LIVE/ Rusia vazhdon tmerrin në Ukrainë, Zelensky bisedon me Kancelarin gjerman – Shqëtësohen SHBA-ja dhe Evropa

Bota

LIVE/ Rusia vazhdon tmerrin në Ukrainë, Zelensky bisedon me Kancelarin gjerman – Shqëtësohen SHBA-ja dhe Evropa

Nga: BOTA SOT Më: 11 maj 2022 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 22:48 më 11.05.2022
Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin

Ukrainë: Rusia vazhdon të bombardojë fabrikën e çelikut në Mariupol

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë publikuar përditësimin më të fundit mbi situatën në terren në Ukrainë.

Kyiv pretendon se forcat ruse janë në mbrojtje në rajonin verilindor të Kharkiv-it - dhe nuk kanë bërë ndonjë përparim të ri, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Ai shtoi: "Aktiviteti më i madh i pushtuesve është vërejtur më tej në drejtimet Slobozhansky dhe Donetsk".

Ndërkohë, Moska vazhdon të bombardojë fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku janë strehuar mbetjet e mbrojtësve të qytetit.

Mendohet se në vendngjarje janë bllokuar edhe rreth 100 qytetarë, por kjo nuk është verifikuar.

Ukraina gjithashtu pretendon se ka rimarrë fshatin Pytomnyk në Kharkiv./A.SH

Presidenti Zeman lejoi mbi 100 çekë të luftojnë përkrah ushtrisë së Ukrainës

Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, ka miratuar pjesëmarrjen e më shumë se 100 qytetarëve çek në luftën kundër Rusisë.

Lajmin e ka dhënë zëdhënësi Jiri Ovcacek përmes llogarisë personale në Twitter.

“Presidenti i Republikës, Milos Zeman nënshkroi një vendim duke dhënë pëlqimin që 103 qytetarë t’i bashkohen Forcave të Armatosura të Ukrainës bazuar në kërkesën e tyre të paraqitur në përputhje me Ligjin 855/2004 Për Shërbimin Ushtarak dhe Mbështetjen e tij”, thuhet në njoftim.

Vendimi ende nuk është miratuar nga kryeministri Peter Fiala, “kryeministri do të nënshkruajë pëlqimin e presidentit që qytetarët çek t’i bashkohen Forcave të Armatosura të Ukrainës në të gjitha rastet kur aplikimi vlerësohet pozitivisht nga tre ministri përkatëse”, tha zëdhënësi Vaclav Smolka duke shtuar se bëhet fjalë për Ministritë e Mbrojtjes, të Brendshme dhe të Punëve të Jashtme.

Më herët, mediat raportuan se më shumë se 500 çekë kishin shprehur gatishmërinë për të luftuar në anën e Ukrainës.

Në fillim të marsit, Fiala ra dakord me Zemanin që personat që do të luftonin për Ukrainën nuk do të konsideroheshin kriminelë. Por çështja mbeti me procedurën e miratimit të aplikimit.

Disa njerëz që kishin luftuar në anën e forcave prokure ruse në Donbass u dënuan më pas në Republikën Çeke gjatë viteve të fundit. 

Scholz: Prania e Zelensky në samitin e G20 një shenjë e rëndësishme

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mirëpritur ftesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të marrë pjesë në samitin e G20, në Indonezi.

“Kjo është një shenjë shumë e rëndësishme e seriozitetit me të cilin ekonomitë më të mëdha në botë po e marrin luftën në Ukrainë”, tha kancelari Scholz pas bisedimeve me presidentin argjentinas Alberto Fernandez në Berlin.

Argjentina dhe Gjermania janë anëtarë të G20, ashtu si edhe Rusia. Presidenti rus Vladimir Putin ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në samitin e planifikuar në nëntor në ishullin Bali.

Indonezia e ka ftuar gjithashtu Zelensky, megjithëse prania e tij dhe një përballje e mundshme me Putinin nuk është ende e sigurt, duke pasur parasysh luftën që Rusia po bën kundër vendit të tij.

Fernandez tha se ai kishte kundërshtuar përjashtimin e Rusisë nga G20 për shkak të luftës.

“Do të ishte mirë nëse takimi i G20-ës do të ishte vendi ku ne i bëjmë të qartë Rusisë se bota po vuan për shkak të vendimit që ka marrë”, tha ai.

Nis gjyqi ndaj ushtarit të parë rus të dyshuar për vrasjen e civilëve

Autoritetet ukrainase kanë nisur gjyqin e parë ndaj një ushtari rus të akuzuar për vrasjen e një civili ukrainas gjatë pushtimit të paprovokuar të Rusisë

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venedikova deklaroi në Facebook më 11 maj, se i dyshuari akuzohet për vrasjen e një civili 62 vjeçar që po ngiste biçikletën e tij në fshatin Chupakhivka në rajonin verilindor të Sumy.

"Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dërgoi në gjykatë çështjen ndaj Vadim Shishimarin, komandantit të njësisë ushtarake të brigadës 32010 të njohur si Divizioni i Katërt i Tankeve të rajonit të Moskës”, shkroi Venediktova.

Sipas prokurores Venediktova, i dyshuari 21 vjeçar, i cili ndodhet nën masë sigurie nga autoritetet ukrainase, mund të përballet me burgim të përjetshëm nëse dënohet për vrasje.

Javën e kaluar, Venediktova bëri të ditur emrin e ushtarit të parë rus të dyshuar për torturë dhe vrasjen e civilëve në qytetin e Buça-s, në afërsi të Kievit, gjatë javëve të para të pushtimit.

Venediktova e identifikoi të dyshuarin në fjalë si komandantin e njësisë së Gardës Kombëtare të Rusisë, Sergei Kolotsei, i cili u informua që ishte i dyshuar.

Muajin e kaluar, Venediktova identifikoi 10 ushtarë të brigadës së 64-t të këmbësorisë në forcat e armatosura të Rusisë, duke thënë se ata dyshohen “për mizori ndaj civilëve dhe krime të tjera të luftës”, duke shtuar se hetuesit ukrainas vazhdojnë të mbledhin prova dhe se ata të bërë publikë janë vetëm të parët.

Ajo tha gjithashtu në atë kohë se hetimet janë duke u zhvilluar për të zbuluar nëse 10 rusët morën pjesë në vrasjen e civilëve në Buça.

Tërheqja e forcave ruse nga Buça dhe nga qytetet e tjera pranë Kievit zbuloi prova rrëqethëse të vrasjeve brutale, torturave, varreve masive dhe shënjestrimin pa dallim të civilëve në luftime, duke nxitur thirrje nga disa vende, si dhe nga Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, për të nisur hetime dhe për të përcaktuar nëse janë kryer krime lufte.

Më 5 maj, Policia Kombëtare e Ukrainës tha se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, ka nisur më shumë se 10,000 hetime për krime lufte që dyshohet se janë kryer nga trupat ruse në Ukrainë.

Zelensky flet me kancelarin gjerman

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli më herët me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Të dy udhëheqësit diskutuan për ndihmën mbrojtëse, bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe rritjen e sanksioneve ndaj Rusisë, shkruan Sky News, përcjell Bota sot.

"Ne vlerësojmë nivelin e lartë të dialogut me Gjermaninë dhe mbështetjen në luftën tonë!" tha zoti Zelensky./A.SH
 

SHBA, Evropa perëndimore të shqetësuara për një luftë të gjatë në Ukrainë

A do të ketë një luftë pa fund që nuk mund të fitohet në Evropë? Ky është skenari të cilit i druhen dhe për të cilin po përgatiten udhëheqësit e NATO-s, ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë tashmë në muajin e tretë, po jep pak shenja se do të ketë një fitore vendimtare ushtarake nga secila nga palët dhe nuk duket të ketë zgjidhje në horizont.

Mundësia e një ngërçi po nxit shqetësimet se Ukraina mund të mbetet një fushë beteje vdekjeprurëse në Evropë dhe një burim paqëndrueshmërie kontinentale dhe globale për muajt, apo edhe vitet në vazhdim.

Siguria energjitike dhe ajo ushqimore janë shqetësimet më urgjente, por mbështetja masive perëndimore për Ukrainën, ndërkohë që bota ende nuk ka dalë nga pasojat e pandemisë së koronavirusit dhe përballet me efektet e ndryshimeve klimatike, mund të dobësojë edhe më tej ekonominë globale. Dhe nëse Rusia vendos ta përshkallëzojë konfliktin, rreziku i një konflikti më të gjerë rritet.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po furnizojnë vazhdimisht me armë vdekjeprurëse Ukrainën për ta ndihmuar në luftë. Ndërsa shumica e analistëve thonë se Kievi më së paku po reziston, rrjedha e furnizimeve duhet të vazhdojë nëse aleatët duan të mbështesin premtimin e Presidentit Volodomyr Zelenskyy për fitore, ose të paktën për të frenuar ose zmbrapsur përparimet e Moskës.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka sinjalizuar ndonjë gatishmëri për të intensifikuar agresionin as me mobilizim të përgjithshëm të trupave as me përdorim armësh jokonvencionale, por as nuk ka shfaqur ndonjë shenjë tërheqjeje. As presidenti Zelenskyy, i cili thotë se Ukraina jo vetëm që do ta mposhtë agresionin aktual rus, por do të rimarrë kontrollin e Krimesë dhe zonave të tjera që Rusia i ka pushtuar ose kontrolluar që nga viti 2014, nuk ka dhënë shenja tërheqjeje./VOA

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

Ukraina kërkon të shkëmbejë të burgosurit rusë me trupat e plagosur në fabrikën e çelikut në Mariupol

Kievi i ka bërë një propozim të ri Moskës në lidhje me dhjetëra trupat ukrainase të bllokuara ende në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Ukraina i ka kërkuar Rusisë që të marrë në konsideratë shkëmbimin e mbrojtësve të plagosur rëndë në fabrikën e qytetit jugor me të burgosurit rusë të luftës.

E fundit u propozua nga zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk sot.

Megjithatë, ajo tha: "Nuk ka ende marrëveshje. Negociatat janë duke vazhduar."

Zonja Vereshchuk shtoi se qeveria po punon për një sërë opsionesh për t'i dhënë fund rrethimit të Azovstal, por pranon se asnjëra prej tyre nuk është e përsosur./A.SH

Putin duhet të fajësohet nëse NATO zgjerohet, thotë Finlanda

Nga: H.O.

Finlanda thotë se aplikimi për t'u bashkuar me NATO-n ka të bëjë vetëm me mbrojtjen. Por Vladimir Putin nuk e sheh kështu. Ai e ka parë gjithmonë zgjerimin lindor të NATO-s si një kërcënim, shkruan BBC, transmeton Bota sot.

Finlanda ndan një kufi 800 milje (1300 kilometra) të gjatë me Rusinë, duke e sjellë fuqinë ushtarake të aleancës shumë më afër Moskës.

Anëtarësimi finlandez dhe suedez do ta bëjë NATO-n gjithashtu më të fortë - duke rritur krahun e saj lindor dhe praninë në Detin Baltik. Dhe Kremlini ka kërcënuar me hakmarrje.

Disa kanë frikë se mund të vendosë armë bërthamore të synuara. Por diplomatët finlandezë me të cilët kam folur besojnë se Rusia i ka plot duart ushtarake në Ukrainë dhe se në vend të kësaj do të fokusohet në fushatat kibernetike dhe dezinformuese.

Ata thonë se presidenti Putin duhet të fajësohet për zgjerimin e NATO-s. Përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, shumica e finlandezëve dhe suedezëve preferonin të punonin së bashku, por jo brenda NATO-s.

Agresioni i Rusisë - zelli i saj ekspansionist - ndryshoi gjithçka.

Pikat kryesore nga vizita e kryeministrit të Britanisë së Madhe në Finlandë

Nga: H.O.

Britania e Madhe dhe Finlanda kanë nënshkruar një deklaratë sigurie duke premtuar mbështetje të ndërsjellë nëse ushtarakët e tyre sulmohen, shkruan BBC, transmeton Bota sot.

Johnson tha se natyra e ndihmës në rast fatkeqësie ose sulmi do të varet nga kërkesa e palës tjetër

Ndërsa Finlanda shqyrton nëse do të aplikonte për t'u bashkuar me NATO-n, Niinisto tha se anëtarësimi në aleancë "nuk do të ishte kundër askujt" ndërsa Johnson theksoi se NATO është një aleancë mbrojtëse dhe "nuk përbën kërcënim për askënd".

Të dy burrat mirëpritën një partneritet më të ngushtë dhe bashkëpunim më të madh

Kur u pyet nëse anëtarësimi i Finlandës në NATO do të provokonte Rusinë, Niinisto tha se sjellja e Rusisë kishte ndryshuar pamjen. Mesazhi i tij për Putinin ishte: "Ti e shkaktove këtë - shiko pasqyrën"

Më herët sot Johnson dhe homologu i tij suedez nënshkruan një deklaratë të ngjashme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Suedisë

Një zyrtar pro-rus i Khersonit kërkon bashkimin e këtij rajoni me Rusinë

Një zyrtar pro-rus në rajonin jugor të Khersonit, të pushtuar nga trupat ruse tha se do të bënte një kërkesë për aneksimin e këtij rajoni nga Moska.

Debati për aneksim në Kherson dhe gatishmëria e Rusisë për të shqyrtuar një kërkesë të tillë, kanë rritur shanset që Kremlini të kërkojë shkëputjen e një rajoni tjetër të Ukrainës, ndërsa po përpiqet të rimëkëmbet nga përpjekja e dështuar për të pushtuar gjithë vendin. Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

“Qyteti i Khersonit është Rusi”, tha Kirill Stremousov, nënkryetari i administratës rajonale të Khersonit të emëruar nga Moska, për agjencinë ruse të lajmeve “RIA Novosti”. Ai tha se zyrtarët rajonalë duan që presidenti rus Vladimir Putin ta bëjë Khersonin një "rajon ligjor" të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se do të ishte "në dorën e banorëve të rajonit të Khersonit" për të bërë një kërkesë të tillë dhe se çdo lëvizje për aneksimin e territorit do të duhej të vlerësohej nga ekspertët për t'u siguruar që ka një bazë "absolutisht të qartë" ligjore.

Rusia ka përdorur vazhdimisht aneksimin ose njohjen e republikave të shkëputura si taktikë në vitet e fundit për të shtrirë kontrollin në pjesë të ish-republikave sovjetike, Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 pasi mbajti një referendum për bashkimin e gadishullit me Rusinë.

Khersoni, një port i Detit të Zi me rreth 300,000 banorë, ofron qasje në ujë të pijshëm për Krimenë fqinje dhe shihet si një port i rëndësishëm për zgjerimin e kontrollit rus në Ukrainën jugore. Ai u pushtua në fillim të luftës, duke u bërë qyteti i parë i madh i Ukrainës që ra në duart e trupave ruse.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak u tall me nocionin e aneksimit të rajonit, duke thënë në një postim në Twitter se “Pushtuesit mund të kërkojnë të bashkohen edhe me Marsin apo Jupiterin. Ushtria ukrainase do ta çlirojë Khersonin, pavarësisht lojërave me fjalët që po bëhen tani."/VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat