Kombet e Bashkuara thonë se janë "të shqetësuar" nga dënimet me vdekje të tre të huajve në Donetsk, duke shtuar se "sipas komandës së përgjithshme të Ukrainës, të gjithë burrat ishin pjesë e forcave të armatosura ukrainase dhe se nuk duhet të konsiderohen si mercenarë", raporton CNN, përcjell "Bota sot".
Duke iu përgjigjur gazetarëve gjatë një konference për shtyp në Gjenevë të premten, zëdhënësja e OKB-së për të drejtat e njeriut Ravina Shamdasani tha: “Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut është e shqetësuar që më 9 qershor, e ashtuquajtura 'gjykatë supreme' e vetëshpallur 'Republika Popullore e Donetskut' dënoi për vdekje tre ushtarakë nga forcat e armatosura ukrainase, por shtetas të vendeve të huaja, të kapur në Mariupol, si mercenarë dhe për tentativë për marrjen e pushtetit në të ashtuquajturën "republikë".
Një gjykatë në Republikën Popullore të Donetskut (DPR) pro-ruse dënoi me vdekje shtetasin maroken Brahim Saadoune dhe shtetasit britanikë Aiden Aslin dhe Shaun Pinner të enjten, pasi i akuzoi ata si "mercenarë" për Ukrainën.
Shamdasani tha se që nga viti 2015 OKB-ja ka vërejtur se “i ashtuquajturi 'gjyqësor' në 'republikat' e vetëshpallura nuk ka respektuar garancitë thelbësore të gjykimit të drejtë, si dëgjimi publik, pavarësia dhe paanshmëria e gjykatës dhe e drejta për të mos të detyrohen të dëshmojnë.”
“Gjyqe të tilla kundër të burgosurve të luftës përbëjnë një krim lufte. Në rastin e përdorimit të dënimit me vdekje, garancitë e gjykimit të drejtë janë edhe më të rëndësishme”, tha Shamdasani.