Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky ka kritikuar qeverinë hungareze për qëndrimin e saj ndaj Rusisë, në një postim në Twitter pas betimit të Viktor Orban si kryeministër të hënën.
Lipavsky tha se vendimi i Hungarisë për të mos mbështetur sanksionet që synojnë eksportet ruse të energjisë ishte "i papranueshëm", duke shtuar se Evropa duhet të jetë më e bashkuar se kurrë, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.
Republika Çeke së bashku me Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë i përket të ashtuquajturit grupi "Katër Vishegrad" i vendeve të Evropës Qendrore, i formuar për të mbrojtur interesat e përbashkëta në BE.
Megjithatë, qëndrimi i Hungarisë ndaj zbatimit të sanksioneve kundër Rusisë dhe refuzimit të saj për të armatosur Ukrainën është në kundërshtim të thellë me anëtarët e tjerë të Vishegradit dhe qëndrueshmëria e grupit duket gjithnjë e më e pasigurt.