LIVE: Lufta në Ukrainë/ Dyshohet se kryen vrasje, tortura, bombardime… - shumë ushtarë rusë i pret ndëshkimi!

Bota

LIVE: Lufta në Ukrainë/ Dyshohet se kryen vrasje, tortura, bombardime… - shumë ushtarë rusë i pret ndëshkimi!

Nga: BOTA SOT Më: 13 maj 2022 Në ora: 06:00 Përditësuar në ora: 09:23 më 13.05.2022
Zhenia, një anëtar i forcave të mbrojtjes territoriale të Ukrainës, ruan një pozicion pranë Kutuzivka, në Ukrainën lindore, të premten, 13 maj 2022. (AP Photo/Bernat Armangue)

Britania: Putin po e poshtëron veten para botës

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë duhet të hiqen kur të gjitha trupat ruse të jenë larguar nga Ukraina.

Ajo ka thënë në një takim të ministrave të Jashtëm të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të përballet me disfatë në mënyrë që të parandalohet agresioni i mëtejmë.

“Putin është duke e poshtëruar veten para botës”, ka thënë ajo, duke shtuar se atij duhet t’i mohohet çdo përfitim për shkak të pushtimit në Ukrainë.

Ajo po ashtu ka bërë thirrje që Ukraina të ketë qasje në pajisjet ushtarake të NATO-s.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë më 13 maj se forcat ukrainase kanë ndalur me sukses një përpjekje të forcave ruse për të kaluar në Donbas përmes lumit.

Ministria ka thënë se disa imazhe tregojnë se Rusia ka humbur pajisje të armatosura teksa ka tentuar të kalojë lumin Siverskyi Donets, dhe sipas saj, ushtarët rusë kanë dështuar që të shënojnë përparim në atë zonë.

Komandantët rusë janë duke u përballur me presion në rritje nga udhëheqësit e tyre dhe janë duke zbatuar strategji të rrezikshme në fushëbetejë, është thënë në raport.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë./REL

Siemens tërhiqet nga Rusia

Pas 170 vjetësh koncerni nga Mynihu nuk do të prodhojë më në Rusi dhe do të tërhiqet nga vendi më i madh në botë. Arsyeja ka të bëjë me luftën që ka nisur ky vend i drejtuar nga presidenti Putin në Ukrainë.

"Ne e dënojmë luftën në Ukrainë dhe kemi vendosur t'u japim fund në një proces të rregullt aktiviteteve të biznesit në Rusi", deklaroi shefi i koncernit Roland Busch të enjten (12.05) duke prezantuar shifrat aktuale të xhiros së koncernit. Siemens ndërkohë ka marrë masat për ta ndërprerë aktivitetin dhe biznesin industrial.

Menjëherë pas fillimit të sulmit ndaj Ukrainës u pezulluan të gjitha bizneset e reja dhe furnizimet në Rusi dhe në Bjellorusi. Tani do të pasojë tërheqja nga tregu rus. "Ky vendim nuk ka qenë i lehtë për ne", deklaroi Busch duke iu referuar detyrimit kundrejt klientëve dhe të punësuarve në zonat e prodhimit. Ne jemi duke shqyrtuar pasojat për të gjithë personelin dhe do të  „vazhdojmë t'i mbështesim ata me të gjitha mundësitë".

Prej shumë kohësh aktivitet në Rusi

Në vitin 1847 Werner Siemens, një lejtnant artilerie, dhe mjeshtri i mekanikës Johann Georg Halske themeluan në Berlin kompaninë si një "Punishten e prodhimit të telegrafëve Siemens&Halske". Kjo ndërmarrje berlineze u zhvillua brenda pak dekadash nga një punishte, që krahas telegrafëve kryesisht ndriçuesve të sinjalistikës për hekurudhat prodhonte edhe izolantë telash dhe presa me ujë, në një ndër sipërmarrje më të mëdha në botë të elektroteknikës.

Siemens bënte pjesë ndër të parat sipërmarrje industriale shumëkombëshe në Europë. Prodhimi jashtë vendit nisi që në vitin 1863, kur Siemens themeloi një punishte kabllosh në Woolwich të Anglisë, pas kësaj nisën marrëdhëniet me Rusinë. Berlinezët ndërtuan një punishte kabllosh në Shën Peterburg. Në perandorinë e carëve Siemens u angazhua në vendosjen e lidhjeve telegrafike mes Moskës dhe Shën Peterburgut.

Sot Siemens është një koncern i përzier me aktivitet ndërkombëtar. Bërthama e tij është shoqëria aksionare e regjistruar në bursë Siemens AG, në të cilën bëjnë pjesë një sërë koncernesh gjermane dhe ndërkombëtare. Për koncernin me seli në Berlin dhe në Mynih punojnë mbi 300.000 vetë në 125 vende prodhimi në Gjermani dhe në 190 vende të tjera. Më 2021 xhiroja e koncernit ka qenë 62,3 miliardë euro.

Me Rusinë kohët e fundit vazhdimisht probleme

Bashkëpunimi me perandorinë e carëve dhe më pas me Bashkimin Sovjetik ka qenë për Siemens në përgjithësi pa probleme, me përjashtim të dy luftrave botërore. Por kjo ndryshoi me ardhjen e Putinit në krye të federatës ruse, që vazhdimisht ka pasur konflikte me institucionet ndërkombëtare dhe më vonë është përballur edhe me sanksione e bojkotime.

Në vitin 2021 nëpunësit e doganës në aeroportin e Frankfurtit bllokuan një dërgesë të Siemens me komponentë komandimi dhe module llogaritëse. Kjo dërgesë ishte destinuar për koncernin atomik rus Rosatom, i cili me sa duket do ta transportonte më tej paketën për në centralin bërthamor iranian Bushehr. Pasimi në këtë mënyrë i dërgesës me komponentë të Siemens do të përbënte shkelje të embargos së BE-së ndaj Iranit. Siemens deklaroi, se nuk dinte gjë për pasimin e dërgesës për në Iran.

"Veprim i papranueshëm"

Kryesia e koncernit jo gjithmonë ka qenë e prerë dhe është përpjekur që të avancojë bizneset me Rusinë edhe përtej sanksioneve. Ish-shefi i Siemens Joe Kaeser vetëm dy javë pas aneksimit përkundër së drejtës ndërkombëtare të Krimesë nga Rusia udhëtoi për në Moskë, ku u takua me presidentin Putin dhe me shefin e hekurudhave ruse Vladimir Jakunin.

Kaeser lëvdoi "marrëdhëniet plot mirëbesim" me Rusinë duke premtuar, se nuk dëshiron „të influencohet nga turbullirat afatshkurtëra". Koha e zgjedhur për këtë vizitë si dhe deklarimi i Kaesers ngjallën dyshimin asokohe, se Siemens do ta minimizojë rëndësinë e aneksimit të Krimesë duke vënë fitimin mbi të drejtën ndërkombëtare dhe interesat europiane.

Siemens është dyshuar gjithashtu, se i ka shkelur sanskionet duke furnizuar në Krime turbina gazi.Sipas marrëveshjes këto ishin parashikuar për ndërmarrjen e elektricitetit në Rusi. Por gazeta ruse Vedomosti zbuloi, se turbinat kishin qenë të destinuara për Krimenë - Siemens pavarësisht sanksioneve donte të furnizonte në Sevastopol dhe në Simferopol.

Atëherë qeveria e kritikoi koncernin: „Eshtë përgjegjësi e sipërmarrjes, që të respektojë ligjet e eksportit dhe sanksionet", u shpreh atëherë zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë. Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert pati bërë fjalë për një „veprim tërësisht të papranueshëm".

Siemens mund ta përballojë shkëputjen nga Rusia

Aktualisht Siemens i ka ndjerë sanksionet ndaj Rusisë. Koncerni në Mynih fitimin e tremujorit të dytë të vitit 2021/22 e kalkuloi me rreth 600 milionë euro. Kryesisht ka pasur humbje në biznesin me trenat dhe tenderimet.

Me 1,8 miliardë euro – sipas agjencisë Reuters – në tremujorin e kaluar fitimi në biznesin industrial, sipas analistëve, ka qenë nën parashikimet me rreth 2,4 miliardë euro. Fitimi ra me 49 përqind në 1,2 miliardë euro, në vend të 1,5 miliardë që pritej.

Siemens së fundi në Rusi mbulonte vetëm rreth një përqind të xhiros së përgjithshme. Kërkesa mbarëbotërore për produktet e Siemens vazhdon të jetë e lartë. Volumi i porosive është përmirësuar me një të tretën në rreth 16 përqind. Shefi i koncernit Busch theksoi megjithatë, se është një mjedis ekstremisht i vështirë: krahas luftës në Ukrainë koncerni po ndjen edhe pasojat e pandemisë Corona dhe ka rrezik në rritje sa i përket sigurimit të pjesëve elektronike të këmbimit, lëndëve të para dhe logjistikës./DW

Në rast të embargos, si do t’ia dilet pa naftën ruse?

Kush duhet të heqë dorë nga furnizimet? Kjo është pyetje që duhet të shtrohet, kur një ditë do të hiqet dorë nga nafta ruse. Ka disa mënyra të uljes së konsumit që nuk u dhembin aq qytetarëve.

BE po shqyrton mundësitë e vendosjes së embargos së naftës kundër Rusisë. Disa vende anëtare janë në gjendje t'ia dalin mbanë pa naftë ruse, të tjerë jo. Megjithatë embargoja do të prekë çdo vend dhe shtrohet pyetja: kush merr më pak, nëse në tërësi ka më pak për t'u ofruar? Shumë vende, me në krye Gjermaninë, po kërkojnë alternativa të tjera, por kjo nuk ka shumë kuptim. Sepse nëse mbetet e njëjtë sasia e konsumuar, për shkak të furnizuesve të rinj, atëherë edhe çmimet do të mbeten të larta, gjë që Putinin duhet ta gëzojë. Që nga fillimi i luftës vendet e BE kanë importuar naftë në vlerë rreth 24 miliardë euro nga Rusia.

Prandaj ka rëndësi të ulet në tërësi përdorimi i naftës. "Gati gjysma e nevojës europiane për naftë ruse mund të kursehet deri në vitin 2023, dhe gati e gjithë nevoja deri në vitin 2025", beson William Todts, drejtori ekzekutiv i "Transport&Enviroment, T&E, një organizatë që ia dedikon punën trafikut rrugor ekologjik. Vaji, derivat i naftës, produkt përdoret kryesisht për ngrohje, nafta për trafikun dhe përftimin e energjisë. Në BE 70% e naftës përdoren për automjetet.

Masa konkrete

Një masë lehtësisht e aplikueshme për uljen e përdorimit të naftës është kufizimi i shpejtësisë së automjeteve. Në 70% të autostradave gjermane nuk ka kufizim shpejtësie. Rreth 2,1 miliardë litër karburante mund të kurseheshin në vit në Gjermani, nëse vendoset kufizimi i shpejtësisë në 100km/orë në autostrada. Dhe nëse në zonat e brendshme të qyteteve vendoset kufizim shpejtësie në 30km/ orë atëherë sipas Organizatës Gjermane të Ekologjisë, mund të kursehesin në tërësi 3,7 miliardë litra benzinë dhe naftë që shpenzohen për trafikun. Masa të tjera do të ishin të dielat pa automjete, stimuj për përdorimin e transportit publik dhe më shumë homeoffice.

Mobiliteti elektrik në plan afatmesëm do të sillte po ashtu shumë efekt, sipas T%E. Me këtë masë do mund të ulej kërkesa për naftë deri në vitin 2023 me 38,8 tonë njësi nafte, gjë që i përgjigjet 48% të konsumit të naftës për automjetet europiane. Kjo masë ka efekt sidomos nëse i drejtohet më shumë automjeteve me kilometrazh të lartë, psh. automjeteve të firmave, taksive, autobusëve, automjeteve të transportit. Një masë tjetër lidhet me trafikun ajror dhe uljen e përdorimit të kerozinës. Nëse shumë vende do të merrnin si model Francën, që i ka ndaluar fluturimet e distancave të shkurtra dhe ka ofruar për këtë përdorimin e trenit, atëherë në vit mund kurseheshin 2 miliardë euro import nafte nga Rusia. Këtë e thotë një analizë e Greenpeace. Kjo organizatë kërkon edhe ndalimin e fluturimeve bosh. Këto janë fluturime, me avionë bosh ose gjysmë të mbushur, që përdoren nga shoqëritë e fluturimit për të marrë të drejta e fluturimit. Vitin e kaluar, sipas Greenpeace dimrin e kaluar janë kryer 100.000 fluturime të tilla që kanë shpenzuar 360.000 tonë kerozin.

Ulja e tatimeve nuk ndihmon

Masat për uljen e çmimit të karburantit për shkak të rritjes së çmimeve të përgjithshme të energjisë nuk do të ndihmonin në uljen e përdorimit të naftës. Megjithatë të premten në Bundestag mund të diskutohet plani që në tre muajt e ardhshëm të verës, tatimi për energjinë që u vendos si tatim shtesë mbi karburantet të ulet në nivelin europian. Sipas T&E, nëse benzina dhe nafta bëhen më të lira nuk krijohen stimuj për të kursyer, përkundrazi. Masat që morën 18 vende europiane me uljen e tatimeve për karburantet që nga marsi kanë çuar në shtimin e përdorimit të naftës në 3,3 milionë tonë më shumë.

Pra ka disa mundësi se si mund të ulet përdorimi i naftës. Ndërkohë që në BE ende diskutohet, nëse është e mundur vendosja e embargos së naftës ruse. KE e propozoi embargon për naftën brenda gjashtë muajve të këtij viti dhe për produktet e rafinerive deri në fund të vitit 2022- Gjermania në një rast të tillë do të ishte më pak e prekur, se ka arritur të ulë shpejt varësinë nga nafta ruse. Nëse vitin e kaluar rreth një e treta e naftës vinte nga Rusia, aktualisht importet ruse përbëjnë vetëm 12%. Ndryshe është gjendja në Sllovaki, Çeki, Bullgari. Në tërësi 25% e naftës që përdoret në BE vjen nga Rusia./DW

G7 do të shmangë bllokadën ruse të drithërave në Ukrainë

Miliona ton drithëra nuk mund të eksportohen, lufta në Ukrainë ka pasoja masive ndaj sigurisë për ushqime në mbarë botën. Vendet e industrializuara të grupit G7 duan të lirojnë portet e bllokuara nga Rusia në Ukrainë.

25 milion ton drithëra ndodhen ndërkohë të bllokuara në portet ukrainase, kryesisht në Odesa, tha ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock në hapje të konsultimeve (12.05) triditore të ministrave të Jashtëm të G7 në Weissenhaus buzë Detit Baltik. Këto drithëra nevojiten urgjentisht, kryesisht në vendet e varfëra në afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Tani shtatë demokracitë më të pasura në botë nuk duhet t'i lenë në baltë këto vende.

Qëllimi i presidentit rus Vladimir Putin është që me luftën e tij sulmuese të përçajë bashkësinë ndërkombëtare. "Ne si G7 do t'i kundërvihemi kësaj", tha Baerbock. Ne po konsultohemi bashkarisht, se si të zhbllokojmë bllokadën e drithërave të krijuar prej Rusisë dhe të mund të dërgojmë në botë drithërat ukrainase, tha Baerbock.

Ukraina është ndër furnizueset më të rëndësishme të drithërave në mbarë botën. Sipas shifrave të Organizatës së OKB-së për Ushqimin më 2021 Ukraina zinte vendin e tretë si eksportuese e elbit dhe vendin e pestë për eksportin e grurit.

BE do të lehtësojë transportin përmes rrugëve tokësore

Pak përpara deklaratës së Baerbock, Komisioni i BE-së tërhoqi vëmendjen për një situatë të rrezikshme. Drithërat rrezikojnë bllokimin e depove që nevojiten për të korrat e ardhëshme. Ukraina për shkak të porteve të bllokuara nga Rusia në Detin e Zi ndërkohë nuk mund të eksportojë më si më parë. Për këtë arsye Komisioni i BE-së do të lehtësojë tani transportin përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhave.

Gjermania aktualisht drejton presidencën e radhës në grupin G7. Anëtarë të këtij grupi janë SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Japonia. Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve Baerbock i ka ftuar në kështjellën Weissenhaus në landin e Shlesvig-Holstainit. Gjatë konsultimeve që do të vazhdojnë deri të shtunën (14.05) në fokus është kryesisht lufta.

Putin pret të korra rekord

Rusia, sipas presidentit Vladimir Putin, sivjet pret të korra rekord të grurit. Në një mbledhje të qeverisë ai deklaroi njëkoëhësisht, se do të rriten eksportet: "Sipas vlerësimit të specialistëve - këto natyrisht janë vetëm vlerësime të përkohshme - të korrat e grurit mund të arrijnë deri në 130 milion ton, ndër to 87 milion ton grurë." Sipas Putinit ky do të ishte një rekord për grurin. Rusia është ndër prodhuesit më të mëdhenj të drithërave në mbarë botën dhe luan një rol të rëndësishëm për ushqimin në botë./DW

Ukraina paralajmëron për tregtinë e grurit të vjedhur

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka paralajmëruar se njerëzit që tregtojnë drithë të vjedhur ukrainas do të mbajnë përgjegjësi, ka raportuar agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.

Rusia ka organizuar një bllokadë përgjatë bregut të Detit të Zi që nga lufta e saj në Ukrainë, duke parandaluar eksportin e miliona tonëve drithë. Ukraina ka akuzuar forcat ruse për vjedhjen e disa qindra mijëra tonëve drithë.

Kuleba e ka quajtur Rusinë “kriminel të trefishtë”.

Ka bombarduar Sirinë, ka pushtuar një pjesë të Ukrainës dhe tani po shet drithë të vjedhur ukrainas në Siri”, citohet të ketë thënë ai.

Më herët presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se vendi i tij do të rrisë eksportet falë një korrje të mirë.

Ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit të shkaktuar nga lufta ka kontribuar në rritjen e çmimeve në mbarë botën.

Afro 100 fëmijë ukrainas u vranë gjatë prillit

Afro 100 fëmijë janë konfirmuar se janë vrarë në Ukrainë në prill, sipas zëvendësdrejtorit ekzekutiv të Unicef.

Megjithatë, Omar Abdi pranoi se numri i vërtetë ka të ngjarë “dukshëm më i lartë”.

Ai i tha këshillit të sigurimit të OKB-së: “Vetëm muajin e kaluar, OKB-ja verifikoi se rreth 100 fëmijë u vranë dhe ne besojmë se shifrat aktuale janë dukshëm më të larta”.

Abdi shtoi se Ukraina po përballet me një “krizë të mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtave të fëmijëve”, pasi i afrohen 80 ditët e luftës me Rusinë.

Më vonë ai kërkoi t’i jepet fund bombardimeve të shkollave të Ukrainës.

Qindra shkolla në të gjithë vendin raportohet se janë goditur nga artileria e rëndë, sulmet ajrore dhe armë të tjera shpërthyese në zonat e populluara”, tha ai.

Zyrtari i OKB-së paralajmëron Putinin që miliona njerëz do të vdesin nëse portet e Ukrainës mbeten të bllokuara

David Beasley, kreu i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, po i lutet presidentit rus Vladimir Putin që të rihapë portet e Detit të Zi të Ukrainës përpara se të godasin fatkeqësitë globale.

Miliona njerëz në mbarë botën do të vdesin sepse këto porte po bllokohen”, tha Beasley për CNN gjatë një konference të enjten, përcjell “Bota sot”.

I pyetur se çfarë do t'i thoshte drejtpërdrejt Putinit, zyrtari i OKB-së tha: "Nëse keni ndonjë zemër për pjesën tjetër të botës, pavarësisht se si ndiheni për Ukrainën, ju duhet t'i hapni ato porte."

Dërgesat jetike të bujqësisë nga Ukraina, të njohura si shporta e bukës së botës, janë bllokuar në vendin e shkatërruar nga lufta, sepse porti i Odesës dhe portet fqinje janë bllokuar nga zyrtarët rusë.

Beasley, një ish-guvernator republikan i Karolinës së Jugut, paralajmëroi se portet duhet të jenë funksionale brenda 60 ditëve të ardhshme ose ekonomia e Ukrainës me qendër bujqësinë do të shpërthejë.

Nëse nuk zgjidhet dhe nuk hapet kjo çështje e portit, ekonomia e Ukrainës shembet plotësisht,” tha Beasley në konferencën SABEW në Nju Jork. “Ajo bëhet pa dalje në det si Moldavia. Portet janë kritike.”/M.H.

Ushtria ruse vazhdon të përdorë bazën ajrore ukrainase në Melitopolin e pushtuar

Ushtria ruse po vazhdon të përdorë një bazë ajrore ukrainase jashtë qytetit të pushtuar të Melitopolit, tregojnë imazhet satelitore nga BlackSky.

Të paktën shtatë helikopterë shihen në bazën ajrore në një imazh satelitor të marrë më 12 maj në orën 3:58 pasdite. (Koha lokale). Vetëm një helikopter shihet në një imazh satelitor nga 7 maji në orën 6:02 të mëngjesit, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Përdorimi i bazës ajrore nga rusët është i rëndësishëm, duke pasur parasysh vendndodhjen e saj strategjike midis qyteteve të pushtuara të Khersonit, Mariupolit dhe pjesëve të rajonit të Donbasit të mbështetur nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Edhe pse baza ajrore është thellë brenda territorit të pushtuar nga Rusia, kjo nuk do të thotë se avionët atje janë të sigurt. Në fund të marsit, forcat ukrainase shënjestruan me sukses aeroportin jashtë Khersonit, duke hedhur në erë një numër helikopterësh ushtarakë rusë.

Si rezultat i atij sulmi të suksesshëm ushtarak ukrainas, ushtrisë ruse i është dashur të braktisë kryesisht aeroportin si bazë për avionët e saj./M.H.

Diplomati rus thotë se pushtimi po vazhdon sipas planit, por jo aq shpejt sa do të donim disa në vend

Majlinda Haziri Majlinda Haziri

Ambasadori i Rusisë në Bashkimin Evropian tha se pushtimi i Ukrainës nga Moska është në rrugën e duhur, por nuk po vazhdon me shpejtësinë që dëshironim.

Duke e quajtur pushtimin një "operacion të posaçëm ushtarak", ambasadori Vladimir Chizhov tha për Sky News se Rusia mund ta kishte "rrokullisur" Ukrainën deri tani nëse do të kishte dashur, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Ai po vazhdon me një shpejtësi të caktuar, duke pasur parasysh aspektet e ndryshme të situatës në Ukrainë, duke përfshirë nevojën për të mbrojtur trupat – trupat ruse dhe aleatët e Republikës Popullore të Donetskut dhe Luhanskut – si dhe popullsinë civile. ", tha Chizhov.

"Sikur ushtria ruse të kishte ndjekur modelin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, ne do ta kishim rrokullisur Ukrainën disa herë deri tani. Por ky nuk ishte kurrë qëllimi. Në fakt, duhet të përsëris se nuk ishte qëllimi i Rusisë të kapte territorin. në Ukrainë”.

Kur u pyet për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë, Chizhov tha:

"Do të thoni nëse NATO do të vendosë armë bërthamore në Ukrainë? Shpresoj që jo." Ai shtoi, "Ashtu si e ndryshme nga Shtetet e Bashkuara, Rusia nuk vendos armë bërthamore askund përtej territorit të saj."

Chizhov tha se është "thellësisht i zhgënjyer dhe i pikëlluar" nga Finlanda dhe Suedia që bëjnë lëvizje për t'u bashkuar me NATO-n.

"Përse qeveria aktuale finlandeze ka zgjedhur ta kthejë vendin në një periferi të NATO-s, nuk mund ta kuptoj," tha ai.

Nëse Finlanda bashkohet, Rusia do të marrë "masa të caktuara teknike ushtarake", tha ai.

"Ashtu si përmirësimi ose ngritja e shkallës së përgatitjeve të mbrojtjes përgjatë kufirit finlandez...jo domosdoshmërisht trupa dhe tanke, por disa përgatitje si radarët, ndoshta, por unë nuk jam ekspert ushtarak."

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat