Pas kërcënimeve dhe mesazheve ndaj NATO-s dhe Amerikës, kjo është lëvizja e fundit ushtarake e Putinit!

Bota

Pas kërcënimeve dhe mesazheve ndaj NATO-s dhe Amerikës, kjo është lëvizja e fundit ushtarake e Putinit!

Nga: BOTA SOT Më: 16 maj 2022 Në ora: 06:31 Përditësuar në ora: 17:07 më 16.05.2022
Presidenti rus, Vladimir Putin

Zelensky falënderon ushtarët që i larguan rusët nga Khakiv

Presidenti ukrinas Volodymyr Zelesky ka dërguar një mesazh falënderimi për ushtarët ukrainas që kanë dëbuar trupat ruse nga Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Forcat ukrainase kanë rimarrë territorin në zonat veri-lindore ditët e fundit, duke i shtyrë rusët jashtë rrezes së artilerisë së qytetit, i cili kishte duruar javë të tëra bombardimesh.

Më herët gjatë ditës së sotme, një grup i atyre ushtarëve u fotografuan pranë një tabele kufitare të restauruar - me ngjyrat e flamurit ukrainas - që thuhet se kishin arritur në kufirin me Rusinë.

"Batalioni 227 i brigadës 127 të mbrojtjes territoriale të Ukrainës! Faleminderit shumë!" tha Zelensky, në një video të postuar në Instagram.

"Nga të gjithë ukrainasit, nga unë dhe nga familja ime. Mirënjohja ime nuk ka kufij," vazhdoi ai.

"Ju uroj të gjithëve shëndet dhe kujdesuni për veten"

Ai përfundoi, në stilin tradicional: "Lavdi Ukrainës!"

Kryeministri norvegjez: Do të mbrojmë Suedinë dhe Finlandën me të gjitha mjetet e nevojshme

Pasi Suedia konfirmoi se do të ndiqte hapat e Finlandës dhe do të aplikonte për anëtarësim në NATO, reagon ehde Norvegjia, shkruan BBC, përcjell Bota sot.

Norvegjia, Danimarka dhe Islanda lëshuan një zotim të përbashkët për "fqinjët e tyre nordikë", duke u ofruar atyre mbështetje nëse sulmohen përpara se të shqyrtohen aplikimet e tyre përkatëse.

Jonas Gahr Stoere, kryeministri i Norvegjisë, tha në një deklaratë:

"Së bashku me Danimarkën dhe Islandën, Norvegjia është e gatshme të ndihmojë fqinjët e saj nordikë me të gjitha mjetet e nevojshme nëse ata janë viktimë e agresionit në territorin e tyre përpara se të anëtarësohen në NATO."

“Nuk duam armë bërthamore në territorin tonë”

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson thotë se Evropa dhe Suedia "po jetojnë tani në një realitet të ri dhe të rrezikshëm".

Andersson sapo ka njoftuar se Suedia do të aplikojë për t'u anëtarësuar në NATO, gjatë një konference për shtyp, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Megjithatë, ajo thotë se Suedia nuk dëshiron baza të përhershme ushtarake të NATO-s apo armë bërthamore në territorin e saj nëse anëtarësimi i saj miratohet.

Suedia do të aplikojë për anëtarësim në NATO

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson po mban konferencë për shtyp në Stokholm.

Ajo fillon duke konfirmuar se Suedia do të aplikojë për anëtarësim në NATO, duke përmbysur një histori të gjatë të neutralitetit ushtarak, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Kryeministrja shton se është e bindur se për këtë ka mbështetje nga populli suedez.

Ministrat e BE-së i bëjnë thirrje Hungarisë të mbështesë embargon ndaj naftës ruse

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kërkuan të hënën nga Hungaria që të heqë veton për embargon e propozuar ndaj naftës ruse, teksa Lituania tha se blloku po “mbahet peng nga një shtet anëtar”.

Embargoja ndaj importeve të naftës së papërpunuar ruse është propozuar nga Komisioni Evropian më herët gjatë majit, dhe nëse miratohet, do të ishte sanksioni më i ashpër në përgjigje të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.

Gjermania, që është blerësja më e madhe e energjisë ruse, tha se dëshiron një marrëveshje që autorizon embargon e naftës, që sipas këtij shteti, mund të zgjaste për vite të tëra.

“Jam e bindur se do të gjejmë një marrëveshje në ditët në vijim”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, teksa arriti në takimin me homologët e saj.

Por, Hungaria, që është aleatja kryesore e Rusisë në BE, ka thënë se dëshiron qindra-milionë dollarë nga blloku për të mbuluar koston e heqjes dorë nga nafta e papërpunuar ruse.

Që propozimi i Komisionit Evropian të hyjnë në fuqi, duhet që të pajtohen të 27 shtetet e BE-së.

“I gjithë blloku po mbahet peng nga një shtet anëtar... ne duhet të pajtohemi, ne nuk mund të mbahemi peng”, tha ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.

Edhe ministra të tjerë të Jashtëm të bllokut i bën thirrje Hungarisë që të pajtohet për embargon ndaj naftës ruse./REL

NATO nis manovrat ushtarake në Baltik me Finlandën dhe Suedinë

Pritet të fillojnë sot manovrat ushtarake më të mëdha në historinë e marrëdhënieve të vendeve baltike me NATO-n, “Hedgehog”.

Manovrat ushtarake do të zhvillohen në Estoni për dy javë dhe do të përfshijnë 15 mijë ushtarë nga 10 vende, përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe vendet joanëtare, Finlanda dhe Suedia, të cilët po përgatiten të aplikojnë për anëtarësim në aleancë.

Edhe pse e planifikuar shumë përpara pushtimit rus të Ukrainës, manovrat zhvillohen në një kohë të tensionit të veçantë mes NATO-s dhe Moskës.

Partia Social-demokrate e Suedisë në pushtet njoftoi dje synimin e saj për të paraqitur një kërkesë për anëtarësimin e vendit në NATO, një lëvizje që shënon një ndryshim të madh në pozicionin e tyre të gjatë në aleancën e mbrojtjes.

Partia e kryeministres suedeze, Magdalena Andersson doli në favor të anëtarësimit të vendit të saj në NATO pas një takimi special të dielën, sipas faqes së internetit të partisë.

Megjithatë, social-demokratët kanë treguar se nuk duan armë bërthamore apo baza të përhershme të NATO-s në territorin e tyre.

Ndryshimi i politikës së partisë vjen si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës, i cili ka shkaktuar një rishikim të anëtarësimit në NATO si në Suedi ashtu edhe në Finlandën fqinje.

"Nuk do të hezitoja. Nëse shoh një ushtar rus, e di se çfarë të bëj”

Ish-profesionisti i tenisit Sergei Stachowski (36) ka qenë në ushtrinë ukrainase që nga fillimi i luftës. Herë pas here ai tregon se si ndodhi dhe si po kalon atje.

Njeriu që mposhti Federerin në Wimbledon 2013 u zhvendos pa asnjë njohuri ushtarake.

“Efektivisht kemi fjetur me kallashnikov pranë nesh. Nëse ka një sulm, duhet të jesh gati”, përshkruan Stachowski për BBC ditët e tij të hershme në ushtri.

Me daljet e tij në shtyp, ai përpiqet të sensibilizojë botën dhe t'i tregojë se çfarë po ndodh realisht.

Ai u trondit nga shkatërrimi në Bucha, një periferi e Kievit ku filloi lufta. Ka prova që civilët janë kapur, përdhunuar dhe vrarë.

“Ajo që ata bënë atje dhe si e bënë është shumë çnjerëzore. Nuk mund të përshkruaj se sa e madhe është urrejtja për ushtrinë ruse”, tha Stachowski.

Njerëzit në Bucha nuk do të kishin një shans për të mbijetuar.

Për 36-vjeçarin është e qartë: «"Nuk do të hezitoja. Nëse shoh një ushtar rus, e di se çfarë të bëj”./M.L.

Rusia pretendon krijimin e armëve biologjike pranë kufirit

Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, Moska kishte marrë "prova dokumentare të përbërësve të armëve biologjike që ishin krijuar në thelb" pranë kufijve të Rusisë, tha presidenti rus në samitin e bllokut të sigurisë të udhëhequr nga Rusia CSTO, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ai shtoi se "po punohej mbi metodat dhe mekanizmat e mundshëm të destabilizimit të situatës epidemiologjike në hapësirën post-sovjetike".

BBC nuk është në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Putin shtoi se CSTO po planifikonte një "seri stërvitjesh të përbashkëta në Kazakistan, Kirgistan dhe Taxhikistan në vjeshtë".

Lukashenko kërkon unitetin e aleancës ushtarake ruse

Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko u ka kërkuar anëtarëve të tjerë të një aleance ushtarake të dominuar nga Rusia që të qëndrojnë të bashkuar.

Ai gjithashtu akuzoi Perëndimin se shpreson të zgjasë konfliktin në Ukrainë në një përpjekje për të dobësuar Rusinë, përcjell Bota sot.

Lukashenko, duke folur në një samit të liderëve të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) në Moskë, tha se "sanksionet djallëzore" kundër vendit të tij dhe Rusisë mund të ishin shmangur nëse grupi do të kishte folur me një zë të bashkuar.

"Pa një front të bashkuar, Perëndimi kolektiv do të ngrejë presion mbi hapësirën post-sovjetike," tha Lukashenko.

Sulmi rus u ndal në rajonin Sumy

Rojet kufitare ukrainase zmbrapsën një sulm nga një grup sabotues dhe zbulues rus në rajonin verilindor të Sumy këtë mëngjes, tha guvernatori rajonal Dmytro Zhyvytsky.

Grupi rus hyri në territorin ukrainas nën mbulesën e predhave të mortajave, granatave dhe mitralozëve, por u tërhoq pasi rojet kufitare u kundërpërgjigjën, shkroi Zhyvytsky në Telegram, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Ushtria ruse kaloi në rajonin Sumy menjëherë pasi pushtimi i saj në Ukrainë filloi më 24 shkurt, megjithatë, forcat ukrainase rifituan kontrollin e rajonit më 8 prill dhe janë përgatitur për sulme të mëtejshme.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime./M.H.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat