Tre ditë përpara sesa Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, ish-presidenti Dmitry Medvedev e siguroi Vladimir Putinin gjatë një takim të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit të transmetuar direkt në mediat televizive, se nuk kishte asgjë për t’u frikësuar nga reagimi i Perëndimit.
“Ne e dimë se çfarë do të ndodhë. Do të ketë presion dhe sanksione ndaj nesh. Por pas një fare kohe, tensioni do të bjerë. Herët a vonë ata do të lodhen dhe do të kërkojnë vetë që të rifillojmë diskutimet dhe bisedimet për të gjitha çështjet e sigurisë strategjike. Le ta pranojmë: për miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, Rusia ka një domethënie shumë më të madhe sesa Ukraina”- tha ndër të tjera ai.
Deri më tani, vlerësimet e Medvedev kanë qenë të gabuara. Sipas të gjitha dëshmive, Moska është befasuar nga forca dhe uniteti i Perëndimit në solidaritetin që ka treguar ndaj Ukrainës. Por ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e saj të katërt, liderët perëndimorë po mendojnë tani mbi perspektivën e një konflikti të zgjatur në kohë.
Po ashtu, ata e kuptojnë se e vendosën forcën e tyre në shpinën e luftëtarëve trima të Ukrainës, por pa specifikuar se cili duhet të jetë “fundi i lojës”. Që në fillim të luftës, synimi ishte të ndihmohej Ukrainën të përballonte një agresion krejtësisht të pajustifikuar nga një prej ushtrive më të mëdha në botë.
Më pas ndodhi diçka e papritur: ajo ushtri e fuqishme, e udhëhequr nga komandantë të paaftë dhe e zënë përballë një rezistence të ashpër, u detyrua të tërhiqej në një pjesë më të aksesueshme të vendit. Papritmas u bë e besueshme teza që një Ukrainë, e pajisur me armë më të rënda nga Perëndimi, mund ta fitojë këtë luftë.
Dhe kjo ngre shumë pikëpyetje për mbështetësit e Ukrainës. Çfarë do të thotë “fitues”? A po i shtyn fitorja rusët atje ku e filluan më 24 shkurt? Apo nënkupton kjo rikthimin e territoreve të pushtuara që nga viti 2014, përkatësisht të Krimesë dhe dy rajoneve në Donbas?
Në rast se udhëheqja ukrainase vendos që forcat e saj të armatosura të udhëheqin një kundërofensivë për të rimarrë të gjithë territorin e saj, a duhet Perëndimi të vazhdojë ta ndihmojë atë? Çfarë duhet të nxisë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë?
Lexo lajmin e plotë KËTU.