Rusia paralajmëron se do të sulmojë Perëndimin/ Ukraina me një mesazh për bisedimet – ja të rejat e fundit nga lufta

Bota

Rusia paralajmëron se do të sulmojë Perëndimin/ Ukraina me një mesazh për bisedimet – ja të rejat e fundit nga lufta

Nga: Bota sot Më: 4 qershor 2022 Në ora: 06:12 Përditësuar në ora: 00:43 më 05.06.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

5 persona raportohen të vdekur nga shpërthime të shumta pranë qytetit të Donetsk

Majlinda Haziri Majlinda Haziri

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS tha se pesë civilë u vranë dhe 20 u plagosën të shtunën si rezultat i shpërthimeve të shumta pranë qytetit të Donetsk nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Qyteti mbahet nga Republika Popullore e vetëshpallur e Donetskut, por rrallëherë bombardohet nga forcat ukrainase, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar mbi shpërthimet.

DPR tha në kanalin e saj Telegram se 10 raketa Grad ishin hedhur në lagjen Kirov të qytetit. Selia e Mbrojtjes Territoriale të DPR tha se "si rezultat i bombardimeve në Donetsk, numri i të plagosurve u rrit në 10 persona".

Finlanda dhe Suedia përgatiten për stërvitje të madhe detare të NATO-s, mes shqetësimeve turke

Finlanda dhe Suedia po përgatiten për një stërvitje të zgjeruar detare të NATO-s në Detin Baltik të dielën, mes shqetësimeve turke për anëtarësimin e tyre.

“Baltops 22” i NATO-s, që zgjat dy javë, pritet këtë vit nga Suedia, ku marrin pjesë gjithashtu Marina dhe Forcat Ajrore Finlandeze.

Udhëheqësit ushtarakë kanë sugjeruar se nuk është rastësi që stërvitja ushtarake e NATO-s është më e madhe se në vitet e mëparshme.

Komandanti i SHBA-së, Zëvendës Admirali Eugene Black, tha në një konferencë të shtunën: “Stërvitja këtë vit është ndoshta rreth 30 për qind më e madhe se vitin e kaluar.

Aty do të përfshihen “45 anije, 76 avionë, 16 vende – 14 prej tyre aleatë të NATO-s dhe dy partnerë shumë të ngushtë”, shtoi ai.

“Qëllimi i stërvitjes është të zhvillojë ndërveprueshmërinë e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere në operacionet e përbashkëta ajrore dhe detare dhe operacionet amfibe”, thanë Forcat e Mbrojtjes Finlandeze në një deklaratë të mërkurën.

Rreth 200 personel të Marinës Finlandeze do t’i bashkohen stërvitjes nga 5 deri më 17 qershor.

Suedia dhe Finlanda kanë ndryshuar politikat tradicionale të neutralitetit duke bërë të ditur se do t’i bashkohen aleancës mbrojtëse prej prej 30 anëtarësh, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Gjenerali i lartë amerikan Mark Milley u takua të premten me presidentin finlandez Sauli Niinisto për të premtuar mbështetjen e SHBA për anëtarësimin e dyshes nordike në NATO, me Detin e cekët Baltik që tani ka një rol kryesor në llogaritjen mbrojtëse të aleancës.

Derisa ende në pritje, aplikimet për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës janë bllokuar nga Turqia dhe janë kritikuar nga presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdoğan. 

Vazhdojnë granatimet në Kharkiv të Ukrainës

Edhe pas ditës së 100-të të luftës në Ukrainë, po vazhdojnë granatimet në Ukrainë.

Punëtorët inspektonin magazinën e tyre të dëmtuar të drurit pas një greve në periferi të Kharkivit në verilindje të Ukrainës, shkruan Sky News.

Granatimet kanë vazhduar në zona të tjera të rajonit këtë javë, me një të vdekur dhe një të plagosur.

Ukraina reagon ashpër ndaj komenteve të presidentit francez Macron për Rusinë

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba reagoi ashpër ndaj presidentit francez Emmanuel Macron, pasi ai u kërkoi fuqive botërore të mos "poshtërojnë" presidentin rus Vladimir Putin lidhur me Ukrainën, në mënyrë që të ketë shanse për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.

"Thirrjet për të shmangur poshtërimin e Rusisë poshtërojnë vetëm Francën dhe çdo vend tjetër që do të bënte një thirrje të ngjashme. Sepse është Rusia ajo që poshtëron veten," shkruante zoti Kuleba të shtunën në Twitter.

"Më mirë të përqendrohemi të gjithë tek përpjekjet për t’i treguar vendin Rusisë. Kjo do të sillte paqe dhe do të shpëtonte jetë", tha ai.

"Ne nuk duhet ta poshtërojmë Rusinë në mënyrë që ditën kur luftimet të ndalen, të mund të krijojmë një platformë për zgjidhje diplomatike," tha zoti Macron në një intervistë të premten, duke shtuar se Franca do të luante një rol kyç në ndërmjetësim.

“Unë mendoj dhe ia kam thënë (Presidentit Putin) se ai ka bërë një gabim historik dhe themelor për popullin e tij, për veten e tij dhe për historinë," tha Macron. "Unë mendoj se ai u vetëizolua”, shtoi ai.

Zoti Macron është përpjekur të mbajë të hapur dialogun me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin që kur filloi agresioni i Moskës më 24 shkurt.

Qëndrimi i tij është kritikuar vazhdimisht nga disa partnerë në vendet e Evropës Lindore dhe baltike në Evropë, pasi ata e shohin atë si minim të përpjekjeve për të ushtruar presion ndaj presidentit rus për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

Presidenti Macron ka folur rregullisht me presidentin Putini që kur filloi agresioni, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një armëpushim dhe për të filluar negociata të besueshme mes Kievit dhe Moskës.

Franca e ka mbështetur Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht, por deri tani, zoti Macron nuk ka qenë në Kiev për të ofruar mbështetje simbolike politike si udhëheqësit e tjerë të BE-së, diçka që Ukraina ka kërkuar që ai të bëjë. Macron tha se nuk e ka përjashtuar mundësinë e një vizite.

A janë Shtetet e Bashkuara të përgatitura për një luftë kibernetike me Rusinë?

Shtetet e Bashkuara janë objektiv i mijëra sulmeve të përditshme kibernetike, shumë prej të cilave e kanë origjinën nga Rusia. Nëse tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës përshkallëzohen më tej për shkak të luftës në Ukrainë, ekspertët shqetësohen se Presidenti rus Vladimir Putin do të urdhëronte një sulm frontal kibernetik për të shkatërruar infrastrukturën jetike amerikane.

Sanksionet e shpejta dhe të koordinuara të Perëndimit ndaj Moskës për shkak të sulmit të saj të paprovokuar në Ukrainë, e lanë sistemin financiar rus në një gjendje të rëndë. Për t’u hakmarrë ndaj Uashingtonit, që udhëhoqi përgjigjen e bashkuar dhe furnizimin e Ukrainës me armë, disa frikësohen se Presidenti rus Vladimir Putin mund të fillojë ndaj Shteteve të Bashkuara një luftë kibernetike, një fushë ku vendi i tij ka përvojë.

Ligjvënësi Mike Gallagher mendon se "nëse situata përshkallëzohet, do të shohim sulme kibernetike ruse ndaj infrastrukturës jetike".

Këtë frikë e kanë edhe ekspertë të tjerë.

"(Sulmi) kibernetik mund të jetë edhe i më i frikshëm se armët tradicionale", thotë Nicholas Chaillan, ish-drejtues i informatikës në Forcat Ajrore amerikane.

Por, sa janë të përgatitura Shtetet e Bashkuara për një goditje të mundshme kibernetike? Realiteti është më i komplikuar.

"Shtetet e Bashkuara udhëheqin për sa i përket ofensivës kibernetike. Pra, kemi kapacitete shumë të mira ofensive në kibernetikë. Por, kapacitetet tona mbrojtëse janë goxha të dobëta. Unë i quaj të nivelit të kopshtit", thotë zoti Chaillan.

Ai lindi në Francë dhe si një sipërmarrës dhe kodues i suksesshëm, iu bashkua qeverisë amerikane në vitin 2016 për të ndihmuar në luftën ndaj krimit kibernetik në nivelin ndërkombëtar. Që nga ajo kohë, ai ka mbetur i zhgënjyer nga aftësia e qeverisë për të mbrojtur sistemet e saj kibernetike.

Situata në disa kompani private, që mbështesin infrastrukturën jetike të Amerikës, nuk është shumë më e mirë, thotë ai.

"Shumë prej këtyre kompanive të lejojnë të hysh në sistemet e tyre nëpërmjet internetit, pasi nuk kanë mjaftueshëm ekspertë lokalë, që të bëjnë mirëmbajtjen. Prandaj i lidhin virtualisht sistemet me njëra-tjetrën, gjë që praktikisht i hap dyert rreziqeve masive kibernetike", thotë zoti Chaillan.

Ai kujton sulmin kibernetik të vitit 2021 ndaj firmës “Colonial Pipeline”, që bën shpërndarjen e karburantit në Amerikë përmes një sistemi tubacionesh. Prej sulmit, gjysma e bregut lindor të Shteteve të Bashkuara mbeti pa karburant, duke ndikuar tek jetët e miliona personave për ditë të tëra.

"Dimë se ka plot raste kur edhe Kina edhe Rusia kanë qenë brenda sistemeve amerikane për disa muaj, pse jo edhe vite. Madje, ato gjenden ndoshta në brendësi të sistemeve të infrastrukturës kritike edhe tani që ne po flasim", thotë zoti Chaillan.

Ai thotë se është shumë e mundshme që kundërshtarët gjeopolitikë të Uashingtonit të kenë vendosur tashmë mjete kibernetike brenda sistemeve të Amerikës. Ato mund të aktivizohen në një moment kyç në të ardhmen.

"Në fund të ditës, kjo është vërtet e frikshme. Dhe çuditërisht e pranojmë një gjë të tillë", thotë zoti Chaillan.

Ekspertë të tjerë thonë se ndikimi i sulmeve të tilla kibernetike, madje edhe sulmeve frontale, do të kufizohet megjithatë nga gjeografia dhe sektorët e infrastrukturës që do të preken.

"Mendoj se dëmi që mund të shkaktohet do të jetë me shtrirje të madhe, por rajonale. Ka shumë mbivendosje në shumë prej këtyre sektorëve. Pra, nëse ka ndikim në një rajon, ekziston një nivel fleksibiliteti në sistem për ta përballuar këtë", thotë Jacob Galbreath, nga Qendra e Ekselencës për Bashkëpunimin e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s.

Disa thonë se superfuqitë nuk angazhohen në ofensiva frontale kibernetike për shkak të parimit të shkatërrimit të sigurtë të ndërsjelltë, që vlen jo vetëm për luftën bërthamore, por edhe për atë kibernetike.

Ky parim parandalues mbështet tek nocioni se një sulm kibernetik nga një superfuqi ndaj një tjetre, do të merrte përgjigje masive, duke i lënë të dyja vendet të shkatërruara.

"Ata (rusët) duhet ta kuptojnë se vendi ynë do të përgjigjet", thotë zoti Galbreath.

Estonia ishte e para që pësoi një sulm serioz kibernetik nga një shtet tjetër. Në prill 2007, hakerë që mendohet se janë të lidhur me Kremlinin, sulmuan faqet e internetit të qeverisë, mediave dhe institucioneve financiare. Sulmuesit përdorën ato që quhen “botnets”, rrjete paisjesh të kompromentuara që janë të lidhura në internet.

Toomas Hendrik Ilves ishte në atë kohë president i Estonisë.

"Gjërat janë përkeqësuar shumë më tepër që atëherë", thotë ai.

Me përhapjen e teknologjisë së internetit, u rrit numri i paisjeve të lidhura me rrjetin. Po kështu u rrit edhe potenciali për sulme të suksesshme hakerësh.

"Ka për shembull gjysmë milioni kamera survejimi vetëm në qytetin e Londrës", thotë ai.

Ndërsa teknologjia kompjuterike po zhvillohet me shpejtësi marramendëse, superfuqitë vetëm mund të hamendësojnë, se çfarë mjetesh kibernetike ofensive disponojnë kundërshtarët. Por, ekspertët thonë se lufta në Ukrainë mund të ketë ofruar mundësinë unike për të parë kapacitetet e vërteta të Rusisë, duke zbuluar kufizimet e Moskës jo vetëm në luftën konvencionale, por edhe në luftën kibernetike.

"Nëse do më kishit pyetur tre muaj më parë, do të kisha dhënë tjetër përgjigje. Por në këto momente, ata (Rusia) duhet të angazhohen më shumë për mbrojtjen; nuk po ia dalin mirë", thotë zoti Galbreath.

Analistët thonë se një ndër arsyet përse Rusia nuk po ia del shumë mirë, është për shkak të përfshirjes në konflikt të palëve të treta.

"Megjithë përmasat (e kufizuara të këtij konflikti), është mbresëlënëse se sa shumë persona nga mbarë bota po përfshihen në favor të Ukrainës, apo kundër Rusisë. Në këtë aspekt, pasojat mbi Rusinë kanë qenë shkatërrimtare. Njerëzit në mbarë botën janë kundër asaj që po bën ushtria ruse dhe qeveria ruse në Ukrainë", thotë zoti Galbreath.

Ekspertët thonë se kjo luftë rajonale do të ketë pasoja globale dhe se mund të ndryshojë botëkuptimin tonë për shpërndarjen e fuqisë, përfshirë në kibernetikë./VOA

Lufta në Ukrainë, 360 vetë kaluan 26 ditë të mbyllur në bodrum

Rusët pushtuan fshatin ukrainas Yahidne në ditët e para të luftës. Pas largimit të tyre nga kjo zonë në fund të marsit, banorët që qëndruan në shtëpitë e tyre gjatë pushtimit filluan të rrëfenin historitë e tyre. Korrepondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kostutschenko bisedoi me dy banorë të rajonit të Chernihivit në Ukrainë. 

Fshati Yahidne ndodhet rreth 20 kilometra në jug të Chernihivit, në Ukrainën veriore. Më 5 mars, trupat ruse e pushtuan atë. 

Taisiya Petrivna thotë se trupat ruse arritën atje papritmas. 

Ushtarët e armatosur rusë urdhëruan zonjën Petrivna dhe burrin e saj me aftësi të kufizuara të transferoheshin në bodrumin e një shkolle lokale. 

“Rreth orës 16:00, tre ushtarë të armatosur hynë brenda dhe thanë ‘largojeni plakun tuaj menjëherë!’" 

Ushtarët rusë i detyruan të gjithë fshatarët të hynin në bodrumin e shkollës. 360 persona, duke përfshirë 77 fëmijë, u vendosën në një hapësirë prej 200 metrash katrorë. 

Fshatarët nuk e dinin se do të qëndronin gati një muaj atje. 

Të rriturit detyroheshin të flinin ulur, sepse nuk kishte hapësirë për t’u shtrirë. 

Mes tyre ishte edhe punonjësi i shkollës Ivan Polgui. /VOA

Rusia paralajmëron se do të sulmojë Perëndimin, nëse sulmohet nga Ukraina

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka paralajmëruar se Kremlini mund të sulmojë shtetet Perëndimore, nëse Ukraina përdor raketa të furnizuara nga ShBA-ja, për të kryer sulme ndaj Rusisë.

Presidenti i Shteteve tw Bashkuara, Joe Biden, njoftoi këtë javë se administrata e tij po dërgonte raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, ani se më herët kishte thënë se Ukrainës nuk do ti dërgoheshin armë të avancuara.

Medvedev, një aleat i ngushtë i Putinit, paralajmëroi se do të kishte pasoja nëse këto raketa do të përdoren në tokën ruse.

“Nëse, Zoti na ruajt, këto armë përdoren kundër territorit rus, atëherë forcat tona të armatosura nuk do të kenë zgjidhje tjetër veçse të godasin qendrat vendimmarrëse. Sigurisht, duhet kuptuar se qendrat përfundimtare të vendimmarrjes në këtë rast, për fat të keq, nuk janë të vendosura në territorin e Kievit”, tha Medvedev.

Sistemet e raketave që dërgohen në Ukrainë do të jenë në gjendje të godasin objektivat e armikut rreth 50 milje larg, raporton Mirror

Shtëpia e Bardhë tha se kishte rënë dakord t’i siguronte Ukrainës raketat e reja pasi mori garanci nga Presidenti Zelensky se ato nuk do të përdoren për të goditur objektivat brenda Rusisë.

Ushtria ruse shkatërron një bazë mercenarësh të jashtëm në Odesa

Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se trupat ruse shkatërruan një bazë mercenarësh të jashtëm të Odesas, së bashku me një qendër artilerie në rajonin Sumy.

“Raketat e lëshuara nga ajri me precizion të lartë goditën një qendër stërvitore artilerie të Forcave të Armatosura të Ukrainës pranë fshatit Stetskivka në rajonin Sumy.

Në këtë qendër instruktorë të huaj trajnuan ushtarakët ukrainas për të operuar dhe drejtuar gjuajtjen e obuseve 155 mm M777”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, raporton AP.

Gjithashtu bëhet e ditur se baza e mercenarëve në rajonin e Odesa u shkatërrua si rezultat i një sulmi me raketa.

Ukraina thotë se bisedimet nuk kanë kuptim derisa trupat ruse nuk tërhiqen

Ukraina hodhi poshtë të shtunën thirrjen e presidentit francez Emmanuel Macron për të mos "poshtëruar" Rusinë për hir të diplomacisë dhe tha se nuk ka asnjë kuptim të ketë negociata derisa forcat e Moskës të shtyheshen sa më shumë që është e mundur.

Macron, i cili ka vazhduar dialogun me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, ofroi të premten të ndërmjetësojë në luftë dhe paralajmëroi kundër poshtërimit të Moskës në mënyrë që të mbajë derën e hapur për një zgjidhje diplomatike.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba hodhi poshtë logjikën e Macron në Twitter, duke thënë se thirrje të tilla "vetëm mund të poshtërojnë Francën dhe çdo vend tjetër që e kërkon atë".

"Sepse është Rusia ajo që poshtëron veten. Të gjithë më mirë të përqendrohemi se si ta vendosim Rusinë në vendin e saj. Kjo do të sjellë paqe dhe do të shpëtojë jetë," tha ai.

I pyetur në lidhje me ofertën e ndërmjetësimit në televizionin kombëtar, këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak tha: "...Derisa të marrim armët në sasinë e tyre të plotë, derisa të forcojmë pozicionet tona, derisa t'i shtyjmë ato (forcat ruse) sa më shumë që të jetë e mundur në kufijtë e Ukrainës, nuk ka kuptim të zhvillohen negociata."

Ukraina, e cila thotë se Rusia ka pushtuar tashmë rreth 20% të territorit të saj, tani po merr armë më të fuqishme nga Perëndimi.

"Forcat tona të armatosura janë gati të përdorin (armët e reja)...dhe më pas mendoj se mund të fillojmë një raund të ri bisedimesh nga një pozicion i forcuar," tha të premten David Arakhamia, ligjvënësi ukrainas dhe anëtar i ekipit negociator .

Ndër të tjera, Shtetet e Bashkuara do t'i japin Ukrainës sisteme precize raketash HIMARS, duke e lejuar atë të godasë pozicionet ruse nga një distancë më e madhe./REL

Katër vullnetarë të huaj ushtarakë vdiqën në Ukrainë

Ukraina njoftoi të shtunën për vdekjen e katër vullnetarëve të huaj ushtarakë që luftonin forcat ruse.

Legjioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Ukrainës, një brigadë zyrtare vullnetare, njoftoi se burrat nga Gjermania, Holanda, Australia dhe Franca kishin vdekur, por nuk specifikoi se kur dhe në çfarë rrethanash.

“Ne humbëm vëllezërit tanë në luftime, por trimëria e tyre, kujtimi dhe trashëgimia e tyre do të na frymëzojnë përgjithmonë”, thuhet në një deklaratë.

Gazetarët e AFP-së në Harkiv muajin e kaluar ishin të pranishëm në varrimin më 21 maj të shtetasit holandez të përmendur në deklaratë, Ronald Vogelaar. Kolegët thanë se ai ishte vrarë disa ditë më parë nga artileria.

Australiani u raportua i vrarë në maj dhe vdekja e tij u konfirmua nga një zëdhënës i departamentit të punëve të jashtme.

Gazeta Mercury e Tasmanisë e identifikoi burrin si Michael Charles O'Neill, 47 vjeç.

Parisi të premten konfirmoi se një luftëtar vullnetar francez ishte vrarë në luftime në Ukrainë, pas raportimeve se burri vdiq nga zjarri i artilerisë në rajonin e Harkivit.

Deklarata zyrtare e së shtunës u shoqërua me fotografi të burrave ku shiheshin të veshur me kamuflazh dhe duke mbajtur armë të vogla.

Organizata thotë në faqen e saj të internetit se qytetarë nga vende duke përfshirë Danimarkën, Izraelin, Poloninë, Letoninë, Kroacinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe Kanadanë i janë bashkuar radhëve të tyre.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky njoftoi formimin e forcës në fillim të luftës dhe Kievi menjëherë më pas tha se kishte marrë rreth 20,000 aplikime.

Konflikti, tashmë përtej ditës së tij të 100-të, thuhet gjithashtu se ka tërhequr një numër të konsiderueshëm luftëtarësh vullnetarë nga Gjeorgjia ish-Sovjetike, e cila zhvilloi një luftë të shkurtër dhe katastrofike me Rusinë më 2008.

Rusia pretendoi këtë javë se kishte vrarë "qindra" luftëtarë të huaj në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit të saj më 24 shkurt dhe ndaloi fluksin e të ardhurve./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat