LIVE: Ushtria ruse bombardon rezervuarin me acid/ Zelensky trondit Putinin me deklaratën e fundit- priten sanksionet e reja të BE-së

Bota

LIVE: Ushtria ruse bombardon rezervuarin me acid/ Zelensky trondit Putinin me deklaratën e fundit- priten sanksionet e reja të BE-së

Nga: BOTA SOT Më: 31 maj 2022 Në ora: 05:58 Përditësuar në ora: 13:35 më 31.05.2022
Një shpëtimtar inspekton një banesë ku u mblodhën trupat e civilëve nga një ndërtesë banimi e granatuar në Kharkiv më 31 maj. (Ivan Alvarado/Reuters)

Inflacioni në eurozonë arrin nivelin rekord

Inflacioni në 19 vendet që përdorin valutën euro shënoi një rekord prej 8.1 për qind të martën, si pasojë kjo edhe e rritjes së çmimeve të energjisë, të shkaktuar pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Të dhënat më të fundit të publikuara nga agjencia e statistikave të Bashkimit Evropian “Eurostat” treguan se inflacioni vjetor në muajin maj ka kaluar rekordin e mëparshëm prej 7.4 për qind të arritur në dy muajt e mëparshëm.

Çmimet e energjisë u rritën me 39.2%, duke nënvizuar se si lufta dhe kriza globale e energjisë po e bëjnë më të shtrenjtë jetesën për 343 milionë banorët e eurozonës.

Inflacioni në eurozonë është tani në nivelin më të lartë që nga fillimi i mbajtjes së regjistrave për euron në vitin 1997.

Çmimet e ushqimeve gjithashtu u rritën me 7.5%, ndërsa çmimet e mallrave u rritën me 4.2% dhe kostoja e shërbimeve u rrit me 3.5%./REL

Gjykata ukrainase dënon me burg dy ushtarë rusë për krime lufte

Një gjykatë ukrainase dënoi të martën, me nga 11 vjet e gjysmë burg dy ushtarë rusë të kapur rob për bombardimin e një qyteti në Ukrainën lindore. Ky është vendimi i dytë që jepet me akuzën për krime lufte që nga fillimi i pushtimit rus në 24 shkurt.

Alexander Bobikin dhe Alexander Ivanov, të cilët dëgjuan vendimin duke qëndruar në një qeli xhami të përforcuar në gjykatën e qarkut Kotelevska në Ukrainën qendrore, u deklaruan 'fajtorë' javën e kaluar.

Bobykin dhe Ivanov u shpallën fajtorë për "shkelje të ligjeve të luftës" në fund të një gjyqi që filloi në mes të muajti maj në qytetin e Poltava, sipas raportimeve nga agjencia e lajmeve Interfax, sipas të cilës, të dy të pandehurit "e pranuan plotësisht fajin dhe u deklaruan të penduar"./REL

Borrell: Ndalimi i naftës në BE do të shkurtonte paratë që Rusia i shpenzon për luftën në Ukrainë

Marrëveshja e BE-së për të shkurtuar shumicën e importeve të naftës ruse do ta detyronte Moskën t’u ofrojë të tjerëve naftë të papërpunuar me një çmim më të ulët, sipas kryediplomatit të bllokut, Josep Borrell.

Ne jemi klienti më i rëndësishëm për Rusinë”, tha Borrell gjatë mbërritjes në ditën e dytë të bisedimeve të liderëve të BE-së.

Qëllimi është që Rusia të ketë më pak burime financiare për të ushqyer makinën e saj të luftës”, shtoi ai.

Anija largohet nga porti i Mariupolit për herë të parë pas pushtimit rus

Një anije është larguar nga porti në qytetin e rrethuar të Mariupolit për herë të parë që kur forcat e Kremlinit pushtuan vendin.

Agjencia e lajmeve “Interfax”, duke cituar liderin separatist të mbështetur nga Rusia të rajonit separatist ukrainas të Donetskut, ka raportuar se anija po shkon në lindje drejt Rusisë.

“Sot 2500 ton fletë të petëzuara të metalit u larguan nga porti i Mariupolit. Anija u nis për në Rostov-on-Don”, ka shkruar Denis Pushilin në Telegram.

Ukraina ka thënë se dërgesa e metalit në Rusi nga Mariupol ishte një grabitje.

Në fillim të këtij muaji, trupave ukrainase në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol iu tha të ndalonin mbrojtjen e qytetit jugor të Ukrainës dhe të “shpëtonin jetët e ushtarëve”.

Autoritetet ukrainase kanë vlerësuar se të paktën 22,000 njerëz janë vrarë në qytetin port që nga fillimi i pushtimit rus.

Ushtria ruse i afrohet edhe më shumë Severodonjeckut

Trupat ushtarake ruse i janë afruar edhe më shumë qendrës së qytetit lindor ukrainas, Severodonjeck më 31 maj.

Luftimet lagje për lagje kundër forcave ukrainase, kanë shndërruar qytetin në gërmadha.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se situata në rajonin lindor, Donbas, është “jashtëzakonisht e rëndë”, pasi Rusia ka angazhuar forcën më të madhe ushtarake atje.

“Situata në Donbas është shumë e rëndë. Ushtria ruse është duke tentuar të mbledhë forcat në zona të caktuara për të rritur presionin ndaj mbrojtësve tanë. Në Donbas është mbledhur e gjithë forca e ushtrisë ruse”, ka thënë Zelensky në një adresim para popullit në orët e vona të 30 majit.

Leonid Pasechnik, lideri separatist i mbështetur nga Moska në rajonin ukrainas të Luhanskut, ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve, TASS se një e treta e Severodonjeckut “është nën kontrollin tonë”, mirëpo se përparimi rus nuk ka qenë aq i shpejtë sa është pritur.

Inteligjenca britanike ka konfirmuar më 31 maj se janë duke vazhduar bombardimet në këtë qytet, dhe se luftimet nëpër rrugë besohet se janë duke ndodhur në hyrje të qytetit.

“Përparimi ka qenë i ngadalshëm, mirëpo fitore janë arritur”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes në raportin e saj ditor, duke shtuar se synimi politik i Moskës duket se është kontrollimi i gjithë rajoneve Donjeck dhe Luhansk.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë për një media franceze se “çlirimi” i rajonit të Donbasit është “prioritet” për Rusinë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi dhe Kievi e shohin këtë arsyetim si të rremë për nisje të luftës./REL

Jep dorëheqje këshilltari i cili e ndihmoi Putinin që të vijë në pushtet

Valentin Yumashev, dhëndri i ish-presidentit rus, Boris Yeltsin, i cili e ka ndihmuar presidentin Vladimir Putin që të vijë në pushtet, ka dhënë dorëheqje nga posti i këshilltarit në Kremlin.

Yumashev ishte një këshilltar i papaguar me ndikim të kufizuar në vendimmarrjen e Putinit, por largimi i tij heq një nga lidhjet e fundit me sundimin e Yeltsinit brenda administratës së Putinit, raporton Reuters.

Utin urdhëroi forcat e tij të armatosura të sulmonin Ukrainën më 24 shkurt në një pushtim që aleanca ushtarake e NATO-s thotë se është një akt agresioni të pajustifikuar dhe që Rusia e quan një “operacion special” të nevojshëm për të mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainën lindore.

Shefja e BE-së: Shumë e lumtur që liderët ranë dakord për ndalimin e importeve të naftës ruse

Shefja e BE-së Ursula von der Leyen ka thënë se është “shumë e lumtur” që liderët evropianë kanë arritur një marrëveshje në parim për ndalimin e importeve të naftës nga Rusia.

Duke folur me gazetarët pas ditës së parë të një samiti të BE-së në Bruksel, ajo tha se masa ndëshkuese do të shkurtonte në mënyrë efektive rreth 90 për qind të importeve të naftës nga Rusia në BE deri në fund të vitit.

Jam shumë e lumtur që liderët arritën të bien dakord në parim për paketën e gjashtë të sanksioneve”, tha ajo.

Këshilli tani duhet të jetë në gjendje të finalizojë një ndalim për pothuajse 90% të të gjitha importeve të naftës ruse deri në fund të vitit. Ky është një hap i rëndësishëm përpara. Për 10% të mbetur, për këto ne së shpejti do t’i kthehemi çështjes së këtyre 10% e mbetur e naftës së tubacionit”.

Dy të vrarë dhe tre të plagosur në Lysychansk

Dy persona kanë vdekur dhe tre janë plagosur në Lysychansk, ka thënë guvernatori i rajonit të Luhansk.

Serhiy Haidai tha se ishte e paqartë se sa njerëz kishin vdekur në qytetin e Severodonetsk gjatë dy ditëve të fundit, në të cilat ai tha se luftimet e ashpra po vazhdonin.

Dy rajone të Ukrainës kalojnë në internetin dhe rrjetet celulare të Rusisë

Rajonet ukrainase Kherson dhe Zaporizhzhia, tani nën kontrollin rus, kanë kaluar në rrjetin celular dhe të internetit të Rusisë, raporton agjencia shtetërore e lajmeve RIA duke cituar një këshilltar të kreut të politikës së informacionit të instaluar nga Moska në territorin e aneksuar të Krimesë.

Në territoret e çliruara, tani është ekskluzivisht interneti dhe komunikimi rus. Në fakt, ky është fundi i propagandës ukrainase. Kullat e gënjeshtrave të Zelenskyy kanë rënë”, tha Oleg Kryuchkov.

RIA raporton se administrata pushtuese ushtarako-civile në Kherson pyeti Moskën nëse mund të përdorte aftësitë e kompanive ruse të telekomunikacionit për të rivendosur komunikimet celulare në rajon.

Kërkesa thuhet se erdhi pasi granatimet nga forcat ukrainase shkaktuan një ndërprerje të rrjetit.

Blinkeni dhe ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite diskutojnë për Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, princin Faisal bin Farhan Al Saud, të martën, të cilat përfshinin diskutime mbi mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, sipas një deklarate nga Departamenti i Shtetit.

Sekretari nënvizoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën pasi ajo mbron sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe theksoi nevojën për një përgjigje globale ndaj krizës së sigurisë ushqimore që rezulton nga lufta brutale e presidentit Putin”, thuhet në deklaratë.

Ata thuhet se diskutuan gjithashtu armëpushimin në Jemen, pasojat e cisternës së naftës Safer në rajonin e Detit të Kuq dhe programin bërthamor të Iranit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat