Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka mohuar spekulimet se presidenti rus, Vladimir Putin është i sëmurë.
Në një intervistë për televizionin francez, TF1, Lavrov ka thënë se lideri rus paraqitet në publik çdo ditë dhe asnjë person i arsyeshëm nuk sheh shenja të ndonjë sëmundjeje.
Ka pasur spekulime të pakonfirmuara nga mediat se Putin, i cili mbush 70 vjet këtë vit, mund të jetë duke u përballur me sëmundje të rëndë, ndoshta edhe kancer.
Burime të inteligjencës britanike janë cituar t’iu kenë thënë mediave, se Putin ka qenë shumë i sëmurë javën e kaluar.
“E lë këtë në përgjegjësinë e atyre që përhapin thashetheme të tilla, pavarësisht mundësive ditore për të vlerësuar si duket dikush”.
Intervista e tij ka ardhur teksa Rusia vazhdon të avancojë në rajonin ukrainas të Donbasit.
Lavrov ka thënë se “çlirimi” i rajonit lindor është “prioritet” për Rusinë.
Ai ka përsëritur qëndrimin e zyrtarëve rusë se shteti i tyre po lufton “regjimin neo-nazist” në Ukrainë.
Kievi dhe Perëndimi e konsiderojnë këtë qëndrim si arsyetim të rremë për nisje të luftës.
I pyetur për numrin e civilëve të vrarë, ministri rus ka insistuar se ushtarët rusë “zbatojnë urdhra që në mënyrë kategorike shmangin sulmin në infrastrukturë civile”./REL
Prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, më 24 shkurt, të paktën 4,031 civilëve janë vrarë dhe mbi 4,730 janë plagosur, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Numri i luftëtarëve të vrarë nuk dihet ende.
Më shumë se 14 milionë njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre, pasi qytete e qyteza janë shndërruar në gërmadha./REL