Një anije është larguar nga porti në qytetin e rrethuar të Mariupolit për herë të parë që kur forcat e Kremlinit pushtuan vendin.
Agjencia e lajmeve “Interfax”, duke cituar liderin separatist të mbështetur nga Rusia të rajonit separatist ukrainas të Donetskut, ka raportuar se anija po shkon në lindje drejt Rusisë.
“Sot 2500 ton fletë të petëzuara të metalit u larguan nga porti i Mariupolit. Anija u nis për në Rostov-on-Don”, ka shkruar Denis Pushilin në Telegram.
Ukraina ka thënë se dërgesa e metalit në Rusi nga Mariupol ishte një grabitje.
Në fillim të këtij muaji, trupave ukrainase në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol iu tha të ndalonin mbrojtjen e qytetit jugor të Ukrainës dhe të “shpëtonin jetët e ushtarëve”.
Autoritetet ukrainase kanë vlerësuar se të paktën 22,000 njerëz janë vrarë në qytetin port që nga fillimi i pushtimit rus.