë dhe i qartë - ne duhet të luftojmë Ukrainën sepse ata janë neo-nazistë dhe ne duhet të përfundojmë atë që filluan të parët tanë duke mposhtur Gjermaninë naziste./M.H.

​Putin pranon humbjet e forcave ruse, ofron mbështetje për fëmijët e ushtarëve të rënë

Edhe pse disa ishin të frikësuar se presidenti rus, Vladimir Putin do të shpallte një mobilizim të plotë të ushtrisë në fjalimin e tij të “Ditës së Fitores”, kjo nuk ndodhi, shkruan skynews.

Putin nuk shpalli as fitoren e trupave ruse, derisa ofroi mbështetje për fëmijët e ushtarëve të rënë në luftën që e nisi vet në Ukrainë, kjo si një pohim i humbjeve të forcave ruse.

Putini tha se humbjet ndaj forcave ushtarake të Rusisë janë “një tragjedi për të gjithë”, por “një humbje e pazëvendësueshme për familjet e tyre”.

Putin mbajti një minutë heshtje për ushtarët e rënë duke thënë se “operacioni ushtarak special” i Rusisë në Ukrainë, ishte një masë e nevojshme.

Ai tha se ishte “vendimi i duhur” i një vendi të pavarur, të fortë dhe sovran.

Stoltenberg: Putin të fillojë negociatat e paqes

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës në Ukrainë menjëherë.

Duke folur për gazetën gjermane Die Welt, Stoltenberg tha se Putin duhet t’i tërheqë trupat e tij nga Ukraina dhe të fillojë negociatat e paqes.

Ne qëndrojmë fuqishëm në krah të Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë këtë vend që të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje”, tha Stoltenberg.

Komentet vijnë në ditën kur Rusia shënon Ditën e Fitores, apo atë që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste, më 1945.

Stoltenberg tha se Putin e ka shfrytëzuar rregullisht fjalimin e tij të 9 Majit për të përhapur gënjeshtra për Perëndimin dhe për të kritikuar NATO-n.

Unë pres që Putini përsëri të përhapë gënjeshtra për NATO-n dhe Perëndimin në përgjithësi”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij për Ditën e Fitores, Putin e uroi ushtrinë e tij dhe tha se Perëndimi ka bërë “komplote” për të kërcënuar Rusinë.

Sipas Putinit, “operacioni ushtarak” në Ukrainë ka qenë “i nevojshëm” dhe “në kohë”.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje.

Mijëra njerëz janë vrarë në luftime dhe miliona janë zhvendosur nga shtëpitë.

Përfaqësuesit rusë dhe ata ukrainas kanë nisur negociatat për paqe shumë shpejt pas shpërthimit të luftës, por, deri më tash, ato nuk kanë sjellë ndonjë rezultat.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra, ekonomike dhe diplomatike, kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim./REL

Alarmet nga sulmet ajrore dëgjohen në Kiev

Derisa Moska e ka mbajtur paradën e saj të Ditës së Fitores, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Ushtria ukrainase ka thënë gjithashtu se katër raketa e kanë goditur qytetin e Odesës në minutat e fundit.

Pjesa ajrore e paradës së Ditës së Fitores është anuluar për shkak të motit, thotë zyrtari i Kremlinit

Pjesa ajrore e paradës së Ditës së Fitores në Moskë është anuluar për shkak të motit, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti.

Ceremonia do të shfaqte 77 avionë që fluturonin mbi Sheshin e Kuq të Moskës.

Për të përkujtuar 77-vjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Kujtojmë që presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nisur fjalimin e tij për Ditën e Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës duke u thënë luftëtarëve rusë se tani po luftojnë për sigurinë e Rusisë.

Furnizimet me armë mjet për paqen?

Gjermania po e furnizon Ukrainën me artileri të rëndë. Për ekspertët dërgimi i armëve, forcimi i aftësisë vetëmbrojtëse të Ukrainës dhe dobësimi i Rusisë mund të çojnë palët në negociata për paqen.

Vetëm dy ditë më parë ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht bëri të ditur se Gjermania do t'i ofrojë Ukrainës 7 tanke luftarake të tipit 2000 dhe 50 tanke Gepard, por jo nga rezervat aktive të ushtrisë gjermane. Ekspertë ushtarakë gjermanë kishin shprehur shqetësimin, se dorëzimi i armatimit nga stoqet aktuale të ushtrisë do të nënkuptonte një kufizim të ndjeshëm të aftësisë mbrojtëse të vendit.

Kundër dërgimit të armëve - rrugë drejt "luftës së tretë botërore"

Në Gjermani ishte për një kohë të gjatë mjaft i debatuar dërgimi i armëve të rënda në Ukrainë. Përkrahësit e furnizimit me armë të rënda argumentojnë, se në Ukrainë zhvillohen luftime që mund të ndikojnë mjaft në rendin e ardhshëm të sigurisë në Europë. Kurse kundërshtarët e dërgimit të armëve të rënda i tremben përhapjes së konfliktit. Ish-gjenerali, Erich Vad, ish-këshilltar i kancelares së mëparshme, Merkel është shprehur në një intervistë për ZDF, se dërgimi i armëve të rënda është potencialisht "rrugë drejt luiftës së tretë botërore. Vad është shprehur, se "momentalisht po përdorim shumë retorikë lufte, sigurisht nga një qëllim i mirë etik", por ne duhet ta shohim luftën mes Rusisë dhe Ukrainës nga fundi. "Nëse nuk duam luftën e tretë botërore, duhet herët ose vonë të dalim nga kjo logjikë shkallëzimi ushatrak dhe të fillojmë negociatat."

Pro armëve: Schneckener - Armët shans për paqen

Dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë, studiuesi i konflikteve në Universitetin e Osnabrykut, Ulrich Scheneckener e vlerëson madje si një shans për paqen në negociatat me Rusinë. Vetëm nëse Ukraina është në gjendje të mbrohet për një kohë të gjatë kundër pushtimit rus, mund të krijohet një situatë pati mes dy palëve në luftë, është shprehur Schneckener për shërbimin evangjelist të shtypit, epd.

Por ai thekson, se do të ishte e vështirë që me një armëpushim të arrihej një zgjidhje për zonat e pushtuara nga Rusia. Qeveria ruse, sipas modelit të Krimesë do t'i shohë zonat e pushtuara si pjesë të Rusisë që duhen mbrojtur. Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare është e qartë, se as Kievi nuk do të heqë dorë nga zonat e pushtuara. "Nëse të dyja palët hap pas hapi do të bien dakord për statusin territorial para pushtimit është mëse e paqartë."

Por mbështetja e Ukrainës me armë ka rëndësi për të pasur si mundësi edhe një skenar tjetër, shprehet Schneckener. Zmbrapsjen e pushtimit rus nga zonat ukrainase, mundësisht të lidhur edhe me një ndryshim politik në Moskë. "Atëherë negociatat do të zhvilloheshin kryesisht mbi kushtet dhe planet kohore për tërheqjen e rregullt të trupave ruse."

Për studiuesin është e qartë, se ndërprerja e furnizimeve me armë do të thotë një dobësim i ndjeshëm i Ukrainës dhe dorëzim të këtij vendi tek Putini. "Kjo do të ishte leje për presidentin rus që të pushtojë edhe territore të tjera ose madje të sulmojë rishtas edhe Kievin. Pse do duhej të ulej ai atëherë në një tavolinë negociimi?", pyet politologu. Kurse paralajmërimet, se furnizimi i Ukrainës me artileri të rëndë do të interpretoheshin si hyrje në luftë e NATO-s, shikohen nga eksperti si pa bazë. Ka vite që përdoret argumenti, që të mos provokohet Putini. Ky argument çoi në politikën e gabuar të Gjermanisë kundrejt Rusisë, që tani me të drejtë kritikohet, thotë Schneckener.

Edhe eksperti i  Europës Lindore dhe historiani, Wolfgang Eichwede thekson, se qëllim i perëndimit duhet të jetë vetëm dështimi ushtarak i Putinit. "Në rast se Rusia do të fitonte, kjo do të rriste në mënyrë dramatike rrezikun e luftës në të gjithë Europën", shkruan drejtori themelues i Institutit për Europën Lindore në Bremen për gazetën "Weser Kurier" të shtunën (07.05.) "Qëllimi i diplomacisë dhe ekonomisë sonë është të rrisë presionin në atë masë, që pushtetmbajtësit në Kremlin të kuptojnë dëmet e politikës së tyre dhe të distancohen nga idetë e shkallëzimit të konfliktit që do të sillte dëme të paimagjinueshme."/DW

Bllok antiperëndimor? Kina, Rusia dhe rendi i ri botëror

Lufta e Ukrainës e ka afruar më shumë Europën dhe SHBA, por edhe Rusinë me Kinën. Kërcënon krijimi i një blloku antiperëndimor e çfarë do të thotë kjo për Gjermaninë?

Në këto kohë kthesash të mëdha sikur nuk vihen re shumë disa lajme, që në vetvete kanë potencialin e paralajmërimit të kthesave të mëdha. Kur Bundestagu javën e kaluar me shumicë të qartë votoi për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë, një pasazh në fund të dokumentit ishte po ashtu shumë domethënës. Kinës i kërkohet me vendosmërri të heqë dorë nga miratimi i luftës si edhe të mbështesë një armëpushim. Kësaj i shtohej një kërcënim i qartë: Nëse Pekini do të minojë sanksionet perëndimore apo madje do të dërgojë armë në Ukrainë, kjo do të sillte si pasojë edhe sanksione kundër Kinës.

Lamtumira nga naiviteti i Merkelit

Paralajmërime të tilla para disa javësh ishin të pamendueshme, ashtu si edhe dërgimi i tankeve në Ukrainë. Kjo kthesë e politikës gjermane shënon në radhë të parë një lamtumirë të pakthyeshme me politikën e Kinës të Merkelit apo më saktë naivitetit në lidhje me Kinën, që e vinte fokusin tek bizneset lukrative që bënte ekonomia, por që nuk donte t'i shihte përpjekjet agresive të Pekinit si superfuqi.

Krijimi i një blloku

Europa shumë herë e përçarë me fillimin e luftës në Ukrainë është bashkuar më shumë me SHBA. Se ku qëndron Kina në këtë konstelacion dihet prej kohësh. Ngushtë në krah të Rusisë. Afrimi i Rusisë me Kinën në një bllok nuk është një vogëlsi. Ajo tregon një zhvendosje të rendit botëror, kthesë epokale, si e kemi parë me rënien e Murit të Berlinit. Pyetja që shtrohet është se sa i qëndrueshëm është blloku kinezo-rus në të vërtetë. Në fillim të Lojërave Olimpike Putini dhe Xi Jinping kishin bërë të ditur, se partneriteti kinezo-rus "nuk njeh kufi".

Rusia dhe Kina bashkohen në atë që si fuqi ekspansive duan ta ndajnë botën në zona influence. Rusia po zhvillon për këtë një luftë brutale në Ukrainë. Kina kërcënon nga ana e saj gjithnjë e më hapur integritetin territorial të Tajvanit. Kundërshtari i përbashkët është SHBA në këtë zgjerim pushteti. Po ashtu edhe krahas unitetit strategjik, Pekinin dhe Moskën e bashkon refuzimi i vleraven perëndimore-liberale, frika nga demokracia brenda vendit, përndjekja e disidentëve dhe krijimi i një kulti të personit.

Megjithkëto blloku Rusi-Kinë nuk është aq i fortë sa duket në pamje të parë. Kina vërtet i refuzon sanksionet kundër Rusië, por është larg asaj të ndihmojë Rusinë në pasojat ekonomike që do të ketë. Në radhë të parë kjo nuk është në interes të Kinës. Kina ka interes tek tregu europian. Vëllimi ekonomik i BE në vitin 2020, sipas Bankës Botërore, është dhjetë herë më i madh se ai i Rusisë. Rusia nuk mund të zëvendësojë tregun europian, prej të cilit Kina është e varur. Tjetra, politika "zero covid" e presidentit Jinping po i fut në krizë të rëndë qytete si Shangai. Kohët kur Pekini u jepte kredi të majme vendeve në Rrugën e Mëndafshit kanë kaluar. Në këtë bllok është e qartë se kush është lart dhe kush poshtë. Që para luftës zyrtarët kinezë e shihnin nga lart-poshtë Rusinë.

Firmat gjermane të varura nga Kina

Sanksionet e dobësojnë Rusinë dhe Kina mund të përfitojë. Sepse mund të blejë naftën dhe gazin rus me çmim të lirë dhe do të zgjerojë influencën e saj në Azinë Qendrore në kurriz të Rusisë. "Fitorja më e madhe është ajo që nuk kërkon asnjë betejë", ka shkruar njëherë filozofi ushtarak kinez, Sunzi. Kjo duket të jetë edhe strategjia e Jinpingut. Të qëndrojë larg, të presë, derisa një Rusi e dobësuar t'i nënshtrohet vetë Pekinit.

Ndoshta prandaj në të gjitha raundet për Rusinë në Berlin, në sfond qëndron si problem Kina. Varësia nga energjia ruse mund të zgjidhet, por varësia nga tregu kinez, nga zinxhirët e furnizimit, high-tech etj, kjo është e vështirë të pritet. Në fund Kina do të jetë problemi më i madh, këtë e tregon kjo kthesë epokale./DW

Thomas Reichert/ZDF

Koment: Putini në Ukrainë e privoi veten nga “Fitorja e Madhe”

Lufta kundër Ukrainës është një goditje e fuqishme për kujtesën e fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. E ardhmja për Rusinë nuk duket e mirë, beson Ivan Preobrazhensky.

Bombat në Kiev, Kharkiv dhe Odesa - agresion pa shpallje lufte. Kur dëgjonim këto fjalë më herët, ishte e qartë se flitej për sulmin e Gjermanisë naziste ndaj Bashkimit Sovjetik, "Lufta e Madhe Patriotike”, siç quhet Lufta e Dytë Botërore në Rusi.

Lufta e Dytë Botërore ndante kohën në "para" dhe "pas" Luftës. Kur thuhej "pas Luftës" të gjithë e dinin se flitej për periudhën pas vitit 1945. Por që nga shkurti i vitit 2022, një luftë tjetër po e ndaë të kaluarën nga e tashmja, por me dallimin që Rusia tani është agresore.

Po vriten dëshmitarët e fundit

Deri në shkurt 2022, kujtimi i fitores në Luftën e Dytë Botërore ishte baza e identitetit rus. Të gjitha sondazhet dhe studimet që nga fundi i viteve 1990 kanë treguar se sa e rëndësishme është kjo fitore në ndërgjegjen publike të Rusisë. Jo më kot regjimi i Putinit e bëri kujtimin e asaj fitoreje si elementin më të rëndësishëm me të cilin duhej të mbahej e bashkuar shoqëria ruse. Ajo u shndërrua në një lloj feje civile të pranuar nga shumica e rusëve.

Viktimat e Luftës së Dytë Botërore përkujtohen me fushatën "Regjimenti i Pavdekshëm". Ideja për këtë fillimisht erdhi nga shoqëria, si një alternativë ndaj patosit të fitores shtetërore dhe parullave të tilla si: "Ne mund ta bëjmë përsëri". Por kjo iniciativë sociale u miratua shpejt nga propaganda shtetërore, siç ishte shiriti i Shën Gjergjit, i cili kthehet në një dekoratë ushtarake në Perandorinë Ruse dhe më vonë u rifut në Bashkimin Sovjetik me një emër tjetër. Në Rusi sot është simboli kryesor i kujtimit të fitores kundër Gjermanisë naziste. Edhe këtu shoqëria ruse ndoqi propagandën e Kremlinit. Por në shkurt 2022, vetë Putini shkatërroi këtë shtyllë të identitetit rus.

Trupat ruse në Ukrainë tani jo vetëm që po bombardojnë Kharkivin dhe Odesën, por po sulmojnë Mykolaivin dhe po pushtojnë Khersonin. Ato hedhin bomba pranë memorialit të Holokaustit Babyn Yar në Kiev dhe, nga frika, qëllojnë mbi tanket që ende qëndrojnë në piedestale në qytetet ukrainase e që përkujtojnë Luftën e Dytë Botërore. Nuk është vetëm "Fitorja e Madhe” synimi i tyre. Sulmohet jo vetëm kujtimi i veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, por edhe veteranëve personalisht - sulmohen dëshmitarët e paktë të mbijetuar të luftës që nuk janë në gjendje të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë granatimeve ruse.

Koha e re

Lufta agresive e nisur nga Vladimir Putini (nëse nuk përfundon me një sulm bërthamor), do të rezultojë me një luftë të re ku do të ndahen ata që kanë rezistuar ndaj agresionit dhe të tjerët. Për brezat e rinj kjo do të jetë tani "para" dhe "pas" Luftës.

Ai dhe jo ndonjë luftë tjetër si ajo e vitit 2008 kundër Gjeorgjisë, apo aneksimi i Krimesë në 2014, do të shënojë fundin e periudhës historike post-sovjetike, por edhe fundin e vetë "hapësirës post-sovjetike". Tani ekzistojnë ata që angazhohen për "Perandorinë e Rusisë" dhe të tjerët që luftojnë për liri. Rusia, e cila falë fitores ndaj grushtshtetit në Moskë nga viti 1991, mundi të ruante pamjen e "demokracisë më të rëndësishme" në hapësirën post-sovjetike, tani shndërrohet në një "burg të popujve", siç quhej dikur Bashkimi Sovjetik.

Jo të gjithë do t'i ndiejnë menjëherë ndryshimet aktuale. Një "epokë e re" filloi në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, por shumë rusë ende po i mbajnë kokat në rërë si një struc. Edhe rusët janë në prag të një "epoke të re" që në mënyrë të pashmangshme do t'i godasë ata rëndë: Me sanksionet perëndimore dhe kundërsanksionet ruse, të cilat do të godasin edhe njerëzit e tyre; me rritjen e pashmangshme të çmimeve të ushqimeve për shkak të mungesës së mbjelljes në Rusinë jugore dhe në Ukrainë; me mungesën e mallrave dhe inflacionin e shfrenuar për shkak të izolimit. E ata rusë që nuk i pëlqejnë të gjitha këto dhe dalin në rrugë në shenjë proteste, do të përballen me policinë dhe gardën kombëtare ruse.

Një Rusi tjetër

Rusët më në fund e gjetën "Rusinë e tyre të re të së ardhmes", por kjo nuk duket e mirë. Siç shihet, Vladimir Putini ka një vizion të qartë për të ardhmen e vendit. Por ai e ka fshehur këtë gjatë gjithë viteve të kaluara, sepse shumica e njerëzve definitivisht nuk do ta kishin pëlqyer një opsion të tillë dhe ata mund të rebeloheshin kundër tij.

Tani shumica u gjet në një vend krejtësisht tjetër, i cili nuk i ngjan aspak atij të mëparshmit - me censurë ushtarake dhe të shkëputur nga pjesa tjetër e botës. Baza e identitetit kombëtar rus, fitorja mbi fashizmin, është shkatërruar nga raketat e hedhura në Kharkiv në Ukrainë. Rusia po shkon drejt konfliktit social dhe Putini ka thyer digën përfundimtare.

Tani ose do të ketë spastrime masive të atyre që mendojnë ndryshe, ose konflikti në shoqëri do të kthehet në një luftë civile, nëse kundërshtarët e luftës dhe pacifistët ende mund të rezistojnë fare. Situata në Ukrainë është e ndryshme. Ukraina kurrë nuk ka qenë më e bashkuar, siç është prej fillimit të "Luftës së Re Patriotike" - pavarësisht se si përfundon kjo luftë.

Ivan Preobrazhensky është ekspert i Evropës Qendrore dhe Lindore dhe kolumnist për media të ndryshme./DW

Përkthimi nga rusishtja: Markian Ostaptschuk

SHBA me sanksione të reja ndaj Moskës| Kufizime për viza ndaj 2 mijë zyrtarëve dhe ushtarakë rusë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se kryer mbi 2000 kufizime të vizave kundër zyrtarëve ushtarakë rusë dhe bjellorusë për shkelje të lidhura me sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Kjo është një politikë e re që synon kufizimin e vizave për zyrtarët rusë që akuzohen për abuzime me të drejtat e njeriut, shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe korrupsion.

Departamenti Amerikan njoftoi gjithashtu sanksione ndaj tetë kompanive ruse të lidhura me sektorin detar, duke përfshirë kompaninë e transportit detar të Ministrisë ruse të Mbrojtjes për përfshirjen e saj në pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Gjithashtu SHBA sanksionoi tre zyrtarë bjellorusë “për përfshirjen e tyre në shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut”.

Sipas të dhënave nga Departamenti i Shtetit, u vendosën “kufizime vizash edhe për gati 3 mijë anëtarë të ushtrisë së Federatës Ruse dhe 13 zyrtarë ushtarakë bjellorusë në përputhje me një politikë sipas seksionit 212(a)(3)(C) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë që zbatohet për ata që besohet se kanë mbështetur, kanë qenë aktivisht bashkëpunëtorë ose janë përgjegjës për urdhërimin ose drejtimin ose autorizimin e veprimeve që kërcënojnë ose cenojnë sovranitetin, integritetin territorial ose pavarësinë politike të Ukrainës.

Kufizimi i sapokrijuar i vizave, i shpallur në fletën e të dhënave, “zbatohet për zyrtarët ushtarakë të Federatës Ruse dhe autoritetet e supozuara të mbështetura ose të instaluara nga Rusia, të cilët besohet se kanë qenë të përfshirë në abuzime të të drejtave të njeriut, shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar ose korrupsion publik. në Ukrainë, duke përfshirë në të ashtuquajturën ‘Republika Popullore e Donetskut’ ose ‘Republika Popullore e Luhanskut’”.

“Anëtarët e familjes së atyre që i nënshtrohen politikës gjithashtu nuk do të kenë të drejtë për viza,” tha ai.

Festimet e Ditës së Fitores kanë nisur, po zhvillohen në Vladivostok

Nga: H.O.

Ndërsa sytë e botës do të jenë në Sheshin e Kuq të Moskës, festimet e Ditës së Fitores po zhvillohen në të gjithë Rusinë, shkruan BBC.

Gjërat kanë nisur tashmë në qytetin lindor të largët të Vladivostok.

Kjo ditë shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945 dhe shumë prej tyre kanë mbajtur fotografi të të afërmve të tyre që luftuan në luftë.

Image
Image

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat