LIVE/ Rusia vazhdon tmerrin në Ukrainë, Zelensky bisedon me Kancelarin gjerman – Shqëtësohen SHBA-ja dhe Evropa

Bota

LIVE/ Rusia vazhdon tmerrin në Ukrainë, Zelensky bisedon me Kancelarin gjerman – Shqëtësohen SHBA-ja dhe Evropa

Nga: BOTA SOT Më: 11 maj 2022 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 12:17 më 11.05.2022
Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin

Pse Hungaria po e bllokon embargon ndaj naftës ruse?

Associated Press

Derisa Bashkimi Evropian përpiqet të vendosë sanksione ndaj naftës ruse si përgjigje për luftën në Ukrainë, Hungaria është shfaqur si një nga pengesat më të mëdha për mbështetjen unanime të nevojshme nga 27 vendet anëtare të bllokut.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e kaluar propozoi ndërprerjen graduale të importeve të naftës së papërpunuar ruse brenda gjashtë muajve dhe produkteve të rafinuara deri në fund të vitit, për të hequr Evropën nga varësia e saj nga karburantet fosile ruse dhe për të ndërprerë një burim fitimprurës që padyshim ndihmon në financimin e luftës së Rusisë.

Por, Qeveria nacionaliste e Hungarisë – një nga qeveritë më miqësoret me Moskën në BE – këmbëngul se nuk do të mbështesë asnjë sanksion që synon ndalimin eksporteve ruse të energjisë. Hungaria është shumë e varur nga nafta dhe gazi rus dhe thotë se bojkoti i naftës në BE do të ishte një "bombë bërthamore" për ekonominë e saj dhe do të shkatërronte "furnizimin e qëndrueshëm me energji".

Von der Leyen bëri një udhëtim të papritur në kryeqytetin e Hungarisë të hënën, më 9 maj, për negociata me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në përpjekje për të shpëtuar propozimin, por ende nuk është arritur një marrëveshje.

Ja çfarë duhet të dini rreth bisedimeve dhe çfarë do të vijë më pas:

Çfarë po thotë Hungaria?

Qeveria e Hungarisë ka këmbëngulur se do të bllokojë çdo propozim sanksionesh të BE-së që përfshin energjinë ruse, duke e quajtur atë një "vijë të kuqe" që është në kundërshtim me interesat e Hungarisë. Hungaria merr 85 për qind të gazit natyror dhe më shumë se 60 për qind të naftës nga Rusia.

Orban, i konsideruar gjerësisht një nga aleatët më të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin, në BE, ka mbështetur pa dëshirë sanksionet e mëparshme të BE-së ndaj Moskës, duke përfshirë një embargo ndaj qymyrit rus. Por, ai ka argumentuar se lëvizje të tilla dëmtojnë bllokun më shumë sesa Rusinë.

Që nga marrja e pushtetit në vitin 2010, Orban ka thelluar varësinë e Hungarisë nga energjia ruse dhe është shprehur se gjeografia dhe infrastruktura energjetike e saj e bëjnë të pamundur heqjen dorë nga nafta ruse.

“Ne thamë se sanksionet ndaj qymyrit janë në rregull, sepse ato nuk prekin Hungarinë; por tani me të vërtetë kemi arritur një vijë të kuqe, një vijë të dyfishtë, sepse embargoja e naftës dhe gazit do të na shkatërronte”, tha Orban në një intervistë të premten, më 6 maj.

Vendi pa dalje në det nuk ka port detar për të marrë dërgesat globale të naftës dhe duhet të mbështetet në tubacione. Plus, një program kryesor i Qeverisë hungareze për të reduktuar faturat e shërbimeve varet nga kostoja relativisht e ulët e lëndëve djegëse fosile ruse dhe është një faktor kryesor që mbështet mbështetjen e brendshme politike të Orbanit.

Shndërrimi i rafinerive dhe tubacioneve të naftës të Hungarisë për të përpunuar naftë nga burime joruse do të zgjaste pesë vjet dhe do të kërkonte një investim masiv, tha Orban. Kjo do të nxiste më tej çmimet e larta të energjisë, duke çuar në mbyllje dhe papunësi, shtoi ai.

A ka shans për kompromis?

Përveç Hungarisë, Sllovakia dhe Republika Çeke po kërkojnë prej vitesh të heqin dorë nga nafta ruse. Komisioni Evropian ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë vendet që janë veçanërisht të varura nga nafta ruse.

"Ne e pranojmë se Hungaria dhe vendet e tjera që janë pa dalje në det dhe kanë varësi të konsiderueshme energjetike nga furnizimet me naftën ruse janë në një situatë shumë specifike që kërkon që ne të gjejmë zgjidhje specifike", tha më 10 maj zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

Mamer tha se Hungaria ka "shqetësime legjitime" në lidhje me furnizimet me naftë dhe se një ndërprerje e naftës ruse mund të përfshijë "afate kohore të diferencuara që korrespondojnë me situata të ndryshme të vendeve specifike".

"Ky është padyshim një nga mundësitë sepse padyshim nëse po flisni për investime në përmirësimin e infrastrukturës, ju duhet kohë", tha Mamer.

Ai nuk specifikoi se cilave vende mund t'iu ofrohet zbatimi i vonuar i një embargoje të naftës.

Në një postim në Twitter të hënën, më 9 janar, pas takimit të saj me Orbanin, Von der Leyen tha se diskutimi kishte qenë "i dobishëm për të sqaruar çështjet që lidhen me sanksionet dhe sigurinë e energjisë" dhe se ishte bërë përparim, por "duhet punë e mëtejshme".

Presidenti francez, Emmanuel Macron, bisedoi me Orbanin të martën, më 10 maj, për "garancitë" e nevojshme për disa shtete anëtare, si Hungaria, që "janë në një situatë shumë specifike në lidhje me furnizimet e tubacioneve nga Rusia", tha zyra e presidentit francez.

Çfarë duhet të fitojë Hungaria?

Bllokimi i paketës së sanksioneve mund të përdoret si levë në një konflikt të veçantë midis Budapestit dhe BE-së.

Blloku ka ndaluar disa fonde për rimëkëmbjen e Hungarisë nga pandemia për shkak se ka parë masa të pamjaftueshme kundër korrupsionit dhe po ashtu ka nisur një proces për të ndaluar mbështetjen e mëtejshme për shkak të shkeljeve të parimeve të sundimit të ligjit të BE-së.

Hungaria është akuzuar për kthim prapa në raport me vlerat demokratike duke ushtruar kontroll të tepruar mbi gjyqësorin, duke mbytur lirinë e medias dhe duke mohuar të drejtat e personave të komunitetit LGBT.

Qeveria e Orban i mohon akuzat dhe argumenton se dënimet e BE-së janë të motivuara politikisht.

Por, me ekonominë e Hungarisë që përballet me inflacion të lartë dhe me një deficiti të madh buxhetor, asaj do t'i nevojiten ato para të BE-së për një rimëkëmbje ekonomike.

Derisa zyrtarët e BE-së negociojnë me Hungarinë për të fituar mbështetjen e saj për sanksionet ndaj energjisë ruse, lirimi i fondeve të mbajtura peng mund të shërbejë si një mjet pazaresh./REL

Japonia njofton për shkëputje graduale nga nafta ruse

Japonia planifikon të reduktojë gradualisht varësinë e saj nga importet e naftës nga Rusia.

Sipas ministrit japonez të Tregtisë dhe Industrisë, Koichi Hagiuda varësia nga burimet ruse të energjisë do të reduktohet ngadalë për të dëmtuar tregtinë e naftës me këtë vend.

Tani nuk mund të refuzojmë importin e naftës ruse, por jemi të gatshëm të braktisim gradualisht varësinë nga burimet ruse të energjisë, duke gjetur burime alternative të furnizimit”, tha Hagiuda.

Kryeministri Fumio Kishida kishte folur më herët për dëshirën e Japonisë për t’iu bashkuar vendeve të tjera të G7 në vendimin e tyre për të ndaluar importet e naftës ruse.

Hagiuda konfirmoi se qeveria japoneze do të njoftojë detaje rreth afateve kohore dhe hapat e nevojshme për të reduktuar furnizimet me energji nga Rusia.

Muajin e kaluar, Japonia njoftoi planet për të hequr gradualisht importet e saj të qymyrit nga Rusia, ndërsa kërkon furnizues të tjerë mes sanksioneve në rritje ndaj Moskës.

Japonia varet nga importet për pothuajse të gjitha burimet e saj energjetike, pavarësisht se është konsumatori i pestë më i madh i energjisë në mbarë botën. Rreth 3 për qind e importeve totale të naftës së Japonisë vijnë nga Rusia. 

Ç’lidhje ka lufta e Ukrainës me krimin kibernetik?

Në kohë normale hapësira digjitale është e mbushur me rreziqe. Po ashtu luftërat zhvillohen edhe në hapësirën digjitale. Enti gjerman i kriminalistikës, BKA, jep një pasqyrë alarmuese të krimit kibernetik.

Edhe vetë Enti Federal i Kriminalistikës, BKA, ka qenë në shënjestër të sulmeve kibernetike. Në fillim të muajit maj, hakerat i lëshuan një mori pyetjesh serverit të disa prej autoriteteve dhe ministrive gjermane. Sulmi DDos (Distributed Denial of Service) kishte si synim të mbingarkonte institucionet gjermane në mënyrë që ato të mos ishin më të arritshme. Sulmin e mori përsipër duke u prononcuar në Telegram, një grup hakerash rusë, që e quan veten "Killnet".

Ata nuk patën shumë sukses me BKA. Ajo që arritën ishte vetëm zgjatja e kohës së hapjes së faqes së internetit, tha për Deutsche Wellen zëvendëspresidentja e BKA, Martina Link. Në kuadër të pasqyrimit nga BKA të „Gjendjes së krimit kibernetik", Link tha se sulmi është më shumë një sulm i "nivelit të ulët”.

Por ky sulm DDos jo shumë i dëmshëm, ishte sinjali i fundit që tregon ekzistencën e një zhvillimi të ri dhe të rrezikshëm: Link tregon për solidarizimin e grupeve kibernetike dhe kolektivave të hakerave me Rusinë ose me Ukrainën. Kështu ata bëjnë sulme përkatëse, siç bëri "Killnet". Gjatë këtyre sulmeve „ekziston rreziku që ato të prekin edhe palët e paanshme, edhe nëse nuk e dëshirojnë një gjë të tillë", shpjegon zëvendëspresidentja e BKA.

E sigurt është se: Lufta në Ukrainë zhvillohet edhe në hapësirën digjitale - dhe prej andej mbërrin në Gjermaninë digjitale. Prandaj Arne Schönbohm, president i Zyrës Federale gjermane për Sigurinë në Teknikën e Informacionit, (BSI) thotë për Deutsche Wellen se: "Duke pasur parasysh sulmet ruse kundër Ukrainës, BSI vazhdon të shohë rritjen e rrezikut për Gjermaninë". Schönbohm i bën thirrje sipërmarrjeve, organizatave dhe institucioneve që të kontrollojnë masat e sigurisë në teknologjinë e informacionit, dhe t'i përshtaten gjendjes konkrete të rrezikut. "Që me fillimin e sulmit rus kundër Ukrainës, në Gjermani ka pasur shtim të incidenteve të veçanta në sigurinë e teknologjisë së informacionit, por ato kanë qenë me ndikim të pjesshëm," thotë shefi i BSI.

Katastrofa e parë kibernetike

Por shumë sulme kibernetike kanë konsekuenca më të mëdha, që ndihen nga çdo qytetar. Një shembull i sjellë nga Martina Link ka të bëjë me rrethin e Anhalt-Bitterfeldit. Në fillim të korrikut të kaluar, hakerat patën sulmuar administratën lokale me të ashtuquajturin Ransomware. Ky software i dëmshëm, kodon të dhëna dhe programe të caktuara. Serveri dhe hardwari duhet të fikeshin. Kështu ndihmat sociale nuk mund të jepeshin më, po ashtu si lejet e qarkullimit për automjetet. Autoritetet lokale thanë, se ishin bërë përpjekje për të bërë presion digjital me anë të një katastrofe kibernetike. Kjo gjë nuk kishte ndodhur ndonjëherë në Gjermani.

Gjatë një sulmi tjetër të ndodhur nëntorin e kaluar, u prek një firmë softweresh, programet e së cilës përdoren nga një e katërta e zyrave të mjekëve në Gjermani. Struktura e serverit dhe e rrjetit u koduan dhe nuk ishin më në gjendje të punonin.

Krimi kibernetik është në lulëzim: BKA sheh rritje të sulmeve me 12 përqind duke regjistruar 150 mijë raste. Ekspertët mendojnë se numri faktik i rasteve është shumë më i madh se sa i rasteve të regjistruara: Kur shoqata digjitale, Bitkom, pyeti vitin e kaluar më shumë se 1000 firma nga të gjitha sektorët, nëntë nga dhjetë firmat pranuan se kanë qenë viktima të sulmeve kibernetike. Dëmet nga vjedhja, spiunimi dhe sabotazhet për ekonominë gjermane vlerësohen të jenë gjithsej 223 miliardë euro. Një shifër, që zonja Link e BKA-së, e përsëriti kur foli për „Gjendjen e krimit kibernetik". Duke mos harruar të përmendë, se shuma e dëmeve do të dyfishohet brenda dy vitesh.

Corona nxiti edhe krimin kibernetik

Për, siç thotë raporti, „rritjen sinjifikante të numrit të rasteve", Martina Link jep disa arsye: Me hovin e digjitalizimit, të nxitur nga pandemia e Coronës është arritur të krijohen shumë mundësi të reja veprimi, të cilat edhe vihen në përdorim. Përveç kësaj është zhvilluar edhe më tej ekonomia e ilegalitetit digjital: Raporti mbi gjendjen flet për keqbërës profesionistë dhe të tillë që i ndajnë punët. Flet dhe për ekonomi shërbimi të aftë për të bërë krime, shërbime që ofrohen në pazaret e ilegale dhe që u hyjnë në punë kriminelëve. Ato ofrojnë çdo gjë që të mund të blihet për Bitcoin, që nga rrjetet e të dhënave të kartave të kreditit deri tek programet dëmtuese. Dhe meqenëse keqbërësit e shpërndajnë punën dhe punojnë në vende të ndryshme, policia e ka të vështirë që t'i ndjekë. Kuota e zbulimit është 30 përqind, duke qenë nën mesataren e statistikave policore të kiminalistikës (PKS). 

Duke pasur parasysh ndërthurjet ndërkombëtare të keqbërësve, Martina Link kërkon bashkëpunim ndërkufitar. „Kjo gjë është zhvilluar pozitivisht vitet e fundit," tha ajo për Deutsche Wellen. Dhe tregon për shembullin "Emotet" të vitit të kaluar. Autoritetet policore të disa vendeve, patën shkatërruar në një aksion të përbashkët infrastrukturën e këtij sistemi softweresh dëmtues.

Shkrirje kufijsh

Shqetësimi që ka kriminalistja është se ajo sheh përzierje gjithnjë e më të madhe të kufijve midis hakerave kriminelë dhe hakerave të drejtuar nga shteti. Gjë me të cilën do i ktheheshim sërish pasojave të luftës në Ukrainë. Në fund të muajit shkurt, në Gjermani 3000 impiante që prodhojnë energji nga era, nuk mund të lidheshin për të bërë mbarëvajtjen. Ajo bëhet me internet dhe impiantet lidhen me rrjetin nëpërmjet një operatori satelitor. Ky ishte sulmuar nga hakerat, pikërisht mëngjesin e 24 shkurtit, pra ditën e fillimit të luftës. Mbase sepse të njëjtin operator përdorin edhe autoritetet ukrainase dhe ushtria ukrainase.

Në raportin e fundit vjetor të verës 2021, Zyra për mbrojtjen e kushtetutës, në Gjermani shkruan: „Shërbimet ruse të inteligjencës përdorin në sasi të madhe sulmet kibernetike, që bëhen për interesat gjeopolitike të Rusisë." Dhe jep një listë grupesh hakerash që mendohet të jenë të shërbimeve sekrete. Mes tyre bën pjesë përshembull "Fancy Bear", që është aktiv të paktën që nga viti 2004. Por edhe "Snake", një "sulmues me sjellje shumë klandestine, me përvojë të madhe teknike dhe me objektiva ndërkombëtarë."

Haya Shulman është profesore për Informatikën në Universitetin Gëte të Frankfurtit dhe shefe sektori në Institutin Fraunhofer. Ajo si eksperte e kibernetikës është e sigurt, se në Gjermani nuk janë regjistruar sulme kibernetike që të kenë lidhje me luftën e Ukrainës, gjë që nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Sepse „sulmet e suksesshme kibernetike nuk zbulohen", thotë Shulman për Deutsche Wellen. Ajo përmend sulmin mbi parlamentin gjerman, Bundestag në vitin 2015. Ose sulmin mbi rrjetin e të dhënave të Federatës, në vitin 2016. Rrjeti i sulmuar, shërbente për komunikimin midis zyrës së kancelarit, ministrive dhe autoriteteve të sigurisë. Pjesa më e madhe e tij është shkëputur tani nga interneti, dhe vlerësohet si i sigurt./DW

Do ta vendosë hekurudha luftën në Ukrainë?

Në luftën në Ukrainë Rusia po vë gjithnjë e më shumë në shënjestër objektet hekurudhore të vendit. Në fakt hekurudha është kthyer në një nga mjetet më të rëndësishme logjistike të Kievit dhe në një simbol të rezistencës.

Ende shkojnë trenat e Ukrsalisnyzja. Kompania hekurudhore e Ukrainës njoftoi së fundi, se vetëm 20 trena të distancave të largëta patën vonesa deri në dymbëdhjetë orë. Gjatë dy javëve të fundit ushtria ruse ka intensifikuar ndjeshëm sulmet ndaj rrjetit hekurudhor në të gjithë Ukrainën.

Të mërkurën (04.05) u dëmtua rëndë një urë hekurudhore mbi lumin Dnipro. Një natë më parë ishin goditur disa stacione hekurudhore në Ukrainën perëndimore dhe jugore. Më parë ishin shënjestruar disa stacione trenash si ai i Kramatorsk në lindje, ku në fillimin të prillit humbën jetën të paktën 50 vetë nga një sulm me bombë. Sidomos stacionet hekurudhore në provinca, centralet elektrike dhe urat hekurudhore po shënjestrohen gjithnjë e më shumë nga raketat ruse.

Rrjeti hekurudhor jetik

Ndryshimi i taktikës së rusëve ka një arsye. Në dy muajt e parë të luftës kompania hekurudhore ukrainase lulëzoi në kompaninë më të rëndësishme logjistike të vendit. Rrjeti hekurudhor në Ukrainë përfshin rreth 22.000 kilometra. Që para fillimit të luftës hekurudha ishte një nga punëdhënësit më të mëdhenj të vendit, me më shumë se 230.000 punonjës. Jo më shumë se para dhjetë vjetësh, pikërisht në kohën e Kampionatit Evropian të Futbollit 2012, vendi investoi rreth 700 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore, kështu që hekurudhat e Ukrainës janë relativisht moderne sot.

Vendi ka edhe një rrjet të madh rrugësh, por vetëm një pjesë e tyre, sidomos rreth qyteteve të mëdha, janë me disa korsi. Nga ana tjetër shumë rrugë janë në gjendje jashtëzakonisht të keqe dhe të papërshtatshme për transportin e mallrave të rënda.

Dhe kështu hekurudha është bërë simbol i rezistencës ukrainase. Ajo dërgon armë dhe ndihma në pjesën lindore të vendit, evakuon miliona njerëz, që ikin nga luftimet. Ndërkohë ajo po kthen gjithnjë e më shumë familje në zonat e pushtuara, që kanë qenë më parë të pushtuara nga trupat ruse. Hekurudha solli në Kiev mysafirë të rëndësishëm të shtetit, si Sekretarin e Shtetit të SHBA Blinken, Presidenten e Komisionit të BE von der Leyen dhe liderin e opozitës gjermane Friedrich Merz.

Hekurudhat po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm edhe në transportin e mallrave të eksportit. Para fillimit të luftës vendi zhvillonte më shumë se 50 për qind të importeve dhe eksporteve të tij përmes portit detar të Odesës. Por që nga fillimi i bllokadës detare ruse Ukraina po përpiqet të eksportojë gjithnjë e më shumë mallra në vendet perëndimore, si grurë, qymyr, çelik apo produkte kimike përmes hekurudhës.

Çuditërisht robust

Sistemi hekurudhor u tregua çuditërisht robust dhe i adaptueshëm në muajt e parë të luftës. Rrjeti hekurudhor është i degëzuar gjerësisht; nëse pjesë të rrjetit bombardohen, shpesh arrihet të gjenden shpejt rrugë alternative. "Në disa raste mund t`i riparojmë linjat e dëmtuara hekurudhore në vetëm disa orë", tha për NBC Oleksandr Pertsovskyi, drejtues i biznesit të trenave të pasagjerëve të Ukrsaliznytsia në fillim të kësaj jave.

Struktura e menaxhimit tani është "e sheshtë", tha shefi i tij Oleksandr Kamyshin për CNN. Përgjegjësit e linjave hekurudhore mund të marrin vendime në terren, pa marrë lejen e eprorëve të tyre. Riparimet mund të kryhen shpejt e pa burokraci. Urat e shkatërruara ose të dëmtuara nuk mund të riparohen aq shpejt, por "ne mund të vazhdojmë të operojmë me sistemin pavarësisht nga shtimi i sulmeve", thotë Pertsovskyi.

Megjithatë kjo detyrë po bëhet çdo ditë e më e vështirë: punonjësit e hekurudhave duhet të planifikojnë rrugë, që shmangin zonat tepër të rrezikshme. Oraret shpesh duhet të ndryshohen në mënyrë spontane, ato njoftohen përmes kanaleve të mediave sociale të kompanisë hekurudhore. Dhe numri i sulmeve me raketa mbi shinat hekurudhore po rritet pothuajse çdo ditë.

Rrjeti hekurudhor i rëndësishëm për luftën – për të dyja palët

Që nga fillimi sistemi hekurudhor i Ukrainës qe në qendër të konfliktit. Rusia u përpoq të merrte shpejt nën kontroll qendrat logjistike të Ukrsaliznytsia në qytetet e mëdha si Kharkiv dhe Kiev, por dështoi nga rezistenca e ashpër e ukrainasve. Nga ana tjetër ushtria ukrainase dhe punonjësit e hekurudhave bjelloruse arritën të shkatërrojnë lidhjet hekurudhore me Rusinë dhe Bjellorusinë - shina që do të kishin qenë të rëndësishme për transportimin e formacioneve të mëdha të trupave ruse.

Sepse ushtria ruse nga pikëpamja logjistike ka qenë gjithmonë shumë e varur nga rrjeti hekurudhor. Rusia është një territor i gjerë me terren të vështirë, stepa, permafrost dhe moçale sezonale. Trupave tokësore të motorizuara të ushtrisë u nevojitet përherë rrjeti hekurudhor për të transportuar trupa, ushqim dhe karburant. "Nëse hekurudha nuk mund të përdoret, ushtria duhet të shfrytëzojë rrugën", shkruan ekspertja për Rusinë Emily Ferris e Royal United Services Institute në Londër (RUSI) në një artikull për revistën Foreign Policy. Megjithatë forcat e armatosura të Rusisë nuk kanë rezerva të mjaftueshme ushqimore dhe karburant për të mbështetur ofensivën tokësore dhe për të pushtuar territore ukrainase, që ndodhen larg nga hekurudhat funksionale. "Në veri," thotë Ferris, "Rusia nuk arriti kurrë të kontrollonte asnjë nga qendrat hekurudhore në Chernihiv apo rreth Kievit dhe balta bëri, që shumë automjete ushtarake të bllokoheshin."

Synime të reja - taktikë e re

Por tani Rusia i ka ripërcaktuar qëllimet e saj të luftës dhe po përqendrohet në pushtimet në lindje dhe juglindje të vendit. Por edhe në Kharkiv ose në Ukrainën jugore ushtria ruse ose nuk i kontrollon plotësisht nyjet hekurudhore, shkruan ekspertja e RUSI Ferris, ose ato tashmë janë shkatërruar thuajse plotësisht nga luftimet. Por kjo është një nga arsyet, pse Rusia deri tani nuk ka qenë në gjendje të transportojë trupat e saj më thellë në Ukrainë dhe të pushtojë më shumë territor.

Megjithatë kjo nuk është një shenjë e mirë për rrjetin hekurudhor në pjesën tjetër të Ukrainës: për shkak të ndryshimit të synimeve të saj të luftës. Ushtria ruse nuk ka më nevojë për këto sisteme hekurudhore për avancimin e saj të mundshëm. Meqë rusët nuk kanë arritur të pushtojnë rrjetin hekurudhor të Ukrainës, ata tani duan ta shkatërrojnë atë të paktën pjesërisht, kryesisht për të ndaluar dërgesat e armëve të Perëndimit në front. Për sa kohë Ukraina do të jetë në gjendje të ruajë infrastrukturën e saj hekurudhore, ka të ngjarë të jetë një faktor vendimtar në rezultatin përfundimtar të kësaj lufte./DW

Ukraina thotë se ka larguar forcat ruse nga afërsia e Harkivit

Zyrtarët ukrainas thanë se kanë larguar forcat ruse nga disa zona përreth qytetit kyç të Ukrainës, Harkiv.

Fshatrat Çerkaski, Tishki, Ruski Tishki, Borshçova dhe Slobozhanske tani janë nën kontrollin ukrainas, tha një zëdhënës i ushtrisë.

Këto zhvillime në verilindje të Ukrainës po ndodhin, teksa operatori i gazsjellësit natyral në Ukrainë tha se të mërkurën do të pezullojë dërgesat ruse përmes një tubacioni kyç në lindje të vendit.

Operatori i gazsjellësit tha se dërgesat ruse përmes qendrës së tij Novopskov, që gjendet në një zonë të kontrolluar nga separatistët pro-rusë, do të ndërpriten duke filluar nga e mërkura, më 11 maj. Po ashtu ky operator tha se kjo qendër menaxhon pothuajse një të tretën e të gjithë gazit që kalon nga Ukraina për në Evropën Perëndimore. Ndërkaq, gjiganti i gazit natyror rus, Gazprom, tha se gazi që kalon përmes këtij gazsjellësi përbën një të katërtën e gazit që shkon për në Evropën Perëndimore.

Ukraina ka vazhduar të jetë një rrugë e rëndësishme për gazin rus në Evropë edhe pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.

Operatori tha se do të ndalë transportimin e gazit për shkak të ndërhyrjeve nga “forcat pushtuese”. Ukraina tha se do të ndryshojë rrugën e dërgesave të gazit nga pika e transitit Sokranivka, zonë e kontrolluar nga forcat ruse, për në një zonë tjetër të kontrolluar nga Ukraina.

Por, zëdhënësi i Gazpromit, Sergei Kupriyanov tha se kjo do të ishte “e pamundur në aspektin teknologjik”.

Sipas të dhënave nga rrjeti i operatorëve, mëngjesin e të mërkurës nuk kishte të dhëna për transportin e gazit rus përmes pikës së transitit.

Ndërkaq, Zelenksy tha të martën se ushtria ukrainase gradualisht po largon forcat ruse nga Harkivi, ndërkaq ministri i tij i Jashtëm, Dmytro Kuleba, shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se Ukraina mund të shkojë përtej detyrimit të Rusisë që të largohet nga zonat që ka pasur nën kontroll para se të niste pushtimin më 24 shkurt.

Kuleba tha për Financial Times se fitorja fillestare do të ishte tërheqja e forcave ruse në pozicionet që kanë pushtuar para pushtimit të 24 shkurtit. Por, forcat ruse u përqendruan në rajonin lindor të Donbasit, pasi dështuan që të merrnin Kievin.

“Tani ne kemi një front të fort ushtarak dhe ne do ta fitojmë betejën për Donbasin, që do të jetë thelbësore për dinamikat e ardhshme të luftës, sigurisht do të përbënte fitore për ne dhe do të mundësonte çlirimin e territoreve të tjera tona”, tha Kuleba.

Deklaratat e Kulebas duket se reflektojnë më shumë ambiciet politike sesa realitetin në fushëbetejë: forcat ruse kanë bërë përparim në Donbas dhe kontrollojnë shumë më shumë territor sesa kontrollonin para luftës. Por, qëndresa e Ukrainës kundër ushtrisë ruse befasoi shumë zyrtarë e analistë, pasi pritej që Rusia të merrte më shpejt territor.

Një shembull i aftësisë së Ukrainës për të parandaluar Rusinë që të arrijë fitore të lehta është Mariupoli, ku luftëtarët ukrainas ende vazhdojnë të luftojnë në fabrikën e çelikut, Azovstal, duke ia pamundësuar Rusisë që ta marrë kontrollin e plotë të këtij qyteti-port. Batalioni ukrainas që gjendet në Azovstal ka thënë se avionët rusë kanë vazhduar bombardimet, duke kryer 34 sulme brenda 24 orëve.

Në ditët e fundit, Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq, kanë arritur të evakuojnë civilët e bllokuar në Azovstal. Megjithatë, zyrtarët thanë të martën se besohet se afër 100 civilë besohet se ende janë në kompleksin e tuneleve të kësaj fabrike./REL

​Macron propozon komunitet të ri evropian për përfshirjen e vendeve jo anëtare

Presidenti francez Emanuel Macron i cili aktualisht kryeson edhe presidencën e Bashkimit Evropian ka hedhur idenë e një alternative për zgjerimin e BE-së.

Ai propozon krijimin e një entiteti paralel evropian, ku do të jenë pjesë vendet të cilat nuk janë anëtare të unionit, raporton euroneës.

Makron paraqiti para parlamentit evropian propozimin për krijimin e një “komuniteti të ri politik evropian” që do t’i lejonte shteteve që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian të jenë më afër unionit.

Në fjalimin para eurodeputetëve në Strasburg, Macron tha se një hap i tillë do të ndihmonte në strukturimin e arkitekturës së sigurisë së Evropës, e cila është cenuar nga pushtimi i Ukrainës.

Si duhet ta organizojmë Evropën, nga një këndvështrim politik që shkon më tej se Bashkimi Evropian? Është detyrimi ynë të reagojmë dhe të krijojmë atë që unë do ta quaja sot një ‘komunitet politik evropian’. Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësonte kombeve demokratike evropiane që u përmbahen vlerave tona themelore, të gjejnë një hapësirë të re bashkëpunimi në fushën politike, të sigurisë, energjisë, transportit, financimit të infrastrukturës dhe lëvizjes së njerëzve veçanërisht të rinjve tanë”, tha Macron.

Ai shtoi se në këtë komunitet nuk do paragjykohet aëtarësimi i ardhshëm i BE-së, por nuk do lihet i mbyllur as për ato shtete të cilat e kanë lënë atë.

Anëtarësimi në këtë komunitet nuk do të paragjykonte domosdoshmërisht anëtarësimin e ardhshëm në BE, po as nuk do të ishte i mbyllur për ata që e lanë atë”, tha Macron.

Macron nuk specifikoi se si kuadri i ri do të funksiononte politikisht në praktikë, por në vend të kësaj citoi propozimin për një “Konfederatë Evropiane” të bërë më parë nga një prej paraardhësve të tij, François Mitterrand.

Është një mënyrë për të qenë pranë me vendet që janë gjeografikisht në Evropë dhe ndajnë vlerat tona”, tha Macron.

Sipas presidentit francez, kuadri i ri do t’i lejojë Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe “ata që janë larguar nga BE”, sikundër Britania e Madhe që të jenë më shpejt pjesë e një Evrope politike.

Deklarata e Macron-it vjen pasi shtetet e BE-së përplasen herë pas here, se sa shpejt duhet të ecin përpara me aplikimin për anëtarësimin e Kievit, për të cilin pritet një opinion i Komisionit Evropian.

Për më tepër, është edhe Ballkani Perëndimor, ku mbetet ende e hapur çështja se kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të anëtarësohen në BE pasi të kenë marrë statusin e kandidatit.

Macron si përfundim tha se gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian në qershor ai do donte më shumë mbështetje për disa fusha të politikave të Bashkimit Evropian dhe se kishte nevojë për të reformuar traktatet e BE-së në mënyrë që të bëhen më efektive.

Dhoma e Përfaqësuesve në ShBA e miratoi projektligjin 40 miliardë dollarësh për Ukrainën

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  e udhëhequr nga demokratët ka votuar të martën në mbrëmje për të miratuar një projektligj rreth 40 miliardë dollarë për t’i ofruar ndihmë Ukrainës, derisa ajo vazhdon të përballet me sulmet e Rusisë.

Kjo më pas do të duhet të miratohet nga Senati amerikan përpara se të shkojë te presidenti Joe Biden për t’u nënshkruar si ligj.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, kishte deklaruar se ata do të veprojnë me shpejtësi për ta miratuar këtë projektligj dhe me pas ta dërgojnë në tryezën e Bidenit.

Ndihma për Ukrainën ka qenë një pikë e rrallë që demokratët dhe republikanët janë bërë bashkë për një gjë.

Projektligji që e miratoi Dhoma e Përfaqësuesve parashikon fonde për një listë të gjatë prioritetesh, duke përfshirë ndihmën ushtarake dhe humanitare, shkruan CNN.

Mbledhja për situatën humanitare në Ukrainë këtë javë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mbajë një takim publik të enjten në mëngjes për situatën humanitare në Ukrainë me kërkesë të Francës dhe Meksikës.

Zyra Humanitare e OKB-së dhe zyrtarët e UNICEF-it pritet të informojnë këshillin në atë kohë edhe pse nuk është caktuar asnjë votim, raporton CNN.

Këshilli i Sigurimit pritet gjithashtu të mbajë një takim publik të mërkurën pasdite për testin e fundit të raketës balistike të Koresë së Veriut.

Shtetet e Bashkuara kanë nxitur gjithashtu një rezolutë të re për këtë çështje, por asnjë votim nuk është planifikuar për momentin.

Nën rrënojat e një bodrumi gjenden trupat e 44 civilëve ukrainas

Trupat e 44 civilëve të pajetë ukrainas janë gjetur në rrënojat e një ndërtese të shembur në qytetin ukrainas Izyum, derisa lufta për kontrollin e zonës është duke vazhduar.

Ndërtesa pesëkatëshe ishte shembur në mars, ndërsa banorët ishin fshehur në bodrum nga bombardimet ruse.

Kryebashkiaku Valeriy Marchenko thënë për BBC se ekipet e shpëtimit kishin shkuar shumë shpejt.

Ai ka theksuar se kanë frikë se numri i të vdekurve mund të rritet edhe më shumë, pasi edhe një ndërtesë tjetër, në të njëjtën rrugë, ishte shënjestër e sulmeve ajrore.

Ne e dimë se kishte njerëz atje gjithashtu. Puna e kërkimit po vazhdon dhe mendoj se do të mësojmë më shumë për numrin e viktimave së shpejti”, tha Marchenko.

Rusia mori kontrollin e Izyum më 1 prill dhe trupat e kanë pushtuar qytetin që atëherë.

Marchenko tha se kur ndërtesat u sulmuan, trupat ruse kishin marrë nën kontroll gjysmën e qytetit, shkruan BBC.

Bjellorusia po lëviz forcat speciale në kufirin me Ukrainën

Forcat e Armatosura të Bjellorusisë do të vendosin forca speciale në kufirin e Ukrainës sepse "Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre vazhdojnë të rrisin praninë e tyre ushtarake në kufijtë shtetërorë", sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Viktor Gulevich.

Për të garantuar sigurinë e Republikës së Bjellorusisë në drejtimin jugor, forcat e njësive të forcave të operacioneve speciale janë dislokuar në tre drejtime taktike”, thuhet në një deklaratë të marten, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Ai tha se ukrainasit kishin krijuar një forcë prej 20,000 vetësh afër kufirit të Bjellorusisë, e cila "kërkon një përgjigje nga ne".

"Shfaqja në ujërat e Detit Mesdhe dhe Baltik të një grupi që mbante raketa lundrimi me bazë deti dhe ajrore, një rritje në grupin e aviacionit në vendet e Polonisë dhe shtetet baltike tregojnë një kërcënim në rritje për Republikën e Bjellorusisë". thuhet në deklaratë.

Në kuadër të fazës së dytë të kontrollit të forcave të reagimit të menjëhershëm, në drejtimet operative perëndimore dhe veriperëndimore u dërguan grupe batalion-taktike, për forcimin e tyre, forcat e mbrojtjes ajrore, raketore dhe njësitë e artilerisë po lëvizin përpara për të siguruar luftimin e tyre. funksionon”, vijoi në deklaratë.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministri bjellorus i Mbrojtjes Viktor Khrenin tha se vendi ka filluar fazën e dytë të inspektimit të forcave të reagimit të ushtrisë së tij, sipas një video komenti të postuar në llogarinë Telegram të medias shtetërore bjelloruse Belta./M.H.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat