Samiti i BE: Përveç naftës, problem dhe gruri i bllokuar në Ukrainë/ Macron: I propozova Putin…

Bota

Samiti i BE: Përveç naftës, problem dhe gruri i bllokuar në Ukrainë/ Macron: I propozova Putin…

Më: 31 maj 2022 Në ora: 19:36
Emmanuel Macron

Liderët e BE u mblodhën për një samit dy ditor në Bruksel, për të negociuar e miratuar me shume vështirësi paketën e 6 të sanksioneve ndaj Rusisë.

Megjithë kundërshtimet e Hungarisë, unioni ra dakord të ndalojë importin e naftës ruse në masën 90 përqind, pra sasinë  në 2 të 3 që vjen nga deti pa përfshirë atë që vjen nëpërmjet tubacioneve, që përdoret nga Hungaria.

Tani një tjetër çështje që blloku kërkon të zgjidhë është bllokimi i 22 milionë ton grurë në Ukrainë. Presidenti francez Emanuel Macron duke dalë nga samiti tha se ai dhe kancelari Scholz kishin kërkuar Vladimir Putinit t’i jepte fund bllokadës së portit ukrainas të Odessa sipas kushteve të një rezolute të OKB-së.

“I propozova Presidentit Putin që ne të marrim iniciativën për një rezolutë në Kombet e Bashkuara për t’i dhënë një kornizë shumë të qartë këtyre operacioneve. Dhe ne tani presim kthimin e përgjigjes së  Rusisë në këtë pikë ndërsa jemi në kontakt me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së”, tha Macron.

Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel la të kuptohet se unioni po kërkon dhe rrugë kalimi të grurit përveç asaj nga Bjellorusia dhe Deti i Zi.

“Janë 22 milionë tonë drithë që janë bllokuar në Ukrainë, veçanërisht në Odesa, vende si Egjipti dhe vende të tjera të Afrikës, janë viktima të kësaj situate. ne mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra nga Kombet e Bashkuara për të gjetur një marrëveshje për hapjen e një korridori detar në Detin e Zi, por po ashti diskutuam për mundësitë e ndryshme të nevojshme për të zhvilluar rrugë alternative”, tha Michel.

Ndërkohë përfaqësuesi i vendeve afrikane në samit ka paralajmëruar udhëheqësit e BE-së se bllokada e porteve të Ukrainës nga Moska rrezikon të sjellë një skenar katastrofik të mungesës së ushqimit dhe rritjes së çmimeve, që mund të çojë në  282 million njerëz të vuajnë nga uria.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat