ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë akuzuar Rusinë për përhapjen e dezinformatave në internet dhe manipulimin e opinionit publik në lidhje me luftën në Ukrainë, duke hedhur poshtë me forcë pretendimet ruse se Perëndimi synon të kontrollojë të gjitha flukset e informacionit dhe të përcaktojë se çfarë është e vërtetë apo jo.
Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, James Roscoe, tha në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Rusia ka kryer sulme kibernetike dhe ka manipuluar opinionin publik rreth luftës së tyre.
Ambasadorja e ShBA-së, Linda Thomas-Greenfield, tha se Moska “vazhdon të mbyllë, të kufizojë dhe të degradojë lidhjen e internetit, të censurojë përmbajtjen, të përhapë dezinformata në internet dhe të frikësojë dhe arrestojë gazetarët për raportimin e së vërtetës për pushtimin e saj”.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, akuzoi vendet që e quajnë veten një “komunitet të demokracive” për ndërtimin e “një totalitarizmi kibernetik” dhe – së bashku me gjigantët e teknologjisë si Meta – për mbylljen e kanaleve televizive ruse, dëbimin e gazetarëve rusë dhe bllokimin e aksesit në faqet e internetit ruse.